7 metoda teknike që u lehtësojnë punën
Sado që teknologjia është një arritje e jashtëzakonshme për njeriun ajo ndonjëherë bëhet dëshpëruese për fajin ose më mirë thënë për injorancën e përdoruesit të saj – pra njeriut.
Për të vërtetuar këtë, ju vetëm pyeteni dikë që e ka mbyllur telefonin me çelës sigurie (fjalëkalim, pin, apo model) dhe e ka harruar çelësin dhe nuk mund të qaset më.
Për të zotëruar teknologjinë nevojitet kohë dhe durim, por që në fund duhet të bësh që pajisja juaj të punojë për ju.
Prandaj, në vijim do të paraqesim disa këshilla dhe metoda që do t’u kursejnë kohë, nerva, dhe para në këtë drejtim. Sigurohuni që këto këshilla t’i ndani me të tjerët të cilët do të mund t’i fusin ato në përdorim.
1.Vendos kohëmatësin në Google
Supozojmë se jeni duke punuar diçka në kompjuter, ndërkohë që jeni duke pjekur diçka në furrë dhe nuk doni që ushqimi që gjendet në furrë të digjet. Ju mund të vendosni në google një kohëmatës që t’ua ri-kujtojë që ta kontrolloni furrën. Për shembull shkruani në shiritin për kërkim në google.com “set timer 3 min” për të vendosur kohëmatësin për 3 minuta. Pas kësaj kohe, llaptopi juaj, kompjuteri, tableti, apo celulari juaj do të lëshoj një tingull alarmi që t’u rikujtoj që është koha për të kontrolluar furrën.
Të njëjtën adresë (google.com –> set timer) mund ta përdorni edhe për të vendosur kronometrin.
2.Hiq syzet për lexim
Nëse u nevojitet të zmadhoni shkronjat për të lexuar, në një shihe uji apo një pako barnash etj. përdor kamerën e celularit tuaj.
Për ta aktivizuar aplikacionin, në iPhone apo iPad shkoni tek Settings, hap Accesssibility dhe shtypni në Magnifier për ta aktivizuar zmadhuesin e shkronjave. Pasi ta aktivizoni si opsion, mund ta gjeni tek “Utilities” për ta hapur.
Njëjtë veproni edhe me celularët me android. Vetëm se tani e keni edhe më të lehtë. Vetëm duhet të aktivizoni kamerën, ia drejtoni shkronjave të cilat doni t’i lexoni dhe e zmadhoni pamjen duke përdorur dy gishtërinj për t`i rritur shkronjat apo numrat. Në dyqanin e aplikacioneve mund të gjeni aplikacione të gatshme që u mundësojnë të njëjtën gjë.
3.Printo me të zeza nëse ngjyra e zezë e printerit është harxhuar
Nëse u është harxhuar ngjyra e zezë në printerin me ngjyra – që është e zakonshme, pasi ngjyra e zezë përdorët më së shumti – ndërroni ngjyrën e fondit në numrin heksadecimal #010101.
Kjo ngjyrë do të duket aq e zezë sa që vështirë mund të dalloni që ajo është 0.39% e kuqe, 0.39% e gjelbër dhe 0.39% e kaltër.
4.Mjegullo pronën tuaj në Google Maps
Nëse doni që Google Maps të mos e shfaqë shtëpinë apo veturën tuaj – për shkaqe privatësie – keni mundësi ta mjegulloni atë pjesë të fotografisë që u paraqitet në Maps.
Google ka vënë në lëvizje një numër të madh makinash të cilat vazhdimisht qarkullojnë rrugëve duke bërë fotografi në të gjitha anët për t’i paraqitur më pas ato në programin e tyre të hartave të njohur si Google Maps.
Nëse doni që shtëpia apo makina e juaj, e cila më parë është fotografuar nga këto makina, të mos paraqitet në publik, duhet të hapni Google Maps, pastaj shënoni adresën tuaj dhe zgjidhni opsionin e shikimit nga rruga (Street View). Klikoni në tre pikat vertikale dhe klikoni mbi “Report a problem”, pastaj futni veturën të cilën doni ta mjegulloni, plotësoni formën e paraqitur dhe klikoni në butonin “Submit”.
5.Thekso ose kërko përkufizimin e një fjalie
Nëse doni të theksoni një fjalë në tekstin që jeni duke e lexuar, klikoni (me tastin primar të miut – tastin e majtë) dy herë radhazi mbi të. Pasi të zgjidhni atë fjalë, ju mund ta kopjoni atë, apo të kërkoni në ueb dhe gjëra të tjera të lidhura me të. Këtë mund ta bëni nëse mbi fjalën e zgjedhur klikoni me tastin sekondarë të miut (zakonisht tasti i djathtë).
Ndërsa nëse klikoni tri herë radhazi mbi një fjalë, u zgjidhet i tërë paragrafi që pastaj të mund të bëni të njëjtën gjë si në rastin e parë – në rastin e zgjedhjes së një fjale.
6.Hiq logon e TikTok nga videot që i shkarkoni
Kur flasim për shenjat e ujit – shenjat dalluese të faqeve të ndryshme në ueb – nëse doni të shkarkoni një video nga rrjeti social TikTok, mirëpo nuk doni që t’u paraqitet shenja dalluese e TikTok-ut në video, fillimisht kopjoni linkun e videos në TikTok, pastaj linkun e kopjuar e vendosni në rubrikën përkatëse të faqes ttdownloader.com.
Pas kësaj vetëm shtypni butonin “Get video” dhe video do të shkarkohet në kompjuterin tuaj pa shenjën TikTok në të.
7.Gjej fjalëkalimet e harruara
A u ka ndodhë ndonjëherë të harroni fjalëkalimin në ndonjë faqe në ueb, të llogarisë në e-mail apo në ndonjërin nga rrjetat sociale? Sigurisht që u ka ndodhë.
Nëse ndonjëherë keni kërkuar nga një shfletues uebi të ruaj fjalëkalimin tuaj, ai do t’u ruhet në kompjuterin të cilin jeni duke e përdorë në atë moment, dhe mund ta gjeni përmes shfletuesit aktual të uebit.
Nëse jeni duke përdorë shfletuesin Google Chrome, fjalëkalimet e ruajtura mund t’i gjeni nëse hapni adresën: chrome://settings/passwords.
Nëse jeni duke përdorë shfletuesin Microsoft Edge, fjalëkalimet e ruajtura mund t’i gjeni nëse hapni adresën: edge://settings/passwords.
Nëse jeni duke përdorë shfletuesin Mozilla Firefox, fjalëkalimet e ruajtura mund t’i gjeni nëse hapni adresën: about:logins.
(Për këtë – për çështje sigurie dhe për të mbrojtur privatësinë tuaj – asnjëherë mos e leni llaptopin tuaj pa i vendosur një fjalëkalim të vështirë.)
Këto janë vetëm disa nga shumë mënyra se si të shfrytëzoni sa më shumë kapacitetet që u ofrojnë mjetet të cilat ju i përdorni gjatë gjithë kohës. Nëse ju dini ndonjë metodë tjetër që nuk është e përfshirë në këtë artikull, mund ta lini atë në koment në faqen tonë në rrjetat sociale.
Tag:fjalëkalim, google, kohëmatësi, lexim, logo, maps, mjegullo, printo, tiktok