X
GO

Blogu

Kërko Blog

Rritja ekonomike kundrejt zhvillimit ekonomik

  • 28 tetor 2018
  • Autori: A Selimi
  • Numri i shikimeve: 655
  • 0 Komentet
Rritja ekonomike kundrejt zhvillimit ekonomik

Bruto Produkti Vendor (BPV) është një term që ekonomistët e përdorin shpesh kur krahasojnë gjendjen e ekonomisë së një shteti me ekonominë e një shteti tjetër apo edhe ekonominë e një shteti të vetëm në periudha të ndryshme. BPV, që njihet ndryshe edhe si GDP (nga anglisht Gross Domestic Product), e matë vlerën e mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar dhe shitur në treg brenda një periudhe të caktuar, zakonisht brenda një viti.

Për të llogaritur BPV marren për bazë katër elemente e ato janë:

  • Konsumi – shpenzimet që i kanë bërë qytetarët;
  • Investimet – shpenzimet që i kanë bërë firmat;
  • Shpenzimet qeveritare – çdo shpenzim që e ka bërë qeveria (paga, mallra, investime etj); dhe
  • Eksporti neto – mallrat që janë importuar minus mallrat që janë eksportuar.

BPV e Kosovës në vitin 2017 ishte mbi 6,4 miliardë Euro që në krahasim me vitin 2016 ishte rritur për 4.23%. Kur kjo vlerë pjesëtohet me 1,8 milion banorë të Kosovës na jep BPV për kokë banori, e cila për vitin 2017 ishte 3 566€. Kjo do të thotë se çdo banorë i Kosovës mesatarisht brenda vitit ka blerë mallra dhe shërbime në vlerë prej 3,566€ ose që secili ka harxhuar afër 300 euro në muaj. Nëse e pjesëtojmë më tutje për 365 ditë i bie që mesatarisht secili banorë i Kosovës i ka harxhuar 9.8€ në ditë.

Dikush mund të interpretojë këtë si zhvillim ekonomik, d.m.th. që qytetarëve të Kosovës iu është përmirësuar mirëqenia sepse ka rritje prej 4.2%. Mirëpo zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike janë dy koncepte që kanë dallim prej njëra tjetrës. Për të sqaruar këtë dallim më poshtë po paraqesim se si është rritur BPV prej vitit 2012 deri në vitin 2016 dhe do ta krahasojmë me rritjen e pagave të punëtoreve të sektorit privat. Këto janë të dhëna zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Tabela dhe grafiku për BPV tregojnë se BPV është rritur vit pas viti me së paku 3% e më së shumti me 7.5%. Ndërsa po sipas ASK paga mesatare në Kosovë në sektorin privat prej vitit 2012 deri në vitin 2016 ka qenë rreth 333€.

Grafiku dhe tabela në vijim tregojnë se për katër vite paga mesatare është rritur vetëm 1%, ka pasur edhe zbritje prej 2% në vitin 2014. Kur kjo e dhënë vihet kundrejt të dhënave për rritjen ekonomike konstatojmë se megjithatë, mirëqenia e qytetarëve të Kosovës nuk është përmirësuar. Rritja në këtë rast i referohet vetëm rritjes së vlerës së mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar brenda vitit.

Zhvillimi ekonomik, për dallim prej rritjes ekonomike, përkufizohet si proces i rritjes së volumit të prodhimit por merr parasysh edhe përmirësimin e teknologjisë, përmirësimin e standardit të jetesës, ndryshimeve institucionale etj. Shkurt, është progresi në strukturën socio-ekonomike të vendit.

Indeksi i Zhvillimit Njerëzor është matësi më i mirë i mirëqenies së qytetarëve. Ky e merr parasysh zhvillimin e përgjithshëm në ekonomi sa i përket kushteve e jetesës, shëndetësisë, arsimit, krijimit të mundësive, të ardhurave për kokë banori, zhvillimit të infrastrukturës dhe shumë të tjera. 

 

Print
Kategoria: Blog, Ekonomi
Vlerëso artikullin:
4.8

x

Kërko Blog

Më të shikuarat