X
GO

Blogu

Kërko Blog

STRUKTURA ORGANIZATIVE E KORPORATAVE

  • 9 gusht 2018
  • Autori: A Selimi
  • Numri i shikimeve: 1076
  • 0 Komentet
STRUKTURA ORGANIZATIVE E KORPORATAVE

Përderisa bizneset e vogla kanë strukturë të thjeshtë, ku një person mund të kryej më shumë se një funksion, në korporata struktura është komplekse dhe përbëhet nga divizione e departamente në krye të së cilave janë njerëzit që menaxhojnë, marrin vendime dhe ekzekutojnë plane.

Pozita më e lartë në korporatë është ajo e Krye Shefit Ekzekutiv (Chief Executive Officer shkurt CEO). Personi që e nxë këtë pozitë është përgjegjës për strategjinë e korporatës dhe për t’i drejtuar njerëzit drejt arritjes së objektivave strategjike. Pra çdo funksion i korporatës duke filluar nga politikat e korporatës, financimi, burimet njerëzore, operacionet, marketingu etj. është përgjegjësi e KSE-së. Normalisht këto funksione ai nuk mund t’i kryej i vetëm prandaj i delegon ato tek vartësit e tij të cilët kanë specializuar në këto funksione.

KSE i raporton (jep llogari) Bordit të aksionarëve, një grup njerëzish të zgjedhur nga pronarët (aksionarët) e korporatës, i cili kujdeset që interesat e aksionarëve të përfaqësohen si duhet.

KSE i delegon detyrat tek pozitat e mëposhtme dhe ato i raportojnë sipas kërkesës së tij:

Krye Shefi Financiar (Cheif Financial Officer ose CFO) është llogaritari (kontabilisti) i korporatës. Ai është përgjegjës për të gjitha aspektet financiare të korporatës. Harton buxhetin, planin e të hyrave dhe shpenzimeve dhe përcjellë si po implementohet, duke i raportuar në baza periodike (mujore, tre mujore, vjetore) Krye Shefit Ekzekutiv.

Krye Shefi i Operacioneve (Cheif Operations Officer COO) është personi përgjegjës për udhëheqjen e operacioneve ditore të korporatës në pajtim me planin operativ i cili buron nga Strategjia.

Krye Shefi i Teknologjisë dhe Informacionit (Chief Technology and Informations Officer CTIO) është personi përgjegjës për të siguruar informata lidhur me të gjitha transaksionet e korporatës të cilat i përmbledh në raporte dhe ua prezanton personave që kanë interes për to.

Krye Shefi i Marketingut është personi që ka për detyrë të hartojë strategjinë e marketingut dhe ta implementojë atë pasi të jetë miratuar nga KSE.

Këto pozita përveç që kanë për detyrë t’i raportojnë KSE-së mund të raportojnë direkt tek bordi i aksionarëve, megjithatë merita dhe përgjegjësia lidhur me suksesin gjegjësisht dështimin e korporatës i mbetet KSE-së.

Mediat kanë raportuar me dhjetëra raste kur KSE vetëm ose së bashku me KSF kanë bërë mashtrim “me letra” duke keq-deklaruar pasqyrat financiare, pra i kanë prezantuar autoriteteve dhe publikut pozitë financiare të korporatës e cila nuk përputhej me realitetin. Një rast i tillë është rasti i kompanisë amerikane Worldcom e cila në vitin 2002 u zbulua se kishte kryer një mashtrim duke i raportuar shpenzimet operative ditore, në vlerë prej 7 miliardë dollarësh, si investime kapitale dhe kështu duke deklaruar më shumë të hyra dhe fitim. Këtë mashtrim nuk e kishte zbuluar (me ose pa qëllim) as firma që i kishte audituar (Arthur Andersen) pasqyrat financiare të Worldcom.

Si rezultat investuesit, që kishin paguar deri në 64,5$ për aksion, dhe huadhënësit që kishin dhënë hua 30 miliardë dollarë Worldcom-it, i humbën paratë e tyre. KSE dhe KSF i Worldcom u arrestuan ndërsa firma e auditimit Arthur Andersen falimentoi.

Si pasojë e këtij rasti dhe rasteve të ngjashme, tani me standarde ndërkombëtare të raportimit financiar, KSE dhe KSF janë të obliguar të nënshkruajnë pasqyrat financiare me çka ata vërtetojnë se pasqyrat financiare paraqesin drejtë gjendjen e korporatës dhe nuk përmbajnë keq deklarime.  

Prandaj njerëzit në pozitat e KSE dhe KSF sado që të jenë të privilegjuar dhe sado që këto pozita të jenë atraktive dhe të dëshirueshme, ato ngërthejnë edhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Prandaj njerëzit që aplikojnë për këto pozita duhet të kenë kualifikim superior dhe përvojë të gjatë në menaxhim dhe financa. Përndryshe dështimi është i garantuar.

 

Print

x

Kërko Blog

Më të shikuarat