X
GO

Blogu

Kërko Blog

Ç’ËSHTË VJEDHJA E IDENTITETIT DHE SI TË MBROHEMI?

  • 15 gusht 2018
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 2713
  • 0 Komentet
Ç’ËSHTË VJEDHJA E IDENTITETIT DHE SI TË MBROHEMI?

Shpeshherë dëgjojmë për raste të vjedhjes së identitetit të një personi, mirëpo çka në të vërtetë është vjedhja e identitetit dhe si të mbrohemi nga kjo?

Vjedhja e identitetit të një personi është përdorimi i qëllimshëm i identitetit të dikujt tjetër, zakonisht për përfitime personale, në llogari të viktimës. Personi, identiteti i të cilit është vjedhur, mund të mbahet përgjegjës për veprimet e jashtëligjshme të cilat i ka kryer dikush tjetër (vjedhësi) në emër të tij.

Vjedhja e identitetit ndodhë edhe atëherë kur dikush vjedhë të dhënat tuaja personale – si emrin, datën e lindjes, numrin personale – me qëllim që të hapë një llogari të re bankare, të merr hua apo kredi në emrin tënd, apo të marr nën kontroll llogarinë tënde duke u shtirë sikur jeni ju.

Në shumicën e rasteve, viktima e kupton me vonesë që i është vjedhë identiteti. Kjo zakonisht ndodhë kur i vije ndonjë faturë për gjërat që nuk i ka blerë, apo hasë në ndonjë ndalesë për vepra që nuk i ka bërë, apo edhe më keq, t'i regjistrohet në polici ndonjë dosje kriminale.

Janë disa mënyra se si mund t’u vidhet identiteti:

  • ekspozimi i të dhënave nga serverët e ofrueseve të shërbimit (yahoo, google, facebook etj.) ku ju keni llogari të hapur,
  • piratëria kompjuterike (hulumtimi i koshit të mbeturinave, shikimi i fjalëkalimeve prapa shpinës së viktimës, mashtrimi me e-mail, e-mailat e padëshiruar etj.), 
  • infektimi me malware i kompjuterit tuaj,
  • vjedhjet e kartave të kreditit,
  • vjedhja e telefonave mobil,
  • vjedhja përmes instalimit të skanerëve në bankomate (ATM) të cilët skanojnë PIN-in tuaj dhe të dhënat e kartelës tuaj etj.

Ndoshta juve ju duket e pabesueshme, por për të vjedhur të dhënat e identitetit tuaj, një keqbërës hulumton madje edhe shportën ku ju i hedhni mbeturinat me shpresë që mund të gjendet ndonjë dokument, kartë apo letër që e keni hedhur, e që mund të përmban informacione të vlefshme për vjedhësin. 

Vjedhja e identitetit ndahet në disa kategori. Qendra e Burimit të Vjedhjes së Identitetit, një organizatë jo-fitimprurëse në SHBA, i kategorizon këto në pesë kategori më të mëdha:

  • Vjedhja e identitetit kriminal (bën një vepër kriminale duke u paraqitur si dikush tjetër)
  • Vjedhja e identitetit financiar (përdorë identitet të rremë derisa të merr një kredi, ndonjë të mirë materiale apo ndonjë shërbim)
  • Klonimi i identitetit (përdorimi i të dhënave të tjetrit për t'u paraqitur si ai në jetën e përditshme)
  • Vjedhja e identitetit mjekësorë (përdorë identitetin e dikujt tjetër për vizita mjekësore apo për të blerë medikamente)
  • Vjedhja e identitetit të fëmijëve (që të shfrytëzoj privilegjet që i takojnë dikujt tjetër për fëmijët e vet).

Të qenit viktimë e vjedhjes së identitetit u shkakton humbje financiare, dëmtim të kredisë tuaj, ankth emocional dhe u nevojitet kohë dhe energji që ta ktheni identitetin tuaj. 

Nëse mendoni se jeni viktimë e vjedhjes së identitetit duhet të veproni menjëherë. Në mënyrë që të minimizoni humbjet, lajmëroni menjëherë organet e rendit dhe ofruesit e shërbimit:

  • bankën, nëse u është vjedhë karta e bankës
  • shërbimin postar, nëse u është vjedhë telefoni me numër
  • shpallini të pavlefshëm dokumentet e identifikimit nëse u janë vjedhë

Si masa parandaluese, u rekomandojmë të keni kujdes me të dhënat tuaja gjatë gjithë kohës, sidomos në rrjetet sociale. Mos i jepni dikujt të dhënat që u identifikojnë, vetëm në rast se kjo është absolutisht e domosdoshme. Kontrolloni rregullisht të dhënat tuaja, sidomos ato bankare që të shihni lëvizjet e shifrave. Vjedhësit dinë të maskohen duke vjedhur shuma të vogla por të vazhdueshme. Grisni (në grirëse) kartat bankare apo dokumentet e identifikimit që kan skaduar, mbani kartat në vend të sigurt – mos i mbani me vete kartat që nuk do t’i përdorni dhe mos u përgjigjuni e-mailave të padëshiruar apo spam të cilët kërkojnë nga ju të jepni shënimet tuaja në shkëmbim të ndonjë shërbimi. Gjatë futjes së PIN në bankomate, sigurohuni që nuk ka mjete përgjimi në bankomate si dhe mbuloni me dorë pjesën e numrave gjatë shtypjes së tyre - mund të jetë e vendosur ndonjë kamerë sipër tastaturës.  

Këto janë vetëm disa mënyra të vjedhjes së identitetit dhe disa mënyra se si të mbroni identitetin tuaj. Natyrisht ka shumë më tepër se kaq. Por, le të shërbej ky Blog për vetëdijsim për rëndësinë e mbrojtjes së identitetit tuaj nga vjedhja.

 

Print
Kategoria: Blog, Teknologji
Vlerëso artikullin:
5.0

x

Kërko Blog

Më të shikuarat