X
GO

Blogu

Kërko Blog

Gjuhët programuese më të popullarizuara për vitin 2021

  • 30 dhjetor 2020
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 2023
  • 0 Komentet
Gjuhët programuese më të popullarizuara për vitin 2021

Viti që po lëmë pas ka qenë mjaft i vështirë dhe sfidues për shkak të pandemisë COVID-19. Kjo ka bërë që Bota të shikohet nga një perspektivë tjetër. Si asnjëherë më parë është folur për blerje online, për mësim online, për punë online, dhe gjithçka online.

Megjithatë, për një kategori të njerëzve kjo nuk ka qenë fare sfiduese. Programerët janë mësuar të punojnë nga shtëpia, dhe janë mësuar me jetën online. Faktikisht kjo situatë ka bërë që kërkesa për ta të shtohet dukshëm.

Nëse jeni i ri në fushën e zhvillimit të softuerëve, pjesa më e vështirë e mësimit të një gjuhe programuese është të vendosni se nga ku të filloni. Ka me qindra gjuhë programuese që përdorën sot në Botë, ku secila nga to ka kompleksitetin dhe veçantitë e saja. E mira e gjithë kësaj është që me të filluar rrugëtimin si zhvillues softueri, ju vet do të shihni se cila gjuhë programuese u përshtatet më shumë.

Përveç kësaj, ne edhe më herët kemi shkruar disa artikuj në lidhje me këtë temë, ku në njërin nga ta kemi shpjeguar dallimet në mes të gjuhëve të larta dhe gjuhëve të ulëta programuese.

Në këtë artikull do të ndalemi vetëm tek popullariteti i gjuhëve të larta programuese në mesin e komunitetit të gjerë të programuesve.

Kryesisht gjuhët e larta programuese janë llojesh të ndryshme sa i përket strukturës (modelit) së programimit, siç mund të lexoni në vijim:  

1.Gjuhët programuese procedurale

Ky lloj i programimit, i cili rrjedhë nga programimi i strukturuar, specifikon një sërë procedurash të strukturuara mirë dhe hapat e kompozimit të programit. Ato ofrojnë një sërë komandash duke ndarë programin në ndryshore (variabla), funksione, deklarata, dhe operatorë të kushtëzuar.

Gjuhët programuese procedurale ekzekutojnë komandat me radhë (hap-pas-hapi) nga e para tek e fundit. Kjo përfshinë një rend të rregullt të deklarimeve, funksioneve, dhe komandave për të kryer një punë, apo për të ekzekutuar një program të caktuar. Gjuhët procedurale në programim ndryshe njihen edhe si gjuhë imperative (nga latinishtja imperare = komandë), ku instruksionet janë mirë të definuara dhe ekzekutohen në sekuencë një-pas-një.

Disa shembuj të gjuhëve programuese procedurale janë: Java, C, Pascal, Basic, dhe Fortran.

2.Gjuhët programuese funksionale

Këto janë gjuhë programuese deklarative tek të cilat programet ndërtohen duke përdorë funksionet. Funksionet janë një grup komandash që kryejnë një kalkulim të caktuar dhe të cilat mund të thirren kurdoherë brenda një programi apo një procedure. Këto gjuhë programuese nuk përdorin unaza apo kushtëzore si: nëse-përndryshe (if-else), si dhe operojnë vetëm me të dhënat hyrëse duke mos u varë nga ndonjë variabël e fshehtë apo e përkohshme, duke dhënë rezultatin aty-për-aty kurdo që të thirret.

Disa shembuj të gjuhëve programuese funksionale janë: Lisp, Haskell, F#, Scala. Por ka gjuhë programuese të tjera që e përkrahin këtë lloj programimi, si gjuhët: Perl, Ruby, Visual Basic .NET, etj.

