X
GO

Blogu

Kërko Blog

GJUHËT PROGRAMUESE MË TË MIRA PËR VITIN 2020

  • 3 janar 2020
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 1960
  • 0 Komentet
GJUHËT PROGRAMUESE MË TË MIRA PËR VITIN 2020

Të gjitha programet që përdorim në jetën e përditshme – qoftë ai aplikacion mobil, program kompjuteri apo edhe vet sistemet operative çofshin ato kompjuterike apo mobile – janë të shkruara me ndonjë nga gjuhët programuese.

Gjuhët programuese luajnë rolin kryesor në fushën e zhvillimit të softuerit. Duke qenë se në treg ekzistojnë shumë gjuhë programuese, me përparësitë dhe mangësitë e secilës prej tyre, zgjedhja e gjuhës më të mirë ku të përqendrohemi gjatë zhvillimit të karrierës tonë është mjaft sfiduese.

Në një artikull të publikuar më herët kemi shpjeguar se çka janë gjuhët programuese dhe kemi bërë ndarjen mes gjuhëve të larta programuese dhe atyre të ulëta programuese. Ndërsa në këtë artikull do të flasim për popullaritetin e gjuhëve të larta programuese, ashtu që t’u ndihmojmë programuesve të rinj të vendosin se cilën gjuhë të mësojnë gjatë vitit 2020.

Për të gjetur gjuhën më të mirë programuese, duhet pasur parasysh disa kritere, si p.sh. nëse doni të zhvilloni aplikacione për mobil iOS, Android; për Web; për Baza te të dhënave etj. siç mund të shihet në tabelën në vijim, ku kemi renditur gjuhët me numra sipas përdorimit të tyre nga programuesit – me 1 kemi paraqitur gjuhën me përdorim më të gjerë.

Sa i përket radhitjes së gjuhëve të programimit, organizata të ndryshme përdorin kritere të ndryshme. Organizata Spectrum, p.sh., kombinon të dhënat nga burime të ndryshme, duke përfshirë rezultatet nga kërkimi në Google, Twitter, GitHub, Stack Overflow, Reddit, IEEE Job Site, etj.

TIOBE në anën tjetër, kriter për radhitjen e gjuhëve programuese merr për bazë numrin e inxhinierëve të cilët e përdorin një gjuhë programuese, trajnimet që mbahen dhe sa i ndjekin këto trajnime, kërkimet për këto gjuhë në Google, Bing, Yahoo!, Wikipedia, Amazon, Youtube, dhe Baidu

Indeksi mund të përdoret për të vendosur nëse aftësitë e juaja programuese janë akoma në prirjen e duhur, apo për t’u ndihmuar që të bëni zgjedhjet e duhura në lidhje me përdorimin e gjuhës së duhur për ndërtimin e sistemit tuaj të ri softuerik.

Në anën tjetër, stackoverflow të dhënat i mbledhë përmes anketimit të programuesve. Këtë vit ata kishin anketuar më se 90,000 zhvillues dhe kanë publikuar listën e tyre të gjuhëve më të popullarizuara të programimit.

 

CILËN GJUHË TA MËSOJMË

Kur jemi te mësimi i gjuhës më të mirë, të asaj që do të na hapë perspektivë në të ardhmen, varet shumë nga e kaluara jonë dhe nga synimi ynë për të ardhmen – për këtë edhe e kemi publikuar këtë artikull.

Fillimisht, nëse e njihni ndonjë nga gjuhët e programimit, më së miri është të vazhdoni me të duke thelluar njohuritë tuaja në atë gjuhë. Ky shkrim më së shumti do t’u hyjë në punë atyre që nuk programojnë por duan ta marrin rrugën e programimit. Nëse është kështu, atëherë ne iu rekomandojmë të filloni me një gjuhë të lehtë për mësim e po ashtu të përdorshme në një fushë sa më të gjerë. Për atë edhe lista jonë – dhe e shumë organizatave prestigjioze – fillon me gjuhën Python.

Python

Python është gjuha që – si në vitin e kaluar –  vazhdon të qëndrojë në krye të tabelës në shumicën e organizatave që merren me vlerësimin e gjuhëve më të mira, si Spectrum dhe StackOverflow. Përmes kësaj gjuhe programuese, mund të zhvilloni aplikacione për ueb, për desktop, për rrjeta, vegla për media, dhe gjen aplikim të gjerë në Inteligjencë Artificiale dhe në re (cloud).

Python është gjuhë e lartë programuese dhe shumë e lehtë për ta mësuar, ka sintaksë të thjeshtë dhe të qartë. Kështu Python mbetet zgjedhja më e mirë për fillestarët.

Shumica e atyre që synojnë të përqendrohen në programimin në anën e serverit shkojnë me Python, për shkak të numrit të madh të librarive që u mundëson të shkruajnë skripte dhe “plug-ins[i]”.

Python është një gjuhë “open-source” e orientuar në objekte me një dizajn kodimi jo-sinkron – duke mundësuar kështu programimin paralel, dhe mundëson zgjidhje në lloje të ndryshme platformash (ndër-platformë), si p.sh. për iOS dhe Android.

Instagram, Google, dhe Netflix përdorin Python për zhvillimin e zgjidhjeve të tyre ndër-platformë.

Paga mesatare e një zhvilluesi me Python në SHBA është $114,383 në vit.

