Facebook i jep fund sistemit të njohjes së fytyrës
Kompania mëmë e Facebook-ut – Meta – njoftoi të martën planet për të ndërprerë sistemin më se dhjetëvjeçar të “Njohjes së Fytyrës” dhe fshirjen e një sasie të madhe të modeleve të njohjes së fytyrës të më shumë se një miliard përdoruesve, si pjesë e një nisme të gjerë për të kufizuar përdorimin e teknologjisë nëpër produktet e veta.
Facebook prezantoi njohjen e fytyrës në vitin 2010 si një mjet për të etiketuar automatikisht fotot dhe videot me emra bazuar në një “shabllon të njohjes së fytyrës” e gjeneruar nga fotot e profilit të përdoruesve, si dhe fotot dhe videot në të cilat ata tashmë janë etiketuar, së bashku me njoftimin e përdoruesve kur ato shfaqen në përmbajtje multimediale të postuara nga përdorues të tjerë dhe ofrojnë rekomandime se kë të etiketojnë në foto.
”Ne po mbyllim sistemin e njohjes së fytyrës në Facebook. Njerëzit që tashmë e kanë përdorë këtë opsion nuk do të njihen më automatikisht në foto dhe video dhe ne do të fshijmë shabllonet individuale të njohjes së fytyrës të më shumë se një miliardë njerëzve.”, ka shkruar dje në një blog të kompanisë Jerome Pesenti, VP e Inteligjencës Artificiale të kompanisë Facebook.
Heqja e opsionit të njohjes së fytyrës nga platforma më e madhe e mediave sociale në botë, vjen pasi e tërë industria është përballur me një vlerësim gjatë viteve të fundit mbi etikën e përdorimit të teknologjisë.
Kritikët thonë se teknologjia e njohjes së fytyrës – e cila është e popullarizuar në mesin e shitësve me pakicë, spitaleve dhe bizneseve të tjera për qëllime sigurie – mund të rrezikojë privatësinë, të stigmatizoj grupet e margjinalizuara dhe të shtojë rastet e vëzhgimeve të paligjshme. IBM i ka dhënë fund shitjes së produkteve të njohjes së fytyrës, ndërsa Microsoft dhe Amazon kanë pezulluar shitjen e të dhënave për një kohë të pacaktuar.
Lajmi erdhi në kohën kur Facebook tashmë një kohë të gjatë është nën vëzhgim intensiv nga rregullatorët dhe ligjvënësit në lidhje me shqetësimet mbi sigurinë e përdoruesve dhe një gamë të gjerë abuzimesh në platformat e tij.
Mbyllja, e cila pritet të ndodhë gjatë javëve të ardhshme dhe të përfundoj në dhjetor të këtij viti, do të nënkuptojë se përdoruesit që kanë zgjedhur më parë këtë veçori nuk do të njihen më automatikisht te “Kujtimet”, fotot dhe videot ose nuk do të shohin etiketat e sugjeruara me emrin e tyre në fotot dhe videot ku mund të shfaqen. Për më tepër, vegla Automatike e “Alt Text” e kompanisë, e cili krijon përshkrime imazhesh për personat me shikim të dëmtuar, nuk do të përfshijë më emrat e njerëzve të identifikuar në foto, por do të funksionojë normalisht për opsionet e tjera.
Facebook nuk përjashtoi përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës në produkte të tjera, duke thënë se ende e sheh atë si një “mjet të fuqishëm” për verifikimin e identitetit.
Softueri i njohjes së fytyrës i kompanisë ka qenë prej kohësh objekt shqyrtimi. Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së e përfshiu atë në mesin e shqetësimeve kur gjobiti Facebook-un me $5 miliardë për të zgjidhur ankesat për privatësi gjatë vitit 2019.
“Ky është një lajm i mrekullueshëm për përdoruesit e Facebook dhe për lëvizjen globale që e shtyn këtë teknologji”, tha Electronic Frontier Foundation në një postim në Twitter.