3.Gjuhët programuese të orientuar në objekte

Tek gjuhët programuese të orientuar në objekte çdo gjë shihet si objekt, pak a shumë si në jetën e përditshme. Objektet përbëhen nga të dhëna të cilat vijnë në formë të fushave dhe nga kodi i cili vjen në formë të procedurave. Gjuhët programuese të orientuar në objekte (POO) ofrojnë një mori veçorish si abstraksionet, kapsulimi, polimorfizmi, trashëgimia, klasat, dhe objektet. Parimi kryesor është kapsulimi i cili siguron kodin burimor. Po ashtu thekson ri-shfrytëzimin e kodit përmes konceptit të trashëgimisë dhe polimorfizmit duke mundësuar kështu përhapjen e implementimit të njëjtë me pak ndryshime në kod. Shumica e gjuhëve me shumë paradigma janë gjuhët POO të cilat përfshijnë gjuhët si: Java, C++, C#, Python, JavaScript etj.

4.Gjuhët programuese të skripteve

Të gjitha gjuhët e skriptimit janë gjuhë programimi që nuk kërkojnë një hap përpilimi (kompilimi) pasi ato vetëm interpretohen. Këto gjuhë kryesisht përdorën për të ndërtuar aplikacione në ueb, në administrim të sistemeve, në lojëra, dhe në aplikime multimediale. Po ashtu përdorën edhe për të ndërtuar shtojca (plugins) për aplikacionet ekzistuese. Disa nga gjuhët më të popullarizuara programuese të skriptave janë:

  • Në anën e serverit: JavaScript, PHP, dhe PERL
  • Në anën e klientit: JavaScript, AJAX, dhe Jquery
  • Administrim sistemi: Shell, PERL, dhe Python
  • Linux: BASH
  • Zhvillim uebi: Ruby

5.Programimi logjik

Programimi në këto lloj gjuhësh programuese kryesisht bazohen në logjikën formale. Gjuha nuk i tregon kompjuterit se si të kryej një veprim, mirëpo e kufizon në atë që duhet të merr në konsideratë të bëjë. PROLOG, ASAP (Answer Set Programming), dhe Datalog janë gjuhët logjike më të mëdha, të cilat rregullat i shkruajnë në formë të klasave.

Për të bërë renditjen e gjuhëve programuese, duhet pasur parasysh disa faktorë. Prandaj kemi renditje të ndryshme nga organizata të ndryshme. Edhe në vitin e kaluar kemi publikuar një shkrim të ngjashëm me këtë, ku kemi bërë renditjen duke u bazuar në disa organizata.

Në vijim do të flasim për gjuhët më të popullarizuara sipas stackoverflow.

 

Gjuha Python është mbase gjuha e programimit më e lehtë për përdoruesit. Sintaksa e kësaj gjuhe është shumë e thjeshtë, e qartë, dhe intuitive, gati sikur të flasësh anglisht, duke e bërë kështu që shumica e programuesve të fillojnë nga kjo gjuhë.

Duke qenë që gjen përdorim shumë të gjerë – përveç thjeshtësisë për t’u mësuar – si në ueb, dektop, rrjeta, Inteligjencë Artificiale, dhe në Re (Cloud) e bën mësimin e kësaj gjuhe opsionin më të qëlluar. Python është gjuha e preferuar për programim në mësimin e makinës, të mësuarit e thellë, Inteligjencën Artificiale, dhe në fusha të tjera të shkencës.

Nëse jeni të interesuar për programim në ueb në anën e serverit (back-end), struktura (framework) Django – e cila është “open-source”[1] – është e thjeshtë për përdorim dhe shumë e fuqishme. Django është përdorë për të zhvilluar disa nga faqet më të popullarizuara si Mozilla, Instagram, dhe Spotify.

 

JavaScript është një ndër gjuhët më të përdorura, duke qenë që konsiderohet si gjuha standard për programimin në ueb. Është përdorë pothuajse në secilën faqe që ju e keni vizituar në Internet. Sot, pothuaj është e pamundur të jesh zhvillues softueri e të mos e përdorësh këtë gjuhë në një formë apo në tjetrën.

