X
GO

Blogu

Kërko Blog

Strategjia afatgjatë e investimit

  • 6 janar 2021
  • Autori: A Selimi
  • Numri i shikimeve: 406
  • 0 Komentet
Strategjia afatgjatë e investimit

Shumë njerëz kanë para të kursyera me të cilat nuk dinë çka të bëjnë. Duke i mbajt të fshehura nën dyshek të shtratit ose në tavan, lëre që s’fitojnë asgjë prej tyre por, i ekspozojnë ndaj rrezikut të vjedhjes, ose më e pakta, ua zhvlerëson inflacioni.

Inflacioni është ai hajni që askush nuk e sheh por që ta futë dorën në xhep e t’i vjedh veç një pjesë të pareve; të tjerat t’i len për të t’i vjedhur më vonë. Kështu për çdo vit t’i vjedhë nga pak deri kur një ditë, edhe pse të gjitha i ke në xhep, s’mund të blesh “sen” me to. Kur, me 100 euro që i ke sot në xhep, shkon në super-market, nuk mund ta blesh të njëjtin harxh që e ke blerë në janar të vitit të kaluar.

Nëse e ke edukuar vetën që nga rroga e jote mujore të ndash një pjesë sado të vogël për kursime, je në rrugë të mbarë për të mbledhë para të mjaftueshme të cilat pastaj mund t’i investosh me synim që kursimet tua, së pari mos t’i zhvlerësojë inflacioni dhe, së dyti të arrish fitim nga investimi.

Tregjet financiare ofrojnë dy forma kryesore të investimit të parave; njëra është huazimi i parave për të cilat merr interes fiks, dhe tjetra është angazhimi i parave në biznes duke u bërë një nga bashkëpronarët e tij dhe merr pjesë në ndarje të fitimit që e gjeneron biznesi. E para – që personalisht nuk e preferoj fare – përfshin instrumente financiare si depozita të afatizuara në banka, obligacione shtetërore, komunale ose të korporatave etj.

Lloji i dytë i investimeve është investimi në aksione të korporatave (kryesisht kompanive ndërkombëtare) që do të thotë se ti si investues ke një hise – sado të vogël – në pasurinë dhe fitimin e korporatës.

Megjithatë para se të investosh duhet të kesh një strategji investimi. Kjo do të thotë se duhet bërë disa analiza të kompanisë në të cilën mendon të investosh kursimet e tua. Kur flasim për analiza, mendjen e kemi te historia e kompanisë, si ka qenë performanca e saj gjatë gjithë ekzistencës së saj, (nëse mund të gjenden të dhëna) e në veçanti në 2-3 vitet e fundit, a ka punuar me fitim, fitimin a e ka investuar në biznes apo ua ka shpërndarë aksionarëve, si ka lëvizur çmimi i aksioneve të saj, çfarë ka qenë fitimi i saj në raport me pasurinë e vet, apo në raport me kompanitë e tjera të ngjashme? Ka shumë analiza që duhet bërë para se të marrësh vendimin për investim, përndryshe nëse investimit nuk i paraprinë kjo analizë është njësoj sikurse të luash bixhoz, pa ditur si të luash lojën. E në bixhoz ndonjëherë rastis që edhe fiton, pa e ditur se si; çështje fati!

Sipas Tony Robins, në librin e tij “Unshakable” strategjia e investimit duhet të modelohet në pajtim me synimet e investuesit, sepse investuesi e di më së mirë se ku është sot, e ku synon të arrijë nesër. Duke i pasur parasysh faktet (burimet në dispozicion) dhe objektivat (ku mund të arrish?), i harmonizon këto dyja dhe kështu vjen me një strategji që veçanërisht i shkon për shtati investuesit.

Unë po e përmbledh një nga strategjitë që Tony Robins e ka përshkruar në këtë libër, por ai (edhe unë), nuk e këshillon për ndonjërin në veçanti, por si dukuri e vërejtur nga përvoja në përgjithësi – vlen të përmendet. Strategjia është si vijon:

