Google Chrome, 10 vjet pas
Muajin e kaluar Google Chrome festoi ditëlindjen e tij të dhjetë. Ai kishte lindur (në shator 2008) në kohën kur tregu ishte i monopolizuar nga korporata Microsoft, të cilët mbulonin më se 68% të tregut global me shfletuesin e tyre Internet Explorer, duke lënë prapa dy konkurrentët e vet – Firefox dhe Safari. Për të vështirësuar gjërat edhe më tepër, Microsoft tani planifikonte të hynte edhe në tregun e kërkimit në ueb, gjë që e prekte drejtpërdrejtë kompaninë Google e cila këtë e kishte shërbimin kryesor.
Google Chrome, sa i përket kodit burimor është i hapur “open source”, duke u bërë më atraktiv për zhvilluesit gjithandej, për dallim nga Internet Explorer i cili është privat (pronë e Microsoft-it).
Sot Google Chrome zotëron 62.2% të tregut Global të shfletimit në ueb, pasuar nga Safari me 13.4%, Firefox 7.1%, duke lënë kështu prapa Internet Explorer & Edge të cilët bashkërisht kanë vetëm 6.3% të tregut.
Me gjithë këtë sukses të Google Chrome, dalja në treg e versionit të ri – versionit 69.0 – nga shfrytëzues të ndryshëm është pritur në forma të ndryshme. Disa shfrytëzues janë të kënaqur me dizajnin dhe me disa opsione të reja që i ofron ky version, ndërkaq disa të tjerë shprehin shqetësimet e tyre sa i përket privatësisë së shfrytëzueseve.
Haker news në një diskutim që e kishte titulluar “Pse hoqa dorë nga Chrome”, ndër të tjera e akuzonin kompaninë Google për shkelje të privatësisë së shfrytëzuesëve duke i kyçur ata në shfletuesin e tyre (Chrome) pa i paralajmëruar, sapo ata të kyçen në llogarinë e tyre në Gmail.com, në youtube, apo kudo tjetër në platformën e kompanisë Google. Me fjalë të tjera, nëse ju e hapni llogarinë tuaj në Gmail.com nga shfletuesi Chrome, shfletuesi ju kyçë automatikisht duke mos iu pyetur fare për këtë e po ashtu pa iu njoftuar që jeni kyçur edhe aty.
Në versionet e mëhershme, Google Chrome të ofronte mundësinë për kyçje (login) në shfletues, mirëpo ky ka qenë vetëm një opsion të cilin fare lehtë keni mundur ta injoroni.
ÇFARË RËNDËSIE KA NËSE KYÇESH OSE JO NË CHROME?
Të gjitha faqet ueb për të ofruar shërbime sa më cilësore, përdorin disa fajlle të vegjël për të ruajtur disa shënime në lidhje me shfrytëzuesin e asaj faqe. Këto fajlle në anglisht quhen cookie. Shënimet që ruhen në këtë mënyrë përfshijnë madhësinë e ekranit të cilin e përdorim dhe rezolucionin e tij, gjuhën të cilën e zgjedhim, emrin dhe të dhënat personale duke përfshirë dhe fjalëkalimet – nëse i fusim ato në ndonjë formë, lokacionin etj.
Nëse ne hapim një shfletues uebi – Google Chrome në këtë rast dhe nëse nuk lidhemi me ndonjë llogari online në shfletues, të gjitha cookie-t do të ruhen lokalisht në diskun e kompjuterit tonë. Nga ana tjetër nëse lidhemi me një llogari online – që në rastin e Google Chrome patjetër duhet të jetë në Gmail.com – atëherë të gjitha këto shënime do të ruhen online, pra në serverët e kompanisë që e ofron shërbimin, në këtë rast Google. Këtë mund ta shohim edhe nëse i shikojmë Politikat e Privatësisë së Google, ku mund të vërejmë të përshkruhen dy mënyra të shfletimit: Mënyra Bazike – në të cilën të dhënat që Chrome i mbledhë, i ruan në diskun e kompjuterit tonë dhe Mënyra e Sinkronizuar apo e Kyçur – ku të dhënat që mblidhen, ruhen në serverët e kompanisë Google.
