X
GO

Blogu

Kërko Blog

SI KOMUNIKOJNË PAJISJET NË NJË RRJETË?

  • 30 tetor 2018
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 675
  • 0 Komentet
SI KOMUNIKOJNË PAJISJET NË NJË RRJETË?

Në vitet e 60-a (1960), janë zhvilluar sistemet e para që kanë bërë të  mundur bartjen e informata në formën e paketave brenda një rrjete të izoluar. ARPANET njihet si fillimi i asaj që sot njihet si teknologjia “packet switchin” dhe si para-ardhëse e Internetit. Në këtë kohë, shumë kompani kishin zhvilluar protokollet dhe teknologjitë e tyre private. Përdorimi i protokolleve të ndryshme të komunikimit dhe mungesa e një standardi të përbashkët, kishte bërë të pamundur komunikimin në mes të rrjetave të kompanive të ndryshme. Duke e parë këtë, ISO në bashkëveprim me ITU-T, kishin krijuar (1984) një model dhe e kishin quajtur atë OSI (Open Systems Interconnection) Reference Model.

Modeli OSI është krijuar si nevojë e krijimit të një standardi për kompanitë të cilat merreshin me zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve harduerike dhe protokolleve për komunikim në rrjeta, në mënyrë që ato të mund të komunikonin me njëra-tjetrën. Modeli është zhvilluar në 7 shtresa (Layers) të cilat bashkëveprojnë dhe janë të pavarura nga njëra-tjetra. Bashkëveprimi ka të bëjë me atë që secila shtresë (layer) i shërben shtresës e cila është më lartë. Fakti që ato janë të pavarura, ka ndikuar në zhvillimin e hovshëm të teknologjisë duke qenë se një pajisje apo protokoll i një shtrese zhvillohej pavarësisht nga zhvillimi ose jo i teknologjisë apo protokollit në shtresat mbi apo nën të.

Komunikimi nga një pikë në tjetrën zhvillohet duke kaluar nga një shtresë në tjetrën nga lartë poshtë dhe anasjelltas duke kaluar nëpër të gjitha shtresat.

Kalimi i të dhënave nga një shtresë në tjetrën nga lartë – poshtë, njihet si Enkapsulim (Encapsulation) që ka kuptimin e paketimit të informatave ku në secilën shtresë i shtohet një numër i informatave që ka të bëjë me atë shtresë derisa të mbërrij në Physical layer ku do të shndërrohet në impulse elektrike, në impulse drite apo në mikrovalë, varësisht nga mediumi të cilin do ta shfrytëzoj për rrugëtim deri në destinacion. Në anën tjetër, këto sinjale gjatë dekapsulimit do të shndërrohen në:

  • Frames (layer 2 – Data-link), pastaj në
  • Packets (layer 3 – Network), pastaj në
  • Segments (layer 4 - Transport) kontrollohet për ndonjë gabim gjatë transmetimit,
  • Sesionet (layer 5 – Session) menaxhimi i sesioneve,
  • Prezantimi (layer 6 – Presentation), të dhënat përgatiten për t’u paraqitur, mësohet çfarë aplikacioni duhet të hapet, nëse të dhënat janë të enkriptuara apo jo etj.,
  • në fund (layer 7 – Application) hapet aplikacioni i duhur për leximin e dokumentit.

OSI modeli në praktikë nuk gjen përdorim, por përdoret akoma në institucionet akademike/edukative që të shpjegohet më lehtë procesi i komunikimit. Sot, protokolli më i popullarizuar është protokolli TCP/IP, krahas protokolleve të tjera si IPX/SPX, Novel NetWare etj.

TCP/IP është i ngjashëm me OSI modelin, vetëm se i ka katër shtresa (layers) në vend të 7 sa i ka OSI. TCP/IP modeli i ka të inkorporuar tre shtresat e para të OSI-t në një dhe e quan atë Application Layer, pastaj ka Transport Layer, Internet Layer që është ekuivalent me Network Layer të OSI-t dhe Network Access Layer që i inkorporon dy shtresat e fundit të OSI modelit.

Kjo është teknologjia, e cila duke qëndruar në prapavijë, na mundëson komunikimin në Internet.

Nëse doni të shtoni diçka në lidhje me këtë temë, leni koment në facebook, LinkedIn apo në twitter.

(Lexoni në vazhdim: Si të bëni të sigurt komunikimin në një rrjetë)

Print
Kategoria: Blog, Teknologji
Vlerëso artikullin:
5.0

x

Kërko Blog

Më të shikuarat