Së bashku me HTML dhe me CSS, JavaScript përdorët në anën e klientit (front-end) në zhvillimin e uebit, mirëpo ofron sintaksë që mund të përdoret edhe në anën e serverit, që tregon që është një gjuhë mjaft e fuqishme programuese. Shumica e ueb-faqeve më të njohura si Facebook, Twitter, Gmail, dhe YouTube, varen nga JavaScript për të paraqitur në mënyrë dinamike përmbajtjen para shfrytëzuesve.

 

Golang[2], apo e njohur shkurtimisht si “Go”, është një gjuhë programuese e zhvilluar nga Google. Kohëve të fundit, me rritjen e popullaritetit të terminologjive si proceset e shumëfishta (multithreading) dhe sistemet e shpërndara, gjuhës programuese Go dalëngadalë po i rritet fama. Tash për tash kjo është gjuha programuese më e përdorur në Silicon Valley.

Si gjuhë e ultë programuese, gjuha Go është ideale për inxhinierët të cilët dëshirojnë të futen në fushën e programimit të sistemeve. Go përmbledhë shumicën e funksionaliteteve të gjuhëve C dhe C++ përveç që e ka sintaksën shumë më të lehtë se këto të dyja, dhe mësohet më lehtë. Është gjuha ideale për ndërtimin e ueb-serverëve, ndërlidhëse të bazave te të dhënave (data pipeline), si dhe pakove për të mësuarit e makinës.

Si gjuhë që përpilohet, Go ekzekutohet afër procesorit, duke mundësuar kështu një ekzekutim shumë të shpejtë të programit. Është gjuhë “open-source”, ku zhvilluesit ambicioz mund të shohin kontributin e tyre të adoptuar në këtë gjuhë, dhe mund të shohin atë duke u përdorur nga programuesit anë e kënd Botës.

 

TypeScript është një gjuhë programuese “open-source” që ndërtohet në JavaScript për të zgjeruar aftësitë e JS, duke shtuar sintaksë për deklarimet dhe përkufizime të llojit statik. Llojet ofrojnë një mënyrë për të përshkruar formën e një objekti, duke siguruar dokumentim më të mirë, dhe duke lejuar TS të vërtetojë që kodi juaj po funksionon.

Falë funksionalitetit të pasur të redaktimit të TS përmes editorëve, kontrolli statik mund t’u tregojë për gabimet në kodin tuaj para se ta ekzekutoni atë.

Kodi që është i vlefshëm në JS, është gjithashtu kod i vlefshëm në TS. Kodi TS transformohet në kod JS përmes përpiluesit të TS ose përmes Babel.

Përveç kontrollimit për gabimet, TS fuqizon plotësimet, rregullimet e shpejta, dhe ri-formatimet për të dy këto gjuhë – TS dhe JS.

Lexo më shumë:

 

Rust është një gjuhë programuese moderne e sistemeve me modele të ndryshme, e krijuar për shpejtësi, dhe për siguri, veçanërisht për siguri në programimin konkurrent. Rust ka sintaksë të ngjashme me C++, por mund të garantojë sigurinë e kujtesës duke përdorur një kontrollues huazimi (borrow checker) për të vërtetuar referencat (variable, record). Rust ndryshon sigurinë e memories pa përdorur “garbage collection” (mbledhjen e plehrave), dhe numërimi i referencave është opsional.

Në hulumtimin vjetor (2020) të Stack Overflow kjo gjuhë radhitet e para si gjuha më e dashur për programuesit, edhe pse shumë pak e përdorin atë pasi është një gjuhë mjaftë e re (ka filluar si projekt individual i një të punësuari në Mozilla – Graydon Hoare në vitin 2006).

 

 

[1] Kod burimor i hapur, ku vullnetarisht mund të japin kontribut edhe zhvillues të tjerë.

[2] Golang përdorët shpesh-herë, për shkak të emrit të tij të domenit golang.org, përndryshe emri i saktë i gjuhës është Go.

Print

x

Kërko Blog

Më të shikuarat