X
GO

Blogu

Kërko Blog

TikTok

  • 24 dhjetor 2019
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 342
  • 0 Komentet
TikTok

TikTok është një video-aplikacion social ku mund të shihni njerëz që sinkronizojnë lëvizjen e buzëve me ndonjë këngë, pra mimikë, ashtu që të duken sikur po këndojnë, dhe interpretojnë duke vallëzuar. Përveç kësaj mund të gjeni lloj-lloj video argëtuese, video-trajnime apo edhe video motivuese.

Karakteristikë e këtij video-aplikacioni janë postimet me video që zgjasin deri në 15 sekonda, apo për video-tregimet deri në 60 sekonda.

TikTok është aplikacioni me rritjen më të madhe në numrin e përdoruesve, sidomos në Azi, me mbi 500 milion shfrytëzues aktiv në muaj (në tërë botën) dhe me mbi 188 milion shfrytëzues të rinj vetëm në çerekun e parë të këtij viti (2019), duke shënuar një rritje prej 70% nga çereku i parë i vitit 2018, duke kaluar shifrën prej një miliard instalime (në App Store dhe Google Play) që në Janar të 2019-ës. Shumica e shfrytëzuesve të aplikacionit janë të rinj, nga mosha 16 deri në 24 vjeç, të cilët e përdorin aplikacionin mesatarisht nga 52 minuta në ditë. TikTok përdoret në 155 vende të botës dhe vjen në 75 gjuhë të ndryshme. Çdo ditë në TikTok shikohen mbi 1 miliard video.

Këto statistika tregojnë çartë fuqinë e kësaj platforme e që është shumë e rëndësishme për agjencitë e marketingut.

TikTok është zhvilluar në vitin 2017 nga një kompani kineze – ByteDance – të cilët një vit më herët kishin zhvilluar një aplikacion të ngjashëm – Douyin, i cili akoma përdoret në Kinë. Faktikisht, TikTok është versioni Internacional i Douyin-it, i cili ekziston vetëm në saje të politikave shtrënguese kineze, ndërsa TikTok është për pjesën tjetër të botës – jashtë Kinës.

Më herët ishin të njohura aplikacionet Vine dhe Musical.ly për video të shkurta disa sekondash. Vine e cila mundësonte publikimin e videove prej 6 sekondash në twitter, mbyllet në Janar të vitit 2017 duke lënë një boshllëk, të cilin e mbulon TikTok po atë vit. Kompania ByteDance, në Gusht të 2018-ës blenë Musical.ly për 1 miliard dollar amerikan dhe e shkrinë atë në TikTok. Në atë kohë, qindra milion shfrytëzues përdornin Musical.ly, duke u bërë tani shfrytëzues të aplikacionit të ri TikTok. Kjo ishte një rritje e jashtëzakonshme e popullaritetit të aplikacionit të ri. TikTok kishte kombinuar logon e tyre me atë të Musical.ly, madje kishte adoptuar edhe emrin “musers” të cilin e përdorte Musical.ly për shfrytëzuesit e vet.

Si Funksionon TikTok

Edhe pse mund ta hapni aplikacionin në kompjuterët tuaj personal nga ueb adresa tiktok.com, ky aplikacion është menduar të përdoret nga telefoni celular. Prandaj, më së miri është ta instaloni atë në celularin tuaj nga dyqani AppStore për iOS, apo nga PlayStore për android.

Menjëherë pas instalimit të aplikacionit do të shihni video duke luajtur, të cilat mund t’i shikoni, mund të kaloni nga njëra video tek tjetra, duke rrëshqitur gishtin nga poshtë lartë në ekran. Mund të shikoni video të tjera nga i njëjti shfrytëzues nëse e rrëshqitni gishtin nga e djathta në të majtë në ekran, ku do të kaloni tek profili i tij/saj. Mirëpo, nuk do të mund të pëlqeni ndonjë video, të ndiqni ndonjë “muser”, apo të publikoni video, derisa nuk keni një llogari të hapur në këtë aplikacion.

Për t’u regjistruar në këtë platformë, pasi fillimisht e instaloni në mobilin tuaj, shtypni ikonën e profilit që ndodhet në të djathtë në fund të ekranit dhe shtypni mbi “Sign Up”. Regjistrimin mund ta bëni përmes e-mail adresës apo numrit të celularit, përmes llogarisë tuaj në rrjetat sociale si Facebook, Instagram, Google, apo Twitter. Nëse regjistroheni duke përdorë llogarinë e ndonjërës nga këto rrjeta sociale, TikTok do të lidhet me llogarinë tuaj në atë rrjet.

