Dallimet në mes të varfrit dhe të pasurit
Të varfrit kalojnë shumë kohë në media si: në televizor, Facebook, Instagram, TikTok e të ngjashme. Është për tu çuditur se sa shumë kohë harxhojnë njerëzit në këto media. Këto janë aso shpërqendrimi që të kapë e s’të lëshon. Nëse e di se kush nga të famshmit ka bërë të dashur, kush prej tyre është fejuar e kush është martuar, e pastaj kush prej tyre është ndarë, kush e çka kishte veshur dhe kush ia kishte dizajnuar veshjen, sa kishte harxhuar për të, e të ngjashme, dije se je duke kaluar shumë kohë në media. Thashethemet për të famshmit nuk i bëjnë mirë askujt përveç të famshmëve. Të pasurit synojnë të jenë në media e të varfrit duan të harxhojnë kohën me to. Prandaj jeta jote është kjo që është!
Krejt seritë që i shikon, krejt episodet që i përcjell një nga një, nuk të shërbejnë për asgjë veçse për t’u shkëputur nga realiteti. E mu këtu qëndron problemi, sepse për sa kohë je i shkëputur prej realitetit për aq kohë nuk je duke e jetuar jetën tënde. E në vend se ta jetosh jetën tënde, ti je duke ëndërruar jetën e atyre që i sheh në TV. Me fjalë tjera, ti je në gjumë!
Nejse, mund të gjesh arsyetim e të thuash se në TV i përcjellë lajmet, do që të jesh në rrjedhë me ngjarjet lokale dhe botërore. Por si do të jesh në rrjedha kur secili kanal televiziv, secili portal është i anshëm, secili prej tyre ka një agjendë ideologjike, politike, partiake etj. që mundohet ta promovojë. Për pasojë informacioni që e merr nuk është informacion por dez-informacion. Në lidhje më këtë aktori i famshëm Denzel Washington thotë: “Nëse nuk i lexon gazetat je i painformuar, ndërsa nëse i lexon ato je i keq informuar”, duke iu referuar lajmeve të rreme që i kanë mbërthyer sot mediat.
Të varfrit janë shumë të dhënë pas përcjelljes së sportit
Në të vërtetë nuk ka kurrfarë arsyeje të kesh interesim për sport përveç nëse vet je sportist ose je pronar i ndonjë klubi të sportit. Sporti është i njëjtë si televizori (mediat); të shërben vetëm për t’i ikur realitetit. Veç ndalu e mendoje, kur e shikon një ndeshje ti e vendos vetën në pozitën e një individi që nuk ka kurrfarë ndikimi në rezultatin e ndeshjes, zero ndikim. Rreziku është se mund të mishërohesh me këtë lloj pozicioni. Ky lloj qëndrimi pastaj të përcjellë në jetë, bëhesh spektator në vend se të bëhesh lojtar ose pronar. Pastaj fillon e i fajëson njerëzit, ndërsa vet s’ke bërë asgjë të mirë.
Të varfrit kryesisht hanë ushqim të shpejtë
Shëndeti është shumë i rëndësishëm por të varfrit nuk e kanë luksin, por as nuk e vrasin mendjen se çka ka në ushqimin që e hanë. As që e dinë se si duhet të duket një ushqim i shëndetshëm, idenë s’e kanë se çfarë vlerash ushqyese ka ushqimi që e hanë. Zakonisht të varfrit e ngarkojnë trupin e tyre me sheqerna dhe yndyra që s’kanë asnjë vlerë ushqyese dhe për pasojë nuk mund të shfrytëzojnë 100% të potencialit që e kanë. Kur mungon shëndeti krejt aspektet tjera të jetës janë të mangëta; mangësi fizike, mendore, profesionale, bile edhe romantike.