Shqetësimi që kanë ngritur disa shfrytëzues është se Chrome më nuk ju pyet nëse dëshironi të regjistroheni në aplikacion ose jo, dhe as nuk ju njofton për këtë – thjesht ju regjistron, dhe mënyra e vetme për të kuptuar që jeni i kyçur, është kur të shihni logon e profilit tuaj në shfletues.
Edhe pse në disa forume zhvilluesit e Google deklarojnë që të dhënat nuk do të sinkronizohen pa lejen e shfrytëzuesit – pra që nuk do të aktivizohet opsioni “Sync” – ne nuk mund të themi një gjë të tillë, përderisa nuk ka diçka lehtësisht të dallueshme. Po të klikojmë mbi logon e profilit tonë në shfletues, do të shohim që çdo gjë duket se është duke u sinkronizuar – pasi logo e sinkronizimit paraqitet me të gjelbër e që zakonisht me këtë ngjyrë paraqiten opsionet aktive.
Edhe nëse e hapim menynë e profilit, nën emrin e profilit shohim shenjën që na lë të kuptojmë që shënimet tona tashmë janë duke u sinkronizuar me serverët e kompanisë Google.
Këto të dhëna janë shumë të ndjeshme kur kemi parasysh që ne përmes uebit shfrytëzojmë një numër shërbimesh, nga regjistrime të ndryshme online, rrjeta sociale e deri tek transaksionet bankare.
Pas skandalit të Facebook me Cambridge Analytica, nuk mund të themi më që nuk ka vend për shqetësim, sa i përket të dhënave tona personale. Tash së voni, Google ka publikuar një raport në lidhje me një gabim në rrjetin social – Google Plus, i cili gabim u mundësonte qasje në të dhënat e shfrytëzueseve për më se 438 aplikacioneve, duke rrezikuar kështu të dhënat e më shumë se 500 mijë shfrytëzueseve të Google+, ku për pasojë Google ka vendosur ta mbyllë këtë shërbim.
A MUND TË PËRDORIM GOOGLE CHROME DERISA SHËNIMET TONA TË MBETEN NË KOMPJUTERIN TONË SI MË PARË?
Nëse eventualisht dëshironi që të dhënat që i fusni në shërbimet online duke përdorë Google Chrome të ruhen në kompjuterin tuaj dhe të mos sinkronizohen me kompaninë Google, ndiqni këta hapa:
- Hapeni Google Chrome
- Nëse jeni të kyçur në Chrome, ndaleni sinkronizimin duke shtypur butonin “Turn off” nga profili juaj.
- Në shiritin e adresës (address bar) shkruani: chrome://flags/#account-consistency
- Ndryshoni opsionin: Identity consistency between browser and cookie jar nga Default në Disabled.
- Mbylleni Google Chrome dhe e hapni atë përsëri.
Asnjëherë mos u kyçni në Gmail nga një kompjuter i huaj e sidomos duke përdorë Google Chrome. Nëse e bëni këtë, mos harroni të dilni edhe nga llogaria në shfletues, përveç llogarinë në Gmail.
Këtë konfigurim ju mund t’a bëni në kompjuterin tuaj, dhe ai më nuk do të sinkronizoj të dhënat tuaja me serverët e Google, mirëpo si të veproni nëse dëshironi të përdorni një kompjuter publik, apo e huazoni një kompjuter sa për të kontrolluar e-mail adresën tuaj?
Nëse dëshironi të përdorni një kompjuter publik apo në rast se e huazoni një kompjuter vetëm sa për të kontrolluar e-mail adresën, gjithmonë hapeni Google Chrome në mode-in e mysafirit (Open Guest window) i cili mod, pasi të mbyllet i fshinë të gjitha shënimet personale duke ruajtur kështu privatësinë e llogarisë tuaj.
Nëse keni diçka për të thënë në lidhje me këtë temë mund të komentoni në facebook, e po ashtu mund ta ndani (share) këtë artikull me të tjerët.