X
GO

Blogu

Kërko Blog

HISTORIA GOJORE MODERNE HULUMTUESE

HISTORIA GOJORE MODERNE HULUMTUESE

Historia gojore është burim të dhënash që i ka shërbyer gjithherë shkencës së historisë por edhe shkencave tjera, dhe vetë njerëzimit duke ruajtur dhe transmetuar kujtimet, përvojat, traditat, zakonet dhe kulturat e popujve apo grupeve shoqërore në kohë dhe hapësira të ndryshme.

Historia gojore moderne me metodat dhe teknikat e përdorimit të saj ka rolin e ruajtjes, regjistrimit, transkriptimit dhe interpretimit të informacionit historik. Bazuar në përvojat dhe opinionet personale, të ish-pjesëmarrëseve në ngjarje të caktuara, kurse tani në rolin e folësve të intervistuar. Ajo merr formën e dëshmive që dëshmojnë të kaluarën. Por bënë edhe mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit, miteve dhe tregimeve që barten gjatë viteve nga fjala e gojës.

Metodologjia e historisë gojore moderne – bashkëkohore është mënyra më origjinale e ruajtjes së njohurive dhe te të kuptuarit e njerëzve të vjetër. Por nuk do të thotë se përjashton edhe intervistimin e brezave të rinj, të cilët tani janë të angazhuar në fusha të ndryshme, duke fituar dhe krijuar përvojë të re, në aktivitetet e përditshme jetësore si në: aspektin e gjerë social, procesin edukativo-arsimor dhe zhvillimet teknologjiko-shkencore etj. Duke u bërë kreatorë të historisë së tyre individuale, të cilën historia gojore moderne mëton ta regjistrojë dhe ruaj për gjeneratat e ardhshme të shoqërisë njerëzore.

 

HISTORIA GOJORE MODERNE AUDIO-VIDEO REGJISTRIMET

Ky novacion në teknikat e metodologjisë së historisë gojore, ka fillimin e vetë me Alan Nevins nga Universiteti i Kolumbisë – SHBA. Nevins ishte i pari që filloi një përpjekje sistematike dhe të disiplinuar në këtë fushë. Ai themeloi “Columbia Oral History Research Office” (Zyrën e Hulumtimeve të Historisë Gojore Kolumbiane). Qëllimi i misionit ishte regjistrimi, kopjimi, dhe ruajtja e intervistave të historisë gojore.

Në vitin 1948 Nevins filloi duke regjistruar kujtimet e personaliteteve të rëndësishme në jetën amerikane. Ndërsa në Evropë në kontrast me këtë qasje ndaj "njerëzve të mëdhenj", pionieri i historisë gojore në Angli, George (Ewart) Evans, mblodhi kujtimet e jetës dhe të punës në fshatrat Suffolk, ku të mbijetuarit e vjetër ishin “libra që ecnin". Këto u botuan së pari në “Ask the Fellows” me titullin “Who Cut the Hay” 1956. Po ashtu në Skoci historia gojore është zhvilluar shumë, duke u fokusuar kryesisht në kulturën skoceze. Edhe pse me qasjen dhe rrugët e tyre të ndryshme, që të tri këto përpjekje, reflektuan ndryshimet politike dhe shoqërore të periudhës së hershme të pasluftës së Dytë Botërore.

 

FILLET E THEMELIMIT TË SHOQATAVE – SHOQËRIVE TË HISTORISË GOJORE MODERNE

Në vitin 1967, historianët amerikan themeluan Shoqatën e Historisë Gojore, (American Oral History Association) ndërsa historianët britanikë themeluan Shoqërinë e Historisë Gojore në vitin 1969. Po ashtu Shoqata e Historisë Gojore Australiane u formua në vitin 1978 (Oral History Association of Australia – OHAA). Por në vitin 1979 një grup i historianëve të historisë gojore nga mbarë bota u mblodhën në Angli, të cilët shkëmbyen interesat e tyre të përbashkëta. Kurse shumë më vonë me 1996 u takuan në mënyrë formale në Suedi, ku Shoqata Ndërkombëtare e Historisë Gojore kishte botuar revistën dygjuhëshe me titull: Words and Silences/Palabras y Silencios (Fjalët dhe Heshtjet).

Kohëve të fundit historia gojore ka një shtrirje të gjerë, fusha e historisë gojore ka zhvilluar format e saj të veçanta. Tani në botë ka shoqëri dhe shoqata të shumta profesionale të historisë gojore, të organizuara në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar, shumë prej tyre funksionojnë në kuadër të universiteteve, apo instituteve shkencore shumë prestigjioze, të cilat mbajnë seminare, konferenca, publikojnë gazeta, revista, dhe audio/video materiale që subjekt shqyrtimi kanë teorinë e historisë gojore moderne, praktikat dhe metodologjinë e saj në kohën tonë.

