AutoDraw e Google përdorë “machine-learning” që t’u mundësojë të vizatoni si profesionist
Jo çdokush ka talent për të vizatuar. Unë, p.sh