X
GO

Blogu

Kërko Blog

MICROSOFT RRITË PRODUKTIVITETIN ME 4 DITË PUNE NË JAVË

  • 18 nëntor 2019
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 309
  • 0 Komentet
MICROSOFT RRITË PRODUKTIVITETIN ME 4 DITË PUNE NË JAVË

Të gjithë janë të fiksuar pas produktivitetit. Disa synojnë të arrijnë këtë duke i shtyrë të punësuarit të punojnë jashtë orarit të punës, apo të punojnë nga 6 ditë në javë, duke ua kufizuar pauzat gjatë punës e shumë shtrëngime të tjera.

Duke pasur parasysh rritjen e popullaritetit të shfrytëzimit të aplikacioneve që përdoren për biseda pune siç është aplikacioni Slack, lehtësirat e qasjes në e-mailin e kompanisë në 24 orë brenda ditës gjatë gjithë javës, si dhe punën nga shtëpia, shkëputja nga puna po bëhet gjithnjë e më e pa-vërejtur.

Në të njëjtën kohë, për shkak të kësaj mos shkëputje nga puna vërehet rritja e ndjenjës së rraskapitjes tek të punësuarit. Në një studim të publikuar vitin e shkuar nga Gallup të rreth 75,000 të punësuarve, shihet se 23% e tyre, shumë shpesh ndihen të rraskapitur nga puna, ndërsa 44% ndihen të rraskapitur nganjëherë.

Një numër kompanishë është në kërkim të gjetjes së një mënyre të luftimit të kësaj dukurie, duke provuar të përmirësojnë balancën mes jetës dhe punës – shumica syresh duke e bërë orarin e punës nga 5 në 4 ditë pune në javë.

Microsoft kishte vendosur që këtë eksperiment ta bënte gjatë muajit Gusht të këtij viti (2019), duke u thënë të punësuarve të punojnë vetëm katër ditë në javë, nga e hëna deri të enjten, duke e bërë pushim ditën e premte. Këtë e kishin aplikuar për të gjithë 2,300 të punësuar në zyrat e tyre në Japoni, aty ku zakonisht punohet me orar të zgjatur – gati 25% të kompanive në Japoni u kërkojnë të punësuarve të punojnë deri në 80 orë shtesë në muaj dhe këtë pa pagesë.

Kjo nuk është hera parë që eksperimentohet me shkurtimin e orarit të punës. Në fakt, një kompani nga Zelanda e re, Perpetual Garden, e kishte bërë këtë që nga viti i kaluar. Të punësuarit aty duhet të punonin 4 ditë apo së paku 30 orë në javë me pagë të njëjtë, por u kërkohej të bënin punë me sasi të njëjtë si më parë. Pas këtij eksperimenti, kompania kishte zbuluar që angazhimi i ekipeve ishte rritur, balanca punë-jetë ishte përmirësuar dhe niveli i stresit kishte rënie.

Duke parë përfitime nga kjo, themeluesi i saj, Andrew Barns, e kishte vendosur këtë si orar të përhershëm.

Studimet tregojnë që shkurtimi i orarit të punës në katër ditë pune në javë sjellë përfitime për bizneset. Vitin e kaluar, në një studim të kryer nga Instituti i punës në Kronos dhe Future Workplace të rreth 3,000 të punësuarve në tetë shtete të ndryshme[i], shumica kishin thënë që orari ideal do të ishte 4 ditë ose më pak në javë.

15% e 60,000 kompanive në SHBA të cilat morën pjesë në anketën e Shoqërisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, e cila është kryer në Prill të këtij viti, deklarojnë që ofrojnë opsionin e punës për 4 ditë me gjithsej 32 orë në javë. Në vitin e kaluar ishin 12% të kompanive që ofronin këtë mundësi, ndërsa në vitin 2017 ishin 13%. Për më tepër, sipas studimit, nga të gjitha kompanitë që e kishin zbatuar këtë orar pune, nuk ka raportime për zvogëlim të produktivitetit apo të të ardhurave vjetore për kompanitë.

Microsoft, me eksperimentin e muajit Gusht, e dëshmon pikërisht këtë. Ata kishin mbyllur zyrat e tyre në Japoni ditën e Premte gjatë gjithë muajit Gusht dhe kishin zbuluar që produktiviteti i të punësuarve ishte rritur për 39.9% krahasuar me muajin e njëjtë të një viti më parë. Përveç kësaj, ata me këtë rast kishin kursyer energji elektrike duke shpenzuar 23% më pak, letra të shtypura kishte 59% më pak, të punësuarit kishin marrë 25% më pak pushime gjatë orarit të punës dhe shumica e të punësuarve – 92% e tyre – kishin deklaruar që ishin të kënaqur me këtë ndryshim.

Në përgjithësi, shkurtimi i javës së punës kishte sjellë mbledhje më efikase – mbledhje këto që ishin shkurtuar nga një orë në 30 minuta, punëtorët ishin më të kënaqur dhe në mënyrë të habitshme kishin shtuar produktivitetin për 40%, ka konkluduar kompania pas eksperimentit.

Një eksperiment i ngjashëm është paralajmëruar nga kompania që të mbahet edhe gjatë dimrit.

Ky ishte një eksperiment i kryer nga Microsoft dhe nuk dihet nëse këtë do ta implementojë edhe në zyrat e tij në vende të tjera.!?

 

 

[i] SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Francë, Gjermani, Kanada, Australi, Indi dhe Meksikë

Print

x

Kërko Blog

Më të shikuarat