Nëse vendosni të hapni llogarinë manualisht, ju duhet të regjistroni aty datëlindjen, numrin e celularit ose e-mail adresën dhe duhet të vendosni një fjalëkalim. TikTok do të verifikojë që llogaria nuk është duke u hapur nga një robot dhe me kaq përfundon procedura e hapjes së llogarisë në TikTok.

Derisa të filloni të ndiqni dikë nga përdoruesit apo ta pëlqeni ndonjë video, të gjitha videot do t’u paraqiten tek rubrika “For You”. Ndërsa kur filloni të ndiqni dikë, video-postimet e tyre do t’u paraqiten tek rubrika “Following”.

Rubrika Discover u mundëson të gjeni postime të personave që nuk i ndiqni – tek rubrika për kërkim, lart në ekranin e celularit tuaj, si dhe postime me etiketë (hashtag “#”) të caktuar.

Nëse doni të pëlqeni një video të caktuar, mund ta shtypni dy herë mbi atë video, apo të shtypni zemrën në të djathtë të videos. Të gjitha ndërveprimet me videon mund t’i bëni nga ikonat që iu paraqiten në të djathtë të videos – mund ta hapni profilin e autorit të postimit, ta ndiqni atë profil, ta pëlqeni videon, ta komentoni, ta ndani videon në platforma të tjera si Facebook, Instagram, Twitter etj. Poshtë tyre mund të shihni një ikonë duke u rrotulluar e që paraqet muzikën e përdorur nga ajo video. Nëse shtypni mbi atë ikonë, do t’u paraqiten të gjitha videot e tjera që e kanë përdorë të njëjtën.

Në rast se shtypni mbi një video dhe e mbani të shtypur për një kohë, u hapet një meny ku u jepet mundësia të ruani atë video, të shtoni atë tek të favorizuarat, apo të shprehni mosinteresim për të.

Si ta postojmë një video në TikTok

Pasi keni hapur llogarinë tuaj në TikTok, jeni gati të postoni video në këtë platformë dhe ta ndani atë me publikun, apo të ndani atë vetëm me ndjekësit e juaj, apo edhe mund të mbani atë video privat.

Videot mund t’i postoni direkt nga kamera e mobilit tuaj duke mbajtur të shtypur butonin me ngjyrë të kuqe, pasi ta keni shtypur fillimisht butonin me shenjën plus për ta postuar videon.

Videot mund t’i bëni 15 sekondëshe, si zgjedhje e nënkuptuar, apo deri  60 sekondëshe. Por mund të zgjidhni po ashtu që të kombinoni disa foto që ato të postohen si shabllone fotografish. Përveç kësaj, mund të publikoni video që më herët i keni punuar, duke zgjedhur butoni “Upload” në të djathtë të butonit për incizim. Të gjitha videove që postoni, mund t’u shtoni muzikë direkt nga TikTok, mund të shkruani tekst mbi video dhe të shtoni edhe efekte të tjera.

Pasi e përgatitni videon për postim, sikurse në Instagram, keni mundësi të bëni një përshkrim të saj apo të shtoni “hashtag” në përshkrim, apo edhe ta etiketoni ndonjë shok. Sipas preferencës tuaj, mund të përcaktoheni nëse atë video doni ta ndani me publikun, vetëm me shokët tuaj, apo ta mbani privat. Mund të aktivizoni komentet ashtu që të pranoni komente për videon, mund ta ruani atë si draft për ta përdorur më vonë, apo edhe ta ndani automatikisht në rrjetat e tjera sociale si Instagram, Facebook, apo ta dërgoni në WhatsApp.

Përveç postimeve individuale, në TikTok është popullarizuar postimi i videove në duet, postimi i videove sfiduese apo “Challenge” – siç është sfida e vallëzimit duke u ngjitur shkallëve. Për të lejuar që një “muser” të bëjë duet me videon tuaj, gjatë postimit të videos ju duhet ta lejoni këtë duke aktivizuar opsionin “Allow Duet and React” siç shihet në foton lartë, ku në rastin tonë ky opsion është i fikur.

Në këtë artikull kemi paraqitur vetëm disa nga veprimet elementare që mund të bëni në këtë platformë. Në ditët në vijim do të flasim për këtë më gjerësisht me video, të cilën do të mund ta gjeni në kanalet tona në youtube.com/milingona dhe në video.gjirafa.com/milingona.

 

Print
Kategoria: Blog, Teknologji
Etiketimet: video tiktok
Vlerëso artikullin:
5.0

x

Kërko Blog

Më të shikuarat