X
GO

Lajmet

Lamtumirë Internet Explorer

  • 15 qershor 2022
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 184
  • 0 Komentet
Lamtumirë Internet Explorer

Që nga viti 1995 kur ishte publikuar Windows 95, e deri në 2013, Microsoft ka zhvilluar njëmbëdhjetë versione të Internet Explorer për Windows – nga Internet Explorer (IE) 1.0 e deri në IE 11.0.

IE11 është versioni i njëmbëdhjetë dhe i fundit – tashmë i vjetruar i shfletuesit të internetit.  

IE11 u lëshua në përdorim nga Microsoft më 17 tetor 2013 me Windows 8.1 dhe Windows Server 2012 R2 dhe u lëshua për Windows 7 dhe Windows Server 2008 R2 më 7 nëntor të po atij viti. Është pasardhësi i Internet Explorer 10, i lëshuar një vit më herët dhe ishte shfletuesi origjinal, i paracaktuar në Windows 8.1 dhe Windows Server 2012 R2, përpara se të prezantohej Microsoft Edge.

IE11 u përfshi gjithashtu në lëshimin e Windows 10 më 29 korrik 2015, si dhe në Windows Server 2016 dhe Windows Server 2019. Zhvillimi përfundimtar i Internet Explorer 11 ishte në prill 2019, kur IE11 u lëshua për Windows Server 2012.

Më 12 janar 2016, Microsoft ndryshoi politikat e saja sa i përket ciklit jetësor të produktit, për të mbështetur kështu vetëm versionin më të fundit të Internet Explorer të ofruar për çdo version të caktuar të Windows-it.

Përkrahja e IE11, i konsideruar tani si një komponent e sistemit operativ, është i lidhur me versionin e Windows-it ku është i instaluar. Për shumicën e versioneve të Windows-it që përkrahen akoma, Microsoft vazhdon të ofrojë përditësime për IE11 në ato platforma. Kjo, ndër të tjera përfshinë Windows 7 SP1 (me ESU), Windows 8.1 dhe edicionet LTSC të Windows 10, të cilat do të vazhdojnë të marrin përditësime për IE11 deri në datat përkatëse të fundit të mbështetjes. Për botimet e cekura më lartë të Windows 10, duke filluar nga 15 qershori 2022, Internet Explorer 11 nuk do të mbështetet më.

Pas kësaj date, aplikacioni Internet Explorer do të çaktivizohet. Ai do të zëvendësohet nga Microsoft Edge i ri, i bazuar në Chromium, me përdoruesit që do të ridrejtohen automatikisht te Edge sa herë të tentojnë të hapin IE11.

Internet Explorer gjithashtu nuk do të jetë në dispozicion në Windows 11, ku Microsoft Edge i ri i bazuar në Chromium është shfletuesi i nënkuptuar i uebit.

Versionet e Windows-it ku Internet Explorer do të vazhdoi të jetë në dispozicion pas 15 qershorit 2022, përfshijnë Windows 7 ESU, Windows 8.1 dhe të gjitha versionet e Windows 10 LTSC për klient, IoT dhe Server.

Siç shpjegon më tej Microsoft, "për sistemet operative të përkrahura, Internet Explorer 11 do të vazhdojë të marrë përditësime sigurie dhe mbështetje teknike për ciklin e jetës së versionit të Windows-it në të cilin është i instaluar."

Heqja dorë nga Internet Explorer ka të ngjarë të mos e befasojë askënd, pasi Microsoft ka vite që inkurajon klientët të kalojnë nga Internet Explorer në Edge.

"Inkurajohen të gjithë klientët të kalojnë në Microsoft Edge me modalitetin IE. Modaliteti IE mundëson pajtueshmëri të plotë me versionin më të vjetër dhe do të mbështetet të paktën deri në vitin 2029," shtoi kompania nga Redmond.

Për të aktivizuar modalitetin IE në Microsoft Edge, duhet të hapni shfletuesin dhe të shënoni: edge://settings/default në shiritin e adresës, e pastaj të aktivizoni "Allow sites to be reloaded in Internet Explorer mode" (Lejo faqet të ringarkohen në Internet Explorer) dhe më pas të rinisni shfletuesin e uebit.

 

Print
Kategoria: Lajme
Vlerëso artikullin:
5.0

x

Kurset më të shikuara

RSS