
Sistemi Elektronik Fiskal (SEF): çka ndryshon për bizneset në Kosovë
Kosova po kalon nga arkat fiskale klasike, te Softueri fiskal. Me Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026 (Ministria e Financave), i cili është në fuqi nga 27 prilli 2026, kuponi fiskal mund të lëshohet nga një program i certifikuar kompjuterik, pa arkat e posaçme fiskale që kemi njohur deri tani.
Në këtë artikull shpjegojmë çka është SEF-i, kush duhet ta përdorë dhe kur, si dhe çka ndodh me arkat fiskale që bizneset i kanë sot.
Çka është Sistemi Elektronik Fiskal (SEF)?
SEF-i (Softueri Elektronik Fiskal) është një program i certifikuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që bën punën e arkës fiskale. Ai regjistron shitjen, e nënshkruan kuponin fiskal në mënyrë elektronike, ia dërgon të dhënat ATK-së përmes internetit dhe e printon kuponin për blerësin.
Dallimi kryesor nga arka fiskale është se SEF-i nuk kërkon pajisje të posaçme. Mjafton një kompjuter, laptop ose tablet dhe një printer termik, siç e përmblodhi edhe ministri i Financave kur nënshkroi udhëzimin.
Sipas udhëzimit, çdo SEF duhet të plotësojë disa kërkesa minimale:
- Nënshkrim elektronik i çdo kuponi, me certifikatë digjitale për çdo pikë shitjeje.
- Lidhje e sigurt me ATK-në (HTTPS) dhe kod QR në kupon, që blerësi ta verifikojë.
- Vazhdimësi pa internet: kur lidhja me ATK-në ndërpritet, SEF-i vazhdon të lëshojë dhe të ruajë kuponat, dhe i dërgon automatikisht kur lidhja me internetin kthehet.
- Certifikim nga ATK: softuerin e certifikon zhvilluesi, jo biznesi. Biznesi zgjedh një SEF të certifikuar dhe aplikon në sistemin EDI të ATK-së për “Kodin Unik të Fiskalizimit”, te menyja Fiskalizimi › Kërkesë për Fiskalizim.
Kuponi fiskal mbetet i detyrueshëm për çdo shitje te konsumatori final, cilado qoftë mënyra e pagesës, ndërsa shitjet ndërmjet bizneseve vazhdojnë me faturë tatimore.
Kur ndodh kalimi nga arkat fiskale te SEF-i?
Kalimi veçse ka nisur, por jo për të gjithë njëherësh.
Bizneset që nuk kanë arkë fiskale, por janë të obliguara të lëshojnë kupon (shitje me pakicë dhe shërbime në lokale të hapura për publikun), nuk duhet të blejnë më arkë. Ato duhet ta instalojnë SEF-in brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit. Deri atëherë përdorin blloqe kuponash të fiskalizuara nga ATK.
Bizneset që kanë arkë fiskale nuk kanë afat të tillë. Udhëzimi i jep Ministrit të Financave të drejtën që, me vendim të veçantë, të caktojë cilat biznese kalojnë në SEF dhe brenda cilës periudhë.
A vazhdojnë arkat fiskale pas SEF-it?
Po, për tani. Arkat fiskale dhe sistemet fiskale që ishin në përdorim para udhëzimit të ri mbeten të ligjshme dhe vazhdojnë të punojnë. Udhëzimi i mban ato si pjesë të sistemit të fiskalizimit, bashkë me SEF-in.
Kjo nuk do të thotë që do të vazhdojnë përgjithmonë. Kalimi i bizneseve me arkë në SEF varet nga vendimi i Ministrit të Financave. Ai do të caktojë kush kalon dhe kur. Deri atëherë, biznesi me arkë ka dy zgjedhje:
- Ta mbajë arkën, me mirëmbajtjen dhe kontrollet e rregullta si deri tani.
- Të kalojë vullnetarisht në SEF, duke aplikuar në EDI për kalim nga arkë (PEF) në SEF. Kjo ka kuptim sidomos kur arka është e vjetër, kur biznesi ka disa arka, ose kur kompjuteri përdoret tashmë në pikën e shitjes.
Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar kompensim për bizneset që i kanë blerë arkat. Deri më tani nuk kemi parë vendim për këtë. Ndiqni njoftimet e ATK-së dhe të Ministrisë së Financave për çdo ndryshim.
SEFMilingona: SEF-i ynë për Windows
Ne në Milingona kemi zhvilluar një softuer MilingonaSEF – i certifikuar nga ATK, i cili është një aplikacion SEF për Windows i ndërtuar për këtë sistem të ri të fiskalizimit.
MilingonaSEF:
- Punon në kompjuterin që keni: Windows dhe një printer termik, pa arkë të posaçme.
- E bën fiskalizimin vetë: regjistron shitjen, e nënshkruan kuponin, ia dërgon ATK-së dhe e printon.
- Nuk ndalet pa internet: kuponat ruhen dhe dërgohen sapo lidhja të kthehet.
- Instalimi është i përfshirë: tekniku ynë e instalon në lokalin tuaj, e lidh me ATK-në dhe ju ndihmon me Kërkesën për Fiskalizim.
- Mbështetje dhe përditësime: kur ATK ndryshon rregullat, ne e përditësojmë aplikacionin.
Keni biznes pa arkë dhe ju duhet SEF, ose doni të kaloni nga arka në SEF? Dërgoni kërkesën në sef.milingona.al
Etiketa:arka fiskale, atk, sef, sistemi elektronik fiskal



