E ardhmja e llogarisë tuaj në Microsoft është pa fjalëkalim
Ne përdorim fjalëkalime çdo ditë për t’u regjistruar në faqet tona të preferuara. Kjo është zhgënjyese kur dihet se shumica e faqeve të internetit i detyrojnë përdoruesit të krijojnë fjalëkalime komplekse që janë të vështira për t’u mbajtur në mend, ta ndryshojnë atë herë pas here, e po ashtu që ai të jetë unik. Dhe po e humbe njëherë fjalëkalimin, në shumicën e faqeve është tepër e vështirë rivendosja e tij.
Askush nuk i do fjalëkalimet. Megjithëse janë shumë të papërshtatshme, ato edhe janë caku primar i hakerëve, dhe janë shkaku kryesor i thyerjeve të sigurisë kibernetike.
Por çfarë alternative tjetër kemi?
Microsoft të mërkurën e kaluar (15.09.21) prezantoi një mekanizëm të ri – pa fjalëkalim – që u lejon të harroni fjalëkalimet e llogarive tuaja në platformat e kësaj kompanie dhe të hyni në llogaritë e juaja pa fjalëkalim duke përdorur Microsoft Authenticator, Windows Hello, një çelës sigurie ose një kod verifikimi të dërguar me SMS ose e-mail.
Ky opsion vjen vetëm disa muaj pasi Microsoft kishte lëshuar vërtetimin pa fjalëkalim për përdoruesit komercial në Mars (2021) për të ndihmuar njerëzit të përshtaten me realitetet e punës në distancë.
“Kur mendoj për sigurinë, mendoj se ju duhet të mbroni gjithë jetën tuaj. Tashmë nuk mjafton të mendosh vetëm për punën ose shtëpinë dhe gjithçka tjetër rreth tyre. Duke pasur parasysh cenueshmerinë e fjalëkalimeve, kërkesat për ato janë bërë gjithnjë e më komplekse, duke përfshirë simbole të shumta, numra, ndjeshmëri ndaj rasteve dhe moslejimin e fjalëkalimeve të mëparshme.”, ka deklaruar Vasu Jakkal nga Microsoft. ”Fjalëkalimet janë tepër të papërshtatshme për t’u krijuar, kujtuar dhe menaxhuar në të gjitha llogaritë në jetën tonë”, ka shtuar ai.
Me kalimin e viteve, fjalëkalimet e dobëta janë parë si pika e hyrjes për shumicën dërrmuese të sulmeve në llogaritë e ndërmarrjeve dhe konsumatorëve, aq sa Microsoft tha se rreth 579 sulme me fjalëkalime ndodhin çdo sekondë, që përkthehen në rreth $18 miliardë çdo vit.
Jakkal thekson që rreth 15% e njerëzve përdorin emrat e kafshëve shtëpiake si frymëzim të zgjedhjes së fjalëkalimeve, për të mos përmendur përdorimin e emrave të familjarëve dhe data të rëndësishme si ditëlindjet, ndërsa të tjerët përdorin një formulë për fjalëkalimet e tyre – si “Vjeshta2021”, që pastaj të bëhet “Dimri2021 ose Pranvera2022”.
Microsoft ka vite që po punon drejt një të ardhme pa fjalëkalime, dhe pandemia vetëm sa i ka përshpejtuar gjërat.
“Kur u përballëm me një transformim të tillë digjital dhe bizneset u detyruan të kalojnë në punën në distancë brenda natës… numri i ndërlidhjeve digjitale u rrit në mënyrë eksponenciale”, shpjegon Jakkal. “Numri i sulmeve u rrit në mënyrë eksponenciale, kështu që ishte një faktor i madh nxitës për ne që të përshpejtojmë shumë nisma tona të sigurisë.”, shtoi ai.
Duke përjashtuar fjalëkalimet, ideja është që ta bëni më të vështirë për sulmuesit të kenë qasje në një llogari duke përdorur një kombinim faktorësh për identifikim: si telefoni juaj (diçka që keni) dhe biometrika (diçka që jeni).
Përfitimet e vërtetimit pa fjalëkalim janë mjaftë të qarta. Shumica e njerëzve krijojnë fjalëkalimet e tyre, që shpesh është sfiduese të krijosh diçka që është e sigurt dhe e paharrueshme në të njëjtën kohë. Njerëzit shpesh i ripërdorin fjalëkalimet e tyre, duke i lejuar kështu sulmuesit të hyjnë shpejt në një sërë llogarish të komprometuara pasi një organizatë e caktuar është në shënjestër dhe fjalëkalimet janë ekspozuar.
Për të aktivizuar këtë opsion, pasi të kyçeni në llogarinë tuaj, tek profili juaj aty e hapni:
My Microsoft Account -> Security -> Advanced Security Options -> Passwordless account
Google, Apple dhe të tjerët po punojnë gjithashtu që sa më pak të mbështeten në fjalëkalime, duke bërë përpjekje për të zëvendësuar fjalëkalimet me një proces identifikimi më të sigurt.