X
GO

Kurset

Kërko Kurse

ADOLESHENTI NGA MELBURNI I CILI E HAKOI RRJETIN E APPLE, I SHMANGET BURGIMIT

ADOLESHENTI NGA MELBURNI I CILI E HAKOI RRJETIN E APPLE, I SHMANGET BURGIMIT

Edhe pse kishte depërtuar në brendi të rrjetit të kompanisë Apple dhe kishte shkarkuar më se 90 GB të dhëna sekrete nga kjo kompani, adoleshenti nga Melburni i Australisë – i cili do të fillonte vuajtjen e dënimit me 20 shator të këtij viti – nuk do të futet në burg.

Në vend të burgimit, nga një gjykatë Australiane për fëmijë, atij i është caktuar masa e dënimit: lirim me kusht (që ai nuk do të kryej një vepër të ngjashme) për tetë muaj.

Gjykatësi i rastit bën të ditur se ky dënim nuk do t’i regjistrohet atij në dosje. Babai i tij nuk mund t’i përmbante lotët derisa gjykata e shpallte vendimin, megjithatë gjykatësi ia bën me dije adoleshentit se sa serioze ishte vepra që kishte bërë.

 

Adoleshenti deklaroi në gjykatë, të Enjten, se e kishte hakuar rrjetin e kompanisë pasi ai ishte një adhurues i flaktë i Apple dhe se shpresonte që një ditë të punoj për ta.

 

Hakimi kishte ndodhur në dy periudha, mes muajve Qershor 2015 dhe Nëntor 2016, dhe në Prill të 2017-tës.

 

The Age shkruan se ishte thyer siguria e të dhënave të shfrytëzuesve, derisa adoleshenti kishte arritur të shtie në dorë “çelësat e autorizimeve” – kredencialet e shfrytëzuesve.

 

Apple nga ana tjetër, e mohon këtë duke thënë që të dhënat e shfrytëzuesve nuk janë prekur dhe se nuk ka vend për shqetësim.

 

Tani hakeri (emri i të cilit nuk bëhet i ditur) është 19 vjeçar dhe ka filluar të studioj për Kriminalistikë dhe siguri kibernetike.

 

The Guardian shkruan, se Dr Suelette Dreyfus, eksperte e privatësisë nga Universiteti i Melburnit, ishte kundër një vendimi ndëshkues.

 

“Kam hulumtuar një numër të rasteve të hakimit nga adoleshentët. Gati të gjithë këta adoleshentë janë rritur duke i shtyrë kufijtë e teknologjisë - gjatë rinisë së tyre, e më vonë vazhduan të jetojnë një jetë të dobishme dhe i kontribuuan shoqërisë. Futja e tyre në burg, është jo më pak se humbje e potencialit të tyre”.

 

“Të rinjtë shpesh bëjnë gabime dhe e shkelin ligjin derisa hulumtojnë, e sidomos online – duke përfshirë edhe vetëlavdërimin për thyerjet e sigurisë që i bëjnë. Kjo nuk është e drejtë, mirëpo për adoleshentët e teknologjisë, kjo mund të jetë pjesë e zhvillimit të tyre...”

 

Por, si kishte arritur adoleshenti kaq larg sa të thyej një ndër rrjetat më të sigurta në botë?

 

Sipas Bloomberg, adoleshenti kishte arritur të shfrytëzoi një rrjetë private virtuale (VPN) të cilën e shfrytëzonin personat e autorizuar të kompanisë Apple, dhe përmes saj ishte futur brenda rrjetit të brendshëm të kompanisë. Pastaj, me ndihmën e një adoleshenti tjetër, ai kishte futur në sistem një skriptë përmes së cilës kishte krijuar një tunel të sigurt SSH (Secure Shell) – një metodë përmes së cilës mund t’i qasemi një sistemi të brendshëm duke kaluar murin mbrojtës (firewall) – duke u mundësuar atyre nxjerrjen më të lehtë te të dhënave. Gjatë këtyre sulmeve kibernetike, adoleshenti kishte arritur të marr edhe politikat e brendshme të sigurisë, e po ashtu edhe çelësat e autorizimeve.

 

Prokurori thotë që hetimet për këtë rast do të vazhdojnë dhe se mund të ketë edhe të arrestuar të tjerë, duke përfshirë edhe adoleshentin që i kishte ndihmuar në këtë vepër.

 

Nëse keni diçka për të thënë në lidhje me këtë temë, komentoni në facebook, e po ashtu ndihuni të lirë të ndani (share) këtë artikull me të tjerët.

 

Print
737 Vlerëso artikullin:
5.0
Milingona.al
Kategoria: Lajme

x