Në kohë stabiliteti ekonomik, kur tregjet financiare funksionojnë normalisht, dhe nuk ka luhatje të mëdha në çmimet e aksioneve, blej obligacione shtetërore, ose komunale, ose të korporatave, të cilat, edhe pse paguajnë kamatë të ulët – obligacionet 10 vjeçare mesatarisht paguajnë kamatë vjetore rreth 1.8%, normë më e ulët se sa norma e inflacionit – të cilat i mban për t’i shitur në kohë kur tregjet bëhen arinj (ang. bearish). Në tregje arinj, kur investitorët nxitojnë t’i shesin aksionet për shkak se çmimi i tyre bie në mënyrë drastike, gjasa që të rritet kërkesa për obligacione është e madhe, për shkak se, pavarësisht destabilizimit të tregjeve, shteti është garantues për to. Prandaj strategjia që sjell fitim të lartë është kështu: i shet obligacionet me çmimin që i ke blerë ose, me gjasë, me një çmim edhe më të lartë – duke siguruar edhe fitim kapital (capital gains) për shkak të kërkesës së shtuar për to – e me paratë që i merr nga shitja e tyre shkon në “black Friday” të tregjeve financiare dhe blen aksione çmimet e të cilave kanë rënë “për toke” për t’i mbajtur rreth (maksimum) dy vite. Pas dy vitesh kur tregjet bëhen buall (bullish) – ngjallet kërkesa për aksione, çmimi i tyre rritet dy-tre, apo katërfish – i shet aksionet e blera duke i siguruar vetës fitim kapital marramendës duke e tre apo katërfishuar pasurinë tënde. Me çerekun e pasurisë që e ke fituar nga shitja e aksioneve të blera në tregjet arinj, kthehesh në tregjet buall e i ri-blen prapë obligacionet tua, me çmim, me gjasë, edhe më të ulët se që i ke shitur.

Kjo ishte përmbledhja e strategjisë së investimit nga libri “I patundur” i Tony Robins e cila është po aq e vlefshme edhe kur është fjala për investime në metale të çmueshme si ari, argjendi, platini etj.

Nëse nuk i preferon obligacionet për instrument financiar, atëherë këtë strategji mund ta aplikosh edhe me ari, platin ose argjend, çmimet e të cilave gjithnjë janë rritur në tregje arinj (bearish), pa përjashtim, pothuajse në cilëndo periudhë që ka ndodhur tregjet arinj (shih grafikun 1 dhe 2)

Në vitin 2008 kur ndodhi kriza financiare (sub-prime loans) çmimet e aksioneve në tregje ranë me shumicë, ndërsa çmimi i arit nga $700 u rrit për 20% dhe vazhdoi gjatë viteve në vijim deri në vitin vitin 2011 për tu rritur më shumë se dyfish, çmmi më i lartë i regjistruar ishte $1892 në gusht 2011, e pastaj filloi me rënie kur tregjet financiare u stabilizuan. Megjithatë për shkak të inflacionit, me kalimin e kohës, jo vetëm ari por edhe cilido mall tjetër, nuk kthehet në çmimin paraprak pothuajse kurrë. Gjithsesi rënia e çmimit pas tejkalimit të krizës është evidente, ndërsa, në krizën aktuale ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid 19 prapë ka rritje të çmimit të arit. Në korrik të vitit 2020 çmimi i arit e kaloi $2000 duke arritur maksimumin me 7 gusht 2020 me $2,082.1

Në anën tjetër, çmimi mesatar mujor i aksioneve të Coca-Cola company në mars 2020 ra nën $50, ndërsa përgjatë gati një viti, që nga qershori 2019 deri në shkurt 2020 kur ndodhi mbyllja totale, e kishte mbajtur çmimin mesatar mbi $50. Rënia e çmimit vazhdoi deri sa arriti nivelin më të ulët $38.89 me 23 mars 2020 dhe deri në shtator nuk u rikthye në nivelin prej $50.

Gjendje e ngjashme është vërjetur edhe me aksionet e NIKE kur prej çmimit mesatar mujor prej rreth $100 që e kishte mbajtur deri në shkurt 2020, çmimi mesatar i aksioneve të saj ra në rreth $70 me çmimin më të ulët të shënuar me 23 mars 2020 prej $62.8.

Ky korelacion invers mes çmimit të arit dhe çmimit të aktsioneve të mallrave është dukuri. Duke ditur këtë mund të konkludojmë se ari, sikurse edhe obligacionet, mund të blihet në kohë stabiliteti ekonomik ndërsa në kohë krize, kur tregjet financiare bëhen arinj, mund të shiten me çmim të rritur për të blerë aksione të nën-çmuara, për të pritur një kohë të pacaktuar – një ose dy vite – deri sa çmmi i tyre të normalizohet prapë, për të siguruar fitim kapital me norma së paku 2 shifrore.

 

Print

Please login or register to post comments.

x

Kërko Blog

Më të shikuarat