X
GO

Blogu

Kërko Blog

5 alternativa më të mira se WhatsApp

  • 8 shtator 2021
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 346
  • 0 Komentet
5 alternativa më të mira se WhatsApp

WhatsApp pa dyshim që është aplikacioni më i preferuar në botë për mesazhe, me mbi 1 miliard përdorues në 180 vende të ndryshme të botës.

Shikuar nga aspekti i sigurisë dhe i privatësisë, WhatsApp përdorë enkriptim dhe shquhej për ruajtjen e privatësisë së shfrytëzuesve.

Kjo derisa nuk e bleu Facebook në vitin 2014, ku dhe filluan të shfaqen shqetësimet e ekspertëve të privatësisë, kur dihet se në të kaluarën Facebook kishte disa thyerje të sigurisë, duke rezultuar në rrjedhjen e informatave private të disa mijëra shfrytëzuesve. Megjithëkëtë, në WhatsApp insistojnë që janë një aplikacion tjetër, kështu që dallonin nga Facebook, dhe se janë të dedikuar që të krijojnë një shërbim të mesazheve duke u kujdesur për sigurinë dhe privatësinë e shfrytëzuesve.

Në fund të fundit, shqetësimet e ekspertëve të sigurisë dolën të jenë të sakta. Facebook në Tetorin e vitit 2020 kishte integruar platformat që i kishte në pronësi, ashtu që nga njëra platformë të mund të dërgoni mesazhe në platformën tjetër. Ky integrim përfshinë aplikacionet WhatsApp, “Facebook Messenger”, dhe opsionin “Chat” të Instagram-it në një “back-end[i] të përbashkët, duke mbajtur kështu të ndara të tri aplikacionet në anën e shfrytëzuesit – “front-end”. Në Facebook thonë që kanë zbatuar enkriptimin “end-to-end në mes të tri platformave. Kjo, teorikisht, komunikimin përmes mesengerit të Facebook-ut dhe Instagramit i bën të sigurta sikur që është ai i WhatsApp-it. Megjithëkëtë, kjo mund të bëjë edhe të kundërtën – që WhatsApp të bëhet më i pasigurt – ashtu siç janë dy të fundit.

Edhe pse WhatsApp përdorë enkriptimin skaj-më-skaj, bashkimi i tij me familjen e Facebook-ut lë zbrazëtira të sigurisë, ashtu siç thuhet në kushtet e përdorimit: “si pjesë e familjes së Facebook-ut, WhatsApp pranon dhe ndanë informata me kompanitë e tjera të së njëjtës familje. Ne mund të përdorim informatat e pranuara nga ata, dhe ata mund të përdorin informatat që ne i ndajmë me ta...”. “Përveç kësaj, të dhënat e ruajtura në serverët e tyre mund t’u dorëzohen organeve qeveritare në rast të një ngjarje ‘jo normale’.”

Duke u nisur nga kjo, nuk na mbetet tjetër vetëm se të shikojmë për alternativa të tjera, me ç'rast në vijim mund të lexoni në lidhje me 5 alternativa të aplikacionit WhatsApp, të cilat nuk rrezikojnë privatësinë tuaj.

 

Kur ne shfrytëzojmë shërbimet e një kompanie për thirrje dhe biseda me zë apo me video, apo kur komunikojmë me tekst, kompania që na e ofron shërbimin i ruan disa të dhëna, që ne i njohim si “metadata”, përmes të cilave ata krijojnë profilin tonë dhe regjistrojnë çdo gjë përveç bisedës tonë.
P.sh. nëse ne bëjmë një thirrje me zë përmes WhatsApp apo Viber apo tjetër, ata regjistrojnë që ne e kemi thirrur palën tjetër, datën dhe kohën e thirrjes, nëse ka qenë thirrje me zë apo edhe me video, sa kohë ka zgjatur thirrja, (mundësisht) lokacionin nga ku është bërë thirrja e gjëra të ngjashme. Pra ata ruajnë çdo gjë përveç bisedës. Dhe, edhe nëse bisedën tonë e enkriptojnë – për të ruajtur privatësinë e bisedës – të dhënat “metadata” ruhen të dekriptuara në serverët e tyre. Dikush mund të mendoj që kjo nuk është gjë shqetësuese. Mirëpo, duhet kujtuar që këto janë biznese dhe shërbimet të cilat na ofrohen janë me pagesë. Nëse ne nuk i paguajmë ato me para, do të thotë që i paguajmë me të dhënat tona.

Signal në anën tjetër, është ndër aplikacionet e rralla që nuk i ruan këto të dhëna (metadata) – e as bisedat – në serverët e tyre duke e respektuar kështu plotësisht privatësinë e shfrytëzuesve të vet. Pos tjerash Signal është mjaft i lehtë për tu instaluar dhe për tu përdorur, si dhe punon në platformat mobile Android, dhe iOS, në kompjuterët Mac, Linux, dhe Windows, njëkohësisht duke ofruar të gjitha opsionet që ofrojnë aplikacionet e tjera si WhatsApp, Viber, Facebook Messenger, etj. duke përfshirë bisedat në grup, fshirjen automatike të mesazheve pas një kohe të paracaktuar – për më shumë privatësi, etj.

