Modelet e të bërit biznes
Kompanitë prodhuese – janë ato kompani që i kombinojnë burimet e prodhimit për të nxjerrë një produkt i cili ka një vlerë të caktuar në treg, të cilën e përcakton oferta dhe kërkesa për atë produkt. Ato prodhojnë një produkt që është i prekshëm, i cili zë vend në hapësirë dhe mund të ruhet në formë të stoqeve për t’u shitur në të ardhmen.
Kompanitë shërbyese – për dallim të kompanive prodhuese nuk prodhojnë diçka të prekshme por që kryejnë një shërbim, vlera e të cilit gjithashtu varet nga oferta dhe kërkesa për të. Shërbimi nuk mund të ruhet për t’u shitur në të ardhmen. Kompanitë shërbyese janë p.sh. kompanitë që ofrojnë shërbime këshilluese, kontabiliteti, auditimi, shërbime ligjore, transporti etj.
Për dallim nga dy modelet e lartpërmendura të biznesit, platforma është model i të bërit biznes që krijon vlerë duke mundësuar (lehtësuar) këmbimin (shit-blerjen) mes dy ose më shumë grupeve të ndërvarura, zakonisht mes konsumatorëve dhe prodhuesve.
Këto biznese nuk krijojnë e as nuk kanë nën kontroll stoqe sikurse që kanë bizneset prodhuese. Platformat nuk kanë mjete për prodhim por kanë mjetet për të krijuar lidhjen mes kompanisë prodhuese/shërbyese dhe konsumatorit. Platformat e suksesshme mundësojnë këmbimin (shit-blerjen) duke i reduktuar shpenzimet e transaksioneve.
Si platforma të suksesshme në Kosovë mund të përmendim dy kompani: merr-jep.com dhe veturaneshitje.com si kompani që janë duke zhvilluar biznes për një kohë të gjatë. Ndërsa platforma më e re është kupohajna.com e cila synon të krijojë lidhje mes restoranteve dhe të klientëve të tyre. Me mijëra produkte prezantohen për shitje në këto platforma. Këto kompani, edhe pse pronare të platformave përkatëse, nuk janë pronare të produkteve që shiten në platformë, pronarë të atyre mijëra produkteve janë mijëra njerëz e qindra kompani prodhuese e shërbyese nga vende të ndryshme të Kosovës dhe jo vetëm.
Është me rëndësi të kuptohet se platforma është një model i biznesit, jo vetëm se një lloj i teknologjisë. Gjirafa.com p.sh. në pamje mund të duket si platformë, por dallon nga merr-jep.com dhe veturaneshitje.com për faktin se kompania gjirafa.com është edhe pronare e produkteve që prezantohen për shitje në të.
Në nivel ndërkombëtar si platforma të suksesshme njihen Facebook, Alibaba, Amazon, eBay, Google, Uber e shumë të tjera.
Pra, si përfundim platforma është model biznesi që kompanive prodhuese dhe shërbyese ua lehtëson lidhjen me konsumatorët e tyre potencial duke u ofruar klientëve të tyre informacion mbi produktet dhe shërbimet e tyre dhe duke u mundësuar edhe transaksionin (shitblerjen).