Sony Alpha 1 – fotoaparati më i fuqishëm pa pasqyra
Në konferencën e kësaj jave të kompanisë Sony, është prezantuar modeli i fundit i aparatit fotografik i kësaj kompanie Sony α1 (Alfa 1) – apo shkurtimisht Sony A1, i cili është fotoaparati apo kamera pa pasqyra më i avancuar i kësaj kompanie, duke ofruar një ndjesorë (sensor) të imazhit me rezolucion prej 50.1 megapiksela me kornizë të plotë[1], shkrepje me shpejtësi të lartë deri në 30 korniza në sekondë, video 4K dhe 8K me 30 korniza në sekondë me gjatësi deri në 30 minuta – duke përfshirë këtu video në xhirim të ngadalsuar, e shumë më tepër.
Me gjithë fuqinë e këtij foto-aparati, çmimi prej $6,500 me të cilin është ofruar është dukshëm mbi çmimin e aparateve fotografik të nivelit më të lartë të kompanive Canon dhe Nikon. Mirëpo kompania Sony premton që blerësit do të shpërblehen me teknologjinë më të avancuar dhe më inovative të foto-aparateve.
Fotoaparati Sony A1, do të filloj të shitet nga muaji Mars i këtij viti, edhe pse Sony nuk e ka specifikuar datën e saktë të shitjes për disa territore.
Fuqia e këtij aparati fotografik është ëndrra e fotografuesve të sportit dhe të filmit. Ndjesori i ri i imazheve ka të integruar memorie dhe një procesor të imazheve BIONZ XR, duke mundësuar shkrepje të njëpasnjëshme me shpejtësi mahnitëse prej 30 fps prej 50.1 megapiksela, me më shumë se 120 kalkulime AF/AE. Kapaciteti i fotografimit me Alfa 1 është përmirësuar dukshëm me një pamje elektronike OLED Quad-XGA me 9.44 milion pika, me një shkallë të rifreskimit prej 240 fps, duke siguruar që nuk do të ketë errësime në ekran. Po ashtu ofron 0.90x përforcim të pamjes, fusha e shikimit 41° diagonale, dhe një pikë shikimi prej 25mm lartësi, për një fotografi më të qartë, dhe me më pak shtrembërime.
Për të përkrahur edhe më shumë profesionistët në teren, Sony ka pajisur A1 me Wi-Fi me dy breza që përkrahë FTP pa tela 3.5 herë më të shpejtë se Alpha 9 II, HDMI port me dalje 16 bitësh, dy porte për karta memorie të tipit A CFExpress (të cilat pranojnë karta UHS-II SD), si dhe një port ethernet.
Soni zotohet që memoria punuese e këtij aparati u mundëson të shkrepni pa ndërprerë deri në 155 imazhe të kompresuara RAW me kornizë të plotë, apo 165 imazhe JPEG me kornizë të plotë me një shpejtësi deri në 30 korniza në sekondë duke ruajtur efektshmërinë e plotë të gjurmimit AF dhe AE. Alfa 1 do t’u mundësojë fotografuesve të kapin pamje si asnjëherë më parë.
Kjo fuqi procesimi ndihmon shumë në fokusimin automatik. Alfa 1 ka 759 pika autofokus (AF) që përfshinë 93% të ndjesorit të tij, por më e rëndësishmja është që mundëson auto-fokus të syrit të zogut në kohë reale, që është hera e parë për një lloj të tillë të kamerës nga Sony. Diçka të ngjashme tashmë ofron Canon EOS R5, kështu që krahasimi i këtyre të dyjave do të jetë interesant.
“Ne gjithmonë jemi fokusuar në kërkesat e klientëve tanë, duke sfiduar industrinë për të sjellë risi në treg që shkon përtej pritjeve të tyre ”, deklaron Neal Manowitz nga Sony. “Alfa 1 ka thyer të gjitha barrierat, duke vendosur një kufi të ri në atë se çka mund të bëjë një artist me një kamerë të tillë. Çka na ngazëllen më së shumti është fakti që kjo kamerë sjellë një botë të re të kreativitetit, duke bërë të pamundurën të mundur”.
Të gjitha këto janë të “paketuara” në një kuti të vogël me dimensione 129X97X70mm, e që nuk peshon më shumë se 737g.
Video zyrtare nga Sony në YouTube
[1] Kornizë e plotë (ang. Full Frame) është korniza prej 35mm (36X24mm) në aparatin fotografik, që është edhe standard i filmave të vjetër fotografik të fotoaparateve analog. E kundërta e kësaj është sensori i prerë – që dmth korniza është më e vogël se kjo madhësi, dhe vije me madhësi të ndryshme (24X16mm, 28.7X19mm, 23.6X15.7mm, 22.2X14.8mm, 20.7X13.8mm, etj.)
Tag:alfa 1, alpha one, aparat, foto, fotoaparat, fotografik, sony