Facebook gjobitet nga autoritetet Australiane me $529 miliard
Në vitin 2018, drejtuesit e Cambridge Analytica pohuan që kishin përdorur informacione “psikologjike” dhe “politike” të cilat i kishin marrë nga Facebook, për të ndikuar tek njerëzit përmes reklamave politike gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Gjatë kësaj kohe kishte shpërthyer skandali i njohur si Cambridge Analytica, pas publikimit se ishte cenuar privatësia e rreth 87 milion shfrytëzuesve të rrjetit Facebook.
Këto të dhëna, Cambridge Analytica i kishte marrë përmes një aplikacioni (pyetësori) në Facebook “This is Your Digital Life” i cili, aplikacion, ishte zhvilluar nga Aleksandr Kogan – një shkencëtar i të dhënave dhe psikolog – i cili e kishte zhvilluar aplikacionin me qëllim të hulumtimit të sjelljeve të njerëzve – sidomos në përdorimin e ikonave në Facebook për të shprehur emocionet – në një projekt studimor në Universitetin e Cambrigde-it, i cili në një intervistë me Anderson Cooper deklaron që nuk ishte në dijeni që të dhënat do të përdoreshin për të ndikuar tek votuesit.
Nga ana tjetër Facebook pretendon që Kogan t’i ketë shitur këto të dhëna tek Cambridge Analytica, me gjithë marrëveshjen që të dhënat të përdoreshin vetëm për qëllime studimi.
Sido që të ketë qenë puna, ky ishte një skandal me përmasa globale për të cilin skandal, Facebook në vitin 2019, kishte paguar gjobë prej $5 miliard për shkelje të privatësisë së qytetarëve amerikan, £500,000 për shkelje të privatësisë së qytetarëve anglez dhe po në të njëjtin vit është paditur me një shumë prej $1.6 milion dollar amerikan për shkeljen e privatësisë së qytetarëve brazilian.
Gjobat ndaj Facebook-ut për skandalin në fjalë nuk kanë të ndalur, pasi jo më larg se sot është ngritur edhe një padi nga shtetit i Australisë.
Komisionarja australiane për Informim, pretendon që Facebook në mënyrë të jashtëligjshme ka bërë publike të dhënat personale të qytetarëve australian në vitet 2014 dhe 2015 kur i kishte ndarë ato me aplikacion “This is Your Digital Life”.
“Ne mendojmë se këto veprime kishin lejuar që të dhënat personale të rreth 311,127 shfrytëzues të Facebook-ut, e që janë qytetarë australian, të shiten dhe të përdoren në mënyrë tinëzare për qëllime të ndryshme duke përfshirë edhe ato politike,” ka deklaruar Angelena Falk, komisionare australiane e informimit.
Sipas pretendimeve të komisionares, edhe pse aplikacionin e kishin instaluar vetëm 53 qytetarë australian, për shkak të aftësisë së aplikacionit që të mbledhë të dhëna nga lista e shokëve të personave që e instalojnë atë, besohet të jenë ekspozuar të dhënat e më shumë se 300,000 qytetarëve australian.
Komisionarja po ashtu pretendon që Facebook ka shkelur ligjet mbi privatësinë duke mos marrë hapat e duhur për mbrojtjen e të dhënave të shfrytëzuesve nga zbulimi i paautorizuar.
Sipas padisë së OAIC-s, mjegullia e rregullimit të privatësisë në Facebook kishte pamundësuar kuptimin nga qytetarët Australian që të dhënat e tyre po ndaheshin me aplikacionin. Përveç kësaj, dizajni i faqes së Facebook-ut në atë kohë, nuk u lejonte atyre që të kenë kontrollin e mjaftueshëm për të mbrojtur të dhënat e tyre.
“Rregullimet e nënkuptuara të Facebook-ut ndihmuan në demaskimin e informatave personale, duke përfshirë të dhënat senzitive, në kurriz të privatësisë së qytetarëve Australian”, deklaron komisionarja Falk.
OAIC njofton se ishte duke hetuar kompaninë Facebook në lidhje me këtë skandal që nga prilli i vitit 2018.
Sipas tyre, Gjykata Federale mund të ngarkojë kompaninë me një gjobë deri në $1.7 milion australian për secilën shkelje të privatësisë.