JavaScript

JavaScript (JS) – së bashku me NodeJS – është një gjuhë shumë e përhapur në mesin e zhvilluesve të cilët duhet të punojnë në të dy anët – në anën e serverit (NodeJS) dhe atë të klientit (ReactJS). Duke qenë në përputhje me gjuhët e tjera, u mundëson të krijoni animacione, butona, dhe të menaxhoni me multimedia.

Në ditët e sotme është pothuaj e pamundur të mendohet zhvillimi i një ueb-aplikacioni pa përdorë JS, e cila është një gjuhë interpretuese, e lehtë, dhe e cila luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e pamjes së faqes (front-end). Kjo së bashku me strukturën Node.js, mundëson edhe zhvillimin e proceseve në prapavijë (back-end).

Rritja e përdorimit të saj po shtohet falë sektorit të zhvillimit të lojërave dhe të IoT. Firma të njohura si Netflix, Uber, dhe PayPal përdorin JS për të krijuar faqe dinamike, të shpejta dhe të sigurta.

Paga mesatare e një zhvilluesi me JS është $110,980 në vit.

Go

Gjuha Go – që njihet ndryshe edhe si Golang – është zhvilluar nga Google (2009) dhe ka ngjashmëri me gjuhën Python. Edhe pse e thjeshtë, është më efikase se gjuha C++. Përveç kësaj, Go mundëson programim konkurrent dhe përdoret për të ndërtuar aplikacione komplekse në një shkallë të gjerë.

Gjuha Go përmbledhë aspektet më të mira të programimit funksional dhe të programimit të orientuar në objekte, dhe është gjuha me rritjen më të madhe në GitHub.

Paga mesatare për një zhvillues me këtë gjuhë është $94,100 në vit.

TypeScript

Të gjithë kemi dëgjuar për gjuhën JavaScript (JS), e cila është në krye të listës tonë. TypeScript, një superstrukturë e JS, është një gjuhë programuese e orientuar në objekte e cila zgjeron aftësitë e gjuhës JS. TypeScript ua lehtëson zhvilluesve shkrimin dhe mirëmbajtjen e kodit, duke u ofruar një përshkrim të plotë për secilën komponentë të kodit. Kjo ua mundëson të zhvilloni aplikacione të përmasave të mëdha me një sintaksë të çartë e me më pak gabime.

Për më tepër, është mirë e strukturuar dhe e lehtë për ta mësuar. Për shkak të përfitimeve që ofron, TypeScript pritet të kalojë JavaScript në vitin 2020, duke u bërë njëra nga gjuhët më të kërkuara të programimit në të ardhmen.

Paga mesatare e një zhvilluesi me TypeScript është $102,500 në vit.

Kotlin

Kotlin është një gjuhë programuese e përgjithshme, “open-source[ii]”, e dizajnuar të jetë komplet ndërvepruese me gjuhën Java. Përveç kësaj, që nga koha kur Google e shpallë atë zyrtarisht gjuha kryesore për Android (2017), Kotlin merr vëmendjen e të gjithëve.

Kotlin ofron veçori në përputhje me kërkesat e zhvilluesve, duke kombinuar veçoritë e programimit të orientuar në objekte me ato të programimit me funksione.

Lehtësia e ndërveprimit mes Kotlin dhe Java mundëson zhvillimin e Android-it në një mënyrë më të shpejtë e më të këndshme.

Meqë Kotlin adreson disa nga çështjet kryesore të shfaqura në Java, si dhe duke pasur parasysh mbështetjen e fuqishme me vegla, disa aplikacione të famshme – si Coursera dhe Pinterest – janë ri-shkruar komplet në Kotlin.

Kotlin mund ta përdorni për të zhvilluar aplikacione për Android, ueb, desktop, si dhe aplikacione që veprojnë në anën e serverit. Duke pasur këtë parasysh, kjo është një gjuhë që u rekomandohet programerëve dhe zhvilluesve të Androidit ta përvetësojnë në vitin 2020.

Paga mesatare për një zhvillues të gjuhës Kotlin është $120,630 në vit.

Në tabelën në krye të faqes kemi paraqitur më shumë gjuhë, por, për shkak se nuk kemi dashur të zgjerohemi shumë në këtë artikull, nuk i kemi shtjelluar të gjitha dhe kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë, që nëse ju e dini ndonjërën nga këto gjuhë, nuk keni perspektivë. Marrim si shembull gjuhën C, e cila është më e fuqishmja nga të gjitha, mirëpo edhe më e vështira për t’u mësuar – sidomos për fillestarët. Pra, ky artikull më së shumti do t’u hyjë në punë atyre që sapo kanë filluar, apo mendojnë të fillojnë të mësojnë programimin.

Gjithsesi, për t’u bërë një programer i mirë, duhet shumë punë e shumë përkushtim, por që në fund të fundit ia vlen barra qiranë.

 

 


[i] Plug-ins – është një shtesë softuerike e shkruar me ndonjë nga gjuhët e programimit, që më vonë të mund t’i shtohet një programi për të zgjeruar funksionet e tij. P.sh. nëse doni të shihni një video në internet përmes një shfletuesi, duhet të instaloni një plug-ins për këtë.

[ii] Open-source – është publike, pra nuk është prone e ndonjë kompanie. Si rrjedhojë, nuk ka nevojë të blihet apo të paguhet licencë për ta përdorur.

Print

x

Kërko Blog

Më të shikuarat