 

A MUND TË MBËSHTETEMI NË TË DHËNAT E HISTORISË GOJORE?

Që nga periudhat më të hershme të historisë njerëzore, para fillimit të përdorimit të shkrimit ose thënë më saktësisht para përdorimit të gjerë të tij nga shtresat e gjëra të shoqërisë njerëzore, informacioni për ngjarjet e së kaluarës transmetohej vetëm me anë të tregimeve gojore. Ndërsa në antikitet. historiani grek Herodoti 484 – 425 p.e.r bënte këtë renditje burimesh: Atë që u është thënë, pastaj atë që keni parë, ose keni lexuar si formë të besueshme të dëshmive historike. Po ashtu që nga shek. i VII hadithet (thëniet dhe veprimet) e profetit Muhamed a.s. transmetoheshin në mënyrë gojore dhe shumë të saktë nga shokët e tij tek gjeneratat e reja. Pastaj u zhvillua shkenca e hadithit, e cila njihet nga institucione relevante shkencore botërore për metodologjinë dhe saktësinë e lartë të krahasimit dhe verifikimit të burimeve. Studiuesi më i madh i këtyre burimeve në shekullin e kaluar ishte shqiptari Muhamed Nasirudin Albani (1914 – 1999).

Të gjitha burimet historike shkencore kanë problemet e tyre në metodologjinë e verifikimit, krahasimit dhe saktësisë së fakteve shkencore. Po ashtu edhe historia gojore nuk bënë përjashtim, ajo gjithsesi duhet të jetë subjekt i analizave dhe verifikimit të fakteve shkencore, ashtu siç aplikohet për burimet e tjera historike.

 

CILA ËSHTË VLERA E HISTORISË GOJORE MODERNE?

Historia gojore mund të jetë zëdhënës i individëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore që mund të jenë margjinalizuar nga historia "konvencionale" si: punëtorët, gratë, pakicat etnike apo shtresat e tjera shoqërore. Ajo mund të sigurojë informacione të reja, shpjegime alternative dhe njohuri të ndryshme të cilat mund të përmbajnë vlera të mëdha.

Historia gojore shpesh herë mbetet mënyra e vetme për të mësuar rreth së kaluarës, duke pyetur dikë që di në lidhje me ngjarje të caktuara, me anë të intervistimit të planifikuar. Ndërsa përparësi tjetër e historisë gojore është se fjala e folur mund të përcjellë ndjenjat dhe emocionet e menjëhershme dhe të ketë ndikim më të madh se fjala e shkruar. Po ashtu historia gojore mundëson regjistrimin dhe ruajtjen e dialekteve dhe thekseve lokale, gjë që nuk mund ta bëjë dot plotësisht fjala e shkruar.

Historia gojore është një formë shumë subjektive dhe personale e fakteve – mu kjo është një nga përparësitë e saja të mëdha. Historiani Italian i historisë gojore, Alessandro Portelli, mendon se burimet gojore na tregojnë “jo vetëm atë që njerëzit kanë bërë, por atë që ata dëshironin të bënin, çfarë ata besonin se ishin duke bërë dhe atë që ata tani mendojnë se kanë bërë...” Dëshmitë e historisë gojore zhvillohen, gjenerohen, duke intervistuar protagonistët e ngjarjeve.

Historianët e historisë gojore bëjnë më shumë se vetëm memorizimin e dokumentit, ata nxisin ndriçimin e tij me metodat dhe aplikimin e teknikave të tyre. Në thelb, historia gojore është krijimi – transmetimi bashkëpunues i fakteve historike në tregim. Historia gojore moderne, tashmë është një praktikë e aplikuar dhe e pranuar gjerësisht si një metodë kërkimore, mjet pedagogjik, arkiv, bibliotekë dhe si mjet në shërbim të shoqërisë. Megjithatë, si fushë posaçërisht në aspektin teorik të saj mbetet ende mbrapa, veçanërisht në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, duke përfshirë këtu edhe vendin tonë dhe vendet ish-komuniste, të cilat ende nuk kanë arritur zhvillimin e një tradite të përdorimit të gjerë dhe shfrytëzimit të mjeteve të teknologjisë informative në metodat dhe teknikat hulumtuese shkencore.

Pastaj mungon edhe aplikimi i praktikave më të mira. Por, duke marrë në konsideratë zhvillimin e teknologjisë digjitale informative bashkëkohore, çdo ditë e më shumë po hapen mundësi dhe perspektiva të reja për të gjithë, e edhe sfida të përshtatjes dhe hapërimit me këto zhvillime.

 

Prof. MSc. Shemsi Osmani

 

 

Print
Kategoria: Blog, Histori
Vlerëso artikullin:
4.9

x

Kërko Blog

Më të shikuarat