X
GO

Blogu

Kërko Blog

PUBLIKOHET GOOGLE CHROME 70 – përkrahë ueb-aplikacionet progresive dhe hiqet kyçja e diskutueshme automatike

  • 20 tetor 2018
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 1764
  • 0 Komentet
PUBLIKOHET GOOGLE CHROME 70 – përkrahë ueb-aplikacionet progresive dhe hiqet kyçja e diskutueshme automatike

Para disa ditësh Google ka publikuar versionin më të ri të Google Chrome (versioni 70.0) për Windows, Mac dhe Linux. Ky përditësim vjen pas diskutimesh të shumta që ka nxitur versioni paraprak, sidomos me opsionin e kyçjes automatike – në të cilin version, shfletuesi Google Chrome i kyçte shfrytëzuesit në shfletues pa lejen e tyre sapo ata të hapnin llogarinë e tyre në njërin nga shërbimet si Gmail apo youtube. Këtë ne e kemi shpjeguar në një video të cilin mund ta gjeni në kanalin tonë në youtube.

Kjo është konsideruar si shkelje e privatësisë së shfrytëzueseve të cilët preferojnë që të dhënat e tyre personale të mos dalin nga kompjuteri i tyre, pasi që me kyçjen e tyre në shfletues të dhënat të cilat ruhen përmes cookie-ve sinkronizohen me kompaninë Google – duke përfshirë të dhënat që ruhen në “bookmark” dhe fjalëkalimet.

Zyrtarët e kompanisë Google deklarojnë që do të ofrojnë opsionin për të çaktivizuar hyrjen automatike në Chrome 70, mirëpo nuk lëvizin nga qëndrimi që sinkronizimi duhet të jetë i aktivizuar si opsion fillestar.

Përditësimi i Chrome-it do të bëhet në prapavijë, kështu që shfrytëzuesi do të duhet vetëm të ri-startoj shfletuesin. Mirëpo nëse dëshironi ta inicioni përditësimin manualisht, hapeni menynë duke klikuar mbi tri pikat vertikale në anën e djathtë në krye të shfletuesit, kaloni poshtë tek menyja “Help” dhe klikoni mbi menynë “About Google Chrome”. Përditësimi do të  filloi automatikisht – nëse nuk është përditësuar tashmë – ku më pas ju duhet ta ri-startoni shfletuesin tuaj Chrome duke klikuar mbi butonin “Relaunch”.

Në rast se dëshironi të çaktivizoni opsionin e kyçjes automatike në shfletues (Google Chrome) në kompjuterin tuaj, hapeni menynë “Settings” në Chrome dhe klikoni mbi “Advanced”, pastaj e çaktivizoni opsionin “Allow Chrome sign-in” i cili ndodhet nën “Privacy and security” dhe e ri-startoni aplikacionin Google Chrome.

Pas kësaj ju mund të kyçeni me llogarinë tuaj si më parë në cilindo nga shërbimet e Google, si Gmail apo youtube, pa pasur frikë që do të kyçeni edhe në Google Chrome.

Përveç kësaj, me këtë përditësim janë përmirësuar edhe 23 defekte të sigurisë për të cilat Google ka paguar $22,000 në shpërblime për hulumtuesit e sigurisë të cilët i kishin raportuar ato.

Ky version, përveç kyçjes automatike, tani ofron edhe përkrahjen për aplikacionet progresive (PWA – Progressive Web App) në Chrome për kompjuterët me Windows.

PWA janë ueb-aplikacione të cilat të japin përshtypjen sikur janë aplikacione të instaluara në Windows. Të tilla janë aplikacionet si Spotify, Facebook, twitter, youtube etj.

Këto aplikacione, në vend që të ekzekutohen nga Google Chrome si një ueb-adresë, ato ekzekutohen nga sistemi operativ Windows dhe ekzekutohen si çdo aplikacion tjetër i Windows-it duke përfshirë edhe instalimin e tij në menynë Start.

Tani për tani kjo ofrohet vetëm për versionin për Windows, kurse për sistemet e tjera operative – Linux dhe macOS – pritet të ofrohet me versionin 72 i cili pritet të dal kah mesi i Janarit.

Risi tjetër e këtij versioni është përkrahja e një “codec”-u të ri për video – AV1 i cili pritet të zëvendësoj VP9 duke ofruar ngjeshje (compression) edhe më të mirë.

Faqet të cilat nuk përdorin https do të shënohen në Google Chrome me një shenjë për të treguar që ajo faqe nuk përdorë këtë protokoll. Kjo është edhe një përpjekje e Google që t’i detyroi pronarët e faqeve në ueb të përdorin protokollin https.

Këto janë vetëm disa nga përmirësimet që kanë dalë me këtë version të Google Chrome.

 

Print
Kategoria: Blog, Teknologji
Etiketimet: google Chrome
Vlerëso artikullin:
5.0

x

Kërko Blog

Më të shikuarat