Signal është bërë nga “Signal Foundation” – një organ i pavarur dhe jo-fitimprurës – përdorimi i të cilit rekomandohet nga ekspertët e sigurisë dhe të privatësisë. Signal nuk ruan asnjë të dhënë në lidhje me shfrytëzuesit e vet – përveç numrit të telefonit që e jepni me rastin e regjistrimit në platformë – dhe të gjitha këto, duke përfshirë bisedat, janë të enkriptuara përmes protokollit Signal, i cili është “open-source” që do të thotë që ekspertë të sigurisë mund të shohin për ndonjë gabim duke e bërë aplikacionin gjithnjë e më të sigurt.

 

Threema ofron enkriptim për të gjitha llojet e mesazheve, qoftë ato me tekst, thirrje me zë, biseda në grup, apo edhe nëse ndani kartoteka, madje edhe statuset tuaja.

Për të respektuar privatësinë tuaj, Threema nuk ruan kontaktet tuaja të cilat ruhen vetëm në celularin tuaj, si dhe mesazhet fshihen menjëherë posa t’i pranoni. Po ashtu ju mund të lidheni me njerëzit tuaj përmes ID-së 8 shifrore të Threema-s në vend të numrit të celularit, si dhe të verifikoni kontaktet përmes kodit QR[ii].

Përveç që ofron shumicën e opsioneve të WhatsApp, Threema ofron edhe sondazhe (votim) dhe mundësinë që të pëlqeni mesazhet individuale. Ju madje mund të fshihni biseda të caktuara apo edhe t’i mbroni ato me fjalëkalim.

Threema është një aplikacion me pagesë, me bazë në Zvicër e cila është e njohur për ligjet e saja pro-privatësisë.

 

Telegram është një aplikacion me bazë në “cloud” e cila funksionon në disa platforma dhe si e tillë është një alternativë mjaftë e mirë e WhatsApp-it. Bisedat me zë janë të enkriptuara si parazgjedhje, mirëpo mesazhet me tekst nuk enkripton përveç nëse zgjidhni të përdorni opsionin e bisedës sekrete (secret chat). Për enkriptim të mesazheve përdorë një standard të vetin i cili është mjaft i kritikuar.

Edhe pse Telegram ofron enkriptim për bisedat individuale dhe për ato në grup, ato biseda ruhen në “cloud”, që do të thotë se ato ruhen në serverët e kompanisë. Kjo është një dobësi, pasi ne si shfrytëzues nuk e dimë nëse bisedat tona do të deshifrohen apo do t’i dorëzohen dikujt jashtë kompanisë Telegram.

 

Wire është një aplikacion i sigurt i mesazheve të enkriptuara – e cila mbrohet nga ligjet evropiane për ruajtjen e të dhënave – ku ju mund të regjistroni falas një llogari personale apo një llogari për biznes me pagesë, e cila ofron opsione shtesë dhe përkrahje.

Përveç tjerash, Wire ofron ndarje të ekranit (screen sharing) një-me-një apo në grup, ndarje të kartotekave dhe filtrim të kartotekave audio. Mund ta instaloni në shumicën e platformave të njohura dhe mund të kyçeni deri në 8 pajisje njëkohësisht të cilat do të sinkronizohen me njëra-tjetrën. Mund të formatoni tekstin gjatë bisedave në “Bold” dhe “Italic” dhe të bëni lista. Po ashtu mund të optimizoni madhësinë e kartotekave për ndarje më të lehtë dhe mund të vendosni kohëmatës për fshirjen automatike të mesazheve për më tepër privatësi.

 

Element (i njohur më parë si Riot.IM) është një aplikacion “open-source” i cili përkrahë VoIP dhe video thirrjet, si dhe ofron enkriptim nga skaji në skaj për mesazhet[iii]. Çdo përdorues merr një ID unike e cila përdoret në vend të numrit të telefonit, duke mbrojtur kështu anonimitetin tuaj.

Element ka dhoma bisedash, dhe përdoruesit mund të vizitojnë çdo dhomë publike të bisedave. Gjithashtu ofron dhoma private që mund t'i vizitoni vetëm duke klikuar një “link”.

Për më tepër, aplikacioni i desktop-it ka një ndërfaqe të pastër dhe të thjeshtë, si dhe u lejon të lidheni me aplikacione të tjera.

 

Nëse doni që mesazhet tuaja private të mbesin vërtetë private, ju duhet të mendoni të hiqni dorë nga përdorimi i aplikacionit WhatsApp dhe të gjeni një alternativë tjetër nga ato që i kemi përmendur më lartë.

Aplikacionet e sugjeruara në këtë artikull janë të mirënjohura në mbarë botën për enkriptimin e tyre të fortë të mesazheve, për mos ruajtjen e të dhënave tuaja private në serverët e tyre, dhe për ofrim të shërbimeve ekuivalente – në disa raste edhe më të mira se aplikacioni WhatsApp.

 

 

 

[i] Back-end është programi në anën e serverit, të cilën nuk e sheh shfrytëzuesi, por i cili e mundëson funksionimin e aplikacionit.

[ii] QR – Quick Response. Është një kod në formë të matricës që zakonisht ruan tekste të shkurtra si adresa në ueb, e-mail adresa, apo një varg të shkurtër alfa-numerik.

[iii] Enkriptimin nuk është I aktivizuar vetvetiu, por ekziston si opsion që ju mund ta aktivizoni manualisht.

Print

x

Kërko Blog

Më të shikuarat