Rrip i dorës që i tregon shefit tuaj se sa jeni të kënaqur në punë
Në shikim të parë rripi i dorës nga silikoni do të duket si një pajisje për matjen e të rrahurave të zemrës kur ju ushtroni apo punoni.
Megjithatë, kjo teknologji në formë rripi, e quajtur Moodbeam (tregues i humorit) nuk është për të monitoruar shëndetin tuaj fizik. Për më tepër kjo pajisje i mundëson punëdhënësit të gjurmojë gjendjen emocionale të punëtorit.
Pajisja, e cila lidhen me një aplikacion në telefonin celular dhe me një ndërfaqe uebi, ka dy butona, një të verdhë dhe një të kaltër. Ideja është që ju të shtypni butonin e verdhë nëse ndiheni të lumtur, apo të kaltrin nëse ndiheni të mërzitur.
Kjo pajisje është e dedikuar kompanive të cilat duan të monitorojnë mirëqenien e stafit të cilët punojnë nga shtëpia. Të punësuarit inkurajohen të bartin pajisjen, edhe pse nuk janë të obliguar, dhe të shtypin butonin përkatës ashtu si të shohin të përshtatshëm gjatë ditëve të tyre të punës.
Menaxherët pastaj mund të shohin një panel kontrolli online për të parë se si ndihen dhe me çka përballen punëtorët. Pasi tashmë, për shkak të pandemisë, shefat nuk kanë kontakt fizik me ekipet e tyre, Moodbeam synon të mbushë këtë boshllëk.
“Bizneset po bëjnë përpjekje maksimale për të qëndruar të lidhur me stafin që punon nga shtëpia. Tani ata mund të pyesin 500 anëtarë përnjëherësh: ’jeni mirë?’ pa patur nevojë të kapin telefonin,” tregon Christina Colmer McHugh, bashkëthemeluese e kompanisë Moodbeam.
Ideja origjinale për produktin kishte lindur pasi ajo kishte hetuar që vajza e saj ishte duke u përballuar me vështirësi të mëdha në shkollë, dhe ajo donte të gjente një mënyrë për të parë në kohë reale se si ndihej vajza e saj. Pajisja kishte dalë në treg në vitin 2016 dhe ishte mirëpritur nga adoleshentët të cilët me dëshirë e mbanin atë me qëllim të njoftimit të prindërve të tyre se si ndiheshin me një të shtypur të butonit. Problemi ishte se sa do ishin në gjendje që edhe punëtorët ta bënin të njëjtën për të njoftuar shefat e tyre se si ndiheshin?
Ajo thotë se me të vërtetë edhe ata janë të lumtur me këtë. “pas shumë hulumtimeve, kemi kaluar nga të dhënat anonime në ato që mund të identifikohen, pasi hulumtimet kishin treguar që njerëzit duan të identifikohen.”
“Një anëtarë i ekipit ishte në një vend të parehatshëm, duke u përballë me një ngarkesë të madhe pune, dhe i zhgënjyer me atë se çfarë po ndodhte,” thotë Paddy Burt, administrator në “Brave Mind”, një organizate bamirësie në Mbretërinë e Bashkuar. “Nuk është diçka që do të na kishte shqetësuar, dhe as që do ta dinim derisa nuk i kemi parë të dhënat.”
Me depresionin dhe ankthet, që vlerësohet t’i kenë kushtuar ekonomisë globale $1 trilion në vit në produktivitet para pandemisë, sipas OBSH-s, shëndeti mendorë në mjediset e punës kanë qenë shqetësim prej kohësh. Mbyllja për shkak të Covid-19 vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen.
Në organizatën bamirëse të shëndetit mendorë “Mind” në Mbretërinë e Bashkuar thonë që vitin e kaluar rreth 60% të adoleshentëve mendojnë që shëndeti i tyre mendorë vetëm sa ishte përkeqësuar gjatë mbylljes së parë.
Në Mind thonë që derisa njerëzit vazhdojnë të punojnë nga shtëpia “është tejet e rëndësishme që punëtorët të japin përparësi shëndetit mendorë të stafit”.
“Ata që i japin përparësi mirëqenies së stafit kanë më shumë të ngjarë të raportojnë staf më produktiv, të cilët do të kenë më pak nevojë të marrin ditë të lirë, pushim, apo pushim mjekësor,” thotë Emma Mamo, shefe e “Mind” për mirëqenie në vendin e punës.