Çka të bëjmë nëse na hakohet llogaria në Instagram?
Instagram është një rrjet social që përdorët shumë nga dizajnerët. Ai u shërben atyre edhe për marketing edhe si mjet për rrjetëzim, si dhe, si një mënyrë për të fituar klient të rinj.
Mirëpo këto llogari edhe mund të hakohen deri në njëfarë shkalle. Shpesh herë dëgjojmë nga klientët apo edhe nga shoqëria që kanë vërejtur disa veprime të dyshimta në llogaritë e tyre në Instagram.
Nëse keni frikë që llogaria juaj në Instagram është hakuar, apo në çfarëdo forme dikush i pa autorizuar ka ndërhyrë në llogarinë tuaj, u rekomandojmë të ndiqni hapat në vijim:
Si të mbroni llogarinë tuaj në Instagram?
Hakimi i llogarive në Instagram nuk është problem vetëm i njerëzve të profilit të lartë, prandaj mbrojtja e llogarisë tuaj në këtë rrjet social është e një rëndësie të veçantë – edhe nëse nuk keni shumë ndjekës. Secila llogari mund të jetë cak i sulmit nga hakerët, sepse nëse kanë sukses ata mund të vjedhin informata të rëndësishme; si të dhënat nga kartela e kreditit, adresën e të dhëna të tjera të ndjeshme.
Edhe pse e dimë që një fjalëkalim i fortë mund të ndihmoj në mbrojtjen nga sulme të tilla nga hakerët, janë edhe disa hapa të tjerë që duhet të ndërmerrni për të siguruar llogarinë tuaj në Instagram.
Aktivizo verifikimin me dy-faktorë
Verifikimi me dy-faktorë kërkon nga shfrytëzuesi që të fus një shifër që e marr nga një aplikacion si Google Authenticator apo një shifër që mund ta pranoni në mobilin tuaj me sms sa herë të provoni të kyçeni në llogarinë tuaj nga një pajisje e re. Kjo është një mbrojtje e mirë nga hakerët, dhe Instagram e ofron këtë mundësi të cilin mund ta aktivizoni nga faqja e sigurisë e aplikacionit.
Kontrollo për aktivitetin e qasjes në llogarinë tuaj
Kontrollo për aktivitetin e qasjes në llogarinë tuaj, i cili po ashtu mund të gjendet në seksionin e sigurisë të aplikacionit. Aty do të shihni të dhënat për të gjitha pajisjet në të cilat aktualisht është i hapur aplikacioni me llogarinë tuaj, si dhe të dhënat e lokacionit gjeografik. Nëse vëreni diçka të dyshimtë këtu, nga pajisja ku aktualisht jeni duke e përdorë Instagram-in mund të shkyçni llogarinë tuaj nga të gjitha pajisjet e tjera.
Kujdes nga e-mailat që pranoni nga Instagram
Nëse dikush tenton të rivendosë fjalëkalimin tuaj, apo nëse Instagram vëren ndonjë aktivitet të dyshimtë në lidhje me llogarinë tuaj, platforma do t’u njoftoj në lidhje me këtë përmes një e-maili – që do të thotë se ju duhet të veproni menjëherë.
Nëse pranoni një e-mail që thotë se dikush ka provuar të ndryshoj fjalëkalimin tuaj në Instagram dhe ai (dikush) nuk jeni ju, duhet të raportoni këtë menjëherë tek Instagram përmes vegzës (link-ut) që e shihni në atë e-mail. Dhe në një rast të tillë, duhet të ndryshoni fjalëkalimin menjëherë. Në rast se pranoni një e-mail që thotë që dikush ka ndryshuar e-mail adresën tuaj të lidhur me këtë llogari në Instagram, ju mund ta ktheni këtë ndryshim përmes vegzës në atë e-mail.
Por, duhet të keni shumë kujdes. Disa e-maila që në shikim të parë u duket se po vijnë nga Instagram, mund të jenë sulme “phishing” nga hakerët. Megjithatë Instagram ka zhvilluar një funksion që t’u ndihmoj në mbrojtjen tuaj. Nëse hapni seksionin e sigurisë në aplikacionin tuaj, mund të shihni se çfarë e-mailash ka dërguar Instagram brenda 14 ditëve të fundit, duke u ndihmuar kështu në verifikimin e autenticitetit të atyre e-mailave.
Çka duhet të bëni nëse nuk mund t’i qaseni llogarisë tuaj?