Të varfrit blejnë rroba ose produkte që janë me zbritje
Veç ndalu e mendo, rrobat që i blen me zbritje janë rrobat të cilat nuk i kanë blerë të pasurit sepse nuk iu kanë pëlqyer, prandaj edhe kanë mbetur për t’u shitur me çmim më të lirë. E çmimi i zbritet veç mallit që “se han pazari”. Kur t’i blejsh sendet me zbritje, s’je duke bërë gjë tjetër veçse je duke e futur vetën në kategorinë e njerëzve që nuk kanë para për ta blerë mallin me çmimin e tij të plotë.
Në rini, të varfrit zgjohen më vonë se të pasurit
Në përgjithësi të varfrit janë më dembelë, sidomos në vitet e tyre të rinisë. Dikush që në rininë e vet e ka shfrytëzuar kohën për të përparuar, ka më pak gjasa të mbetet i varfër në vitet e mëvonshme të jetës. Nëse zgjohesh vonë, nuk arsimohesh, humbë kohë në aktivitete të kota, në të ardhmen s’do të jesh në gjendje t’i bësh gjërat që kërkohen prej teje. Më e keqja është se njerëzit që nuk angazhohen maksimalisht në vitet e hershme të jetës e gjejnë vetën shumë të angazhuar – dhe atë vetëm sa për të mbijetuar – në vitet e vonshme të jetës, në ato vite kur nuk e kanë as gjysmën e energjisë që e kishin kur ishin të ri.
Të varfrit s’kanë asnjë kursim
Të varfrit nuk janë të përgatitur për gjërat që mund të vijnë në të ardhmen. Paratë e kursyera të mundësojnë të zhvillohesh. Në rast se të ndodh ndonjë fatkeqësi, me paratë e kursyera e zgjidh problemin, dhe jeta vazhdon. Por nëse nuk ke kursime, e gjendja kërkon trajtim urgjent, çfarë zgjidhje do të bësh? A do të shesësh ndonjë pasuri si p.sh. veturën, shtëpinë, apo do të marrësh kredi në bankë? Për atë që e zgjidh problemin me paratë që ka kursyer, kur të ketë kaluar fatkeqësia, jeta nuk do të ndryshojë, ndërsa, për atë që nuk i ka pasur këto kursime, stili i jetës do t’i pësojë goditje dramatike, ose do të jetë në dorën e kreditorit (bankës). Në anën tjetër, në rast se shfaqet ndonjë shans i ri për investim, ata që kanë kursime do të kenë mundësinë që kursimet e tyre të zgjerohen, të zhvillohen duke shfrytëzuar plotësisht shansin që është shfaqur, ndërsa për atë që s’ka kursime është njëjtë, u shfaq apo nuk u shfaq shansi. Prandaj të pasurit bëhen më të pasur ndërsa të varfrit bëhen edhe më të varfër.
Të varfrit përdorin karta krediti për gjëra pa vlerë
Të varfrit përdorin karta krediti, ose marrin hua në bankë për gjëra pa vlerë. Dallimi kryesor mes të pasurit dhe të varfrit është në mënyrën se si ata i përdorin paratë që i marrin hua. Nëse me huan që e merr nuk blen diçka që të sjellë para më shumë se huaja, atëherë mos e merr hiç. Është kaq e thjeshtë, huaja merret vetëm për t’u përdorë si investim. Hua nuk merret për të blerë televizor ose iPhone ose të ngjashme. Përveç nëse TV-në do ta përdorësh për të zhvilluar biznesin që e ke, ose do ta përdorësh iPhone-in për të zhvilluar ndonjë aplikacion të cilin pastaj do ta shesësh. Njëherë fitoji paratë e pastaj harxhoji.
Të varfrit i harxhojnë paratë para se t’i fitojnë ato, e kjo është një prej rreziqeve më të mëdha në jetë. Në atë moment që fillon t’i harxhosh paratë para se t’i kesh fituar, jeta jote fillon të degradojë. Nëse nuk i ke paratë për të blerë diçka që duhet atëherë puno, fitoji paratë, e pastaj harxhoji.