Periodizimi i historisë
HISTORIA SI SHKENCË
Historia është shkencë shoqërore e cila merret me studimin e shoqërisë njerëzore dhe tërë aktivitetit të njeriut dhe shoqërisë, që nga kohërat më të lashta e deri në ditët tona.
Historiografia shkruhet në bazë të burimeve historike, siç janë: Burimet e shkruara, materiale, dhe gojore.
Burimet e shkruara janë: Të gjitha llojet e shkrimit – pavarësisht llojit të materialit në çka dhe me çka është shkruar p.sh.: Gurë, gjethe, lëkurë, pllaka metalike, argjilë, letër etj.
Burimet materiale janë: Gjetjet arkeologjike të vendbanimeve, punishtet, veglat e punës, enët, pajisjet luftarake, stolitë etj.
Burimet gojore: Ato barten brez pas brezi deri në ditët tona, por kur kemi të bëjmë me ngjarjet nga e kaluara e largët historike, ato nuk mund të konsiderohen si fakte shkencore. Ndërsa në studimet më të reja, historia gojore konsiderohet si disiplinë shkencore! Duke i konsideruar protagonistët e gjallë të ngjarjeve, si burim i parë i informacionit për ngjarje të caktuara historike.
PERIODIZIMI I HISTORISË
Historia e shoqërisë njerëzorë ndahet në dy periudha të mëdha kohore:
Periudha parahistorike dhe periudha historike.
Periudha parahistorike fillon me krijimin e njeriut dhe përfundon me ndarjen e shoqërisë njerëzore në klasa, ose thënë ndryshe me formimin e shteteve.
Periudha historike fillon me paraqitjen e klasave – formimin e shteteve dhe zgjat deri në ditët tona.
Kjo periudhë ndahet në katër kohë :
- Koha e vjetër (prej lashtësisë deri në shek. V)
- Koha e mesme – mesjeta (prej shek. V deri në fund të shek. XV)
- Koha e re (prej shek. XVI deri me 1918) dhe
- Koha më e re ( prej 1918 deri në ditët tona)