Nganjëherë, pa dashje e bllokoni llogarinë tuaj – përmes ndonjë veprimi të pavëmendshëm. Kjo është shumë e sikletshme, sidomos nëse keni llogari të një biznesi. Për shembull, të themi që një menaxher i rrjetave sociale ikë në një qytet tjetër për disa ditë. Nëse nuk ekziston një plan i qartë se si të veprohet në një rast të këtillë, mund të kaloj një kohë e konsiderueshme derisa pjesa tjetër e ekipit të kuptojë që nuk e dinë fjalëkalimin e llogarisë në Instagram.
Në atë rast, është aq e thjeshtë sa të thërrasësh atë punonjës – apo sikur të kesh kodet e sigurisë të ruajtura në një vend të sigurt. Kodet e sigurisë përdoren për të ri-vendosur autentikimin me dy-faktorë, dhe mund të gjenden tek faqja e sigurisë e aplikacionit Instagram.
Mirëpo mund edhe të ndodhë një thyerje e vërtetë, ku një i huaj i pa-autorizuar merr kontrollin e llogarisë tuaj në Instagram. Ka disa nivele të thyerjes së sigurisë. Ja se si të merreni me secilën prej tyre.
Dikush poston nga llogaria juaj, duke qenë ju të kyçur
Derisa hakerat fillimisht – pasi u hakojnë llogarinë – u ndryshojnë fjalëkalimin e llogarisë, mund të jeni aq me fat sa të jeni akoma të kyçur në atë llogari. Në rast se vëreni një veprimtari të dyshuar mashtrimi në llogarinë tuaj në Instagram, siç janë paraqitja në murin apo në faqen tuaj të postimeve apo historive të cilat ju nuk i keni bërë, mirëpo ju prapë se prapë jeni të kyçur në llogari, ju duhet të ndryshoni fjalëkalimin menjëherë. Kjo do ta largoj menjëherë këdo që është qasur në llogarinë tuaj pa autorizim. Gjithashtu, përmes faqes tuaj në Instagram (aktiviteti i identifikimit) duhet të dilni manualisht nga çdo pajisje e dyshuar, si dhe të revokoni hyrjen nga çdo aplikacion i palës së tretë që mund të ketë pasur thyerje të sigurisë.
Dikush ka ndryshuar fjalëkalimin tuaj
Nëse keni vërejtur që fjalëkalimi juaj nuk u mundëson futjen në llogarinë tuaj, ju duhet të ndiqni hapat për ri-vendosje të një fjalëkalimi të ri, ashtu siç u kërkon faqja e hyrjes e aplikacionit Instagram. Kjo me shpresë që vegëza për ri-vendosje të fjalëkalimit do t’u dërgohet në adresën tuaj në e-mail, apo në numrin tuaj të celularit, dhe ju mund të përdorni një kod sigurie ashtu që të mund të ndryshoni fjalëkalimin tuaj.
Dikush ka ndryshuar fjalëkalimin dhe informatat e juaja të kontaktit
Nëse nuk mund t’i qaseni llogarisë tuaj, si dhe nuk keni pranuar një vegzë për ri-vendosje të fjalëkalimit të ri kur ju keni kërkuar një gjë të tillë nga Instagram, lind dyshimi që dikush (ndonjë haker) ka ndryshuar adresën e-mail si dhe numrin tuaj të celularit. Në këtë rast ju duhet të raportoni llogarinë tuaj në Instagram duke ndjekur udhëzimet (kliko këtu). Do të kërkohet nga Instagram identifikimi i identitetit tuaj para se të rikuperohet llogaria juaj.
A mund të rikuperohet llogaria juaj pasi ajo të fshihet?
Ka raste kur hakerët i fshijnë të gjitha postimet e juaja, apo edhe vet llogarinë tuaj. Mirëpo akoma ka shpresë që të ktheni llogarinë tuaj në Instagram. Nëse dikush ua fshinë llogarinë, ju i keni 30 ditë kohë për të kontaktuar Instagram-in dhe për t’ua sqaruar atyre që llogaria e juaj është hakuar dhe u kërkoni atyre që të rikuperojnë llogarinë tuaj. Instagram pretendon se i ruan të dhënat për aq kohë. Sidoqoftë, ky është një bast i vështirë, prandaj ju nuk duhet të prisni kaq gjatë. Po u fshi njëherë llogaria, ajo edhe mund të mos u kthehet më.
Meqë asnjë metodë e mbrojtjes së llogarisë tuaj në Instagram nuk është plotësisht e sigurt, zbatimi i praktikave më të mira të sigurisë mund t’u ndihmojnë që të mos keni nevojë të hapni një llogari të re, e pastaj të filloni çdo gjë nga e para.
Nëse ky artikull ka qenë i dobishëm për ju, mund të jetë i dobishëm edhe për shoqërinë tuaj.