X
GO

Blogu

Kërko Blog

Si të mbroni pajisjen tuaj android nga malware

  • 14 janar 2019
  • Autori: Enis Azemi
  • Numri i shikimeve: 3775
  • 0 Komentet
Si të mbroni pajisjen tuaj android nga malware

Nëse jeni përdorues i telefonave Android, celulari juaj apo edhe tableti juaj, rrezikon të infektohet me malware. Në fakt hulumtimet e bëra nga “Jupiter Research” rezultojnë se rreth 80% e celularëve android janë të pambrojtur.

Pse ndodh kjo? Përgjigja është se edhe nëse celulari juaj nuk ka qen i prekur deri më tani, ka gjasa të ndodh një gjë e tillë, dhe kjo është për shkak të shumave të mëdha të parave që motivojnë keqbërësit për të kërkuar dhe kapur të dhëna financiare, kode kalimi, dhe informacione të tjera potencialisht fitimprurëse.

Deri sa prodhuesit e celularëve t’i adresojnë këto çështje, është në interesin tuaj që ta siguroni pajisjen tuaj me disa hapa lehtë të zbatueshëm.

Hapi 1: Instaloni aplikacione vetëm nga burime të besueshme.

Google Play Store është një burim i besueshëm. Është kanali zyrtar i shpërndarjes së aplikacioneve android, të cilat skanohen rregullisht për kodin e dëmshëm duke hequr malware-ët që i gjen. Gjithashtu ato aplikacione testohen para se të publikohen aty.

Ka edhe burime të tjera të besueshme, por duhet të jeni të kujdesshëm pasi shumica e malware-ëve në Android vijnë nga faqet e palëve të treta si p.sh. aplikacionet të cilat shkarkohen nga dyqane (store) të ndryshëm që shfaqen si legjitime, ku ju mund të shkarkoni dhe instaloni aplikacione pa limit – të tilla si: 1mobile market, aptoide etj.

Një burim tjetër i besueshëm, jashtë Dyqanit të kompanisë Google (Google Play Store), mund të jenë ueb faqe të ndonjë kompanie legjitime të aplikacioneve të ndryshme android, apo ueb faqe të ndonjë kompanie legjitime nga e cila ju keni blerë një harduer (kamerë, orë të mençur dore etj.) dhe iu duhet të merrni softuerin e nevojshëm për pajisjen tuaj. Atë softuer ju nuk do të mund ta gjeni në Dyqanin e kompanisë Google, por do ta gjeni në faqen zyrtare të kompanisë nga e cila e keni blerë atë pajisje.

Këshillë sigurie: Dyqane të ndryshme të aplikacioneve, përveç Google Play Store dhe Dyqanit të prodhuesit të celularit, mund t’iu kërkojnë të aktivizoni disa cilësime të bazuara në pajisje, gjë që mund t’iu lejoi të instaloni aplikacione nga “burime të panjohura”. Këtë duhet ta bëni me kujdes!

Hapi 2: Shmangeni shkarkimet .apk nga faqet në internet.

Shkarkimi manual i APK dosjeve (file) nga faqet e ndryshme dhe pastaj instalim i tyre në celularin tuaj, është çaktivizim i sigurisë në Android. Dosjet APK janë programe të ekzekutueshme në Android që kanë prapashtesë .apk, ngjashëm me filet .exe të Sistemit Operativ Windows.

Megjithatë, jo çdo herë është e rrezikshme të instalosh një aplikacion APK nga ndonjë burim jashtë Google Play Store në raste të veçanta.

Për më shumë, shiko videon në vijim!

Këshillë sigurie: Çdo burim që ofron aplikacione falas ku në Google Play Store apo burime të tjera janë me pagesë, mund të llogaritet si burim i dyshimtë dhe paraqet rrezik për ju dhe për pajisjen tuaj.

Hapi 3: Mësoni t’i identifikoni aplikacionet e rrejshme.

Duhet të aplikoni të njëjtat teknika që përdorni për t’i identifikuar e-mailat mashtrues nga institucionet financiare të rreme, si pikselat e figurave, kualitetin e dobët të logos, gabimet drejtshkrimore dhe emrat e publikuesve që nuk përputhen me formulimet zyrtare si për shembull, “Blackberry” ku emri zyrtar është “BlackBerry” (me B të madhe).

Këshillë sigurie: Disa organizata zhvillimin e aplikacioneve e bëjnë nga kompani të tjera të kontraktuara, kështu duke rezultuar me mos përputhje të emrit të aplikacionit me organizatën. Për këtë qëllim bëni një kërkim në Google me emrin e publikuesit të aplikacionit me qëllim të verifikimit të legjitimitetit të atij aplikacioni dhe korrespondimin e tij me organizatën.

Hapi 4: Lexoni përshkrimin e aplikacioneve.

Lexoni komentet dhe vlerësimet e aplikacioneve ne Google Play Store. Sigurohuni që komentet e përdoruesve përputhen me atë që thonë aplikacionet në përshkrimin e tyre apo të kundërtën.

Këshillë sigurie: Aplikacionet të cilat kërkojnë qasje në emalin tuaj, mund të jenë burim i dërgimit të e-mailave të bezdisshëm dhe promovues të bizneseve (spam).

Hapi 5: Instalo softuer të sigurisë.

Zhvilluesit kryesor të aplikacioneve për siguri të kompjuterëve personal si AVG, Norton, dhe Kaspersky, gjithashtu bëjnë aplikacione antivirus për Android. Këto aplikacione i zbulojnë dhe i heqin viruset, malware-ët, dhe spyware-ët. Disa nga këto aplikacione sigurie, ndër të tjera ofrojnë edhe veçori shtesë në rast të humbjes apo vjedhjes së celularit tuaj, si: lokalizimi i telefonit përmes Google Maps, mbyllja ose fshirja e funksioneve dhe të dhënave në celularin tuaj etj.

Këshillë sigurie: Gjatë instalimit të këtyre aplikacioneve në veçanti është shumë e rëndësishme të bëhet verifikimi i tyre siç është shpjeguar në hapin 1 dhe 3 të këtij Blogu, pasi që këto aplikacione kërkojnë qasje të avancuar në mobilin tuaj.

 

Print
Kategoria: Blog, Teknologji
Vlerëso artikullin:
4.9

x

Kërko Blog

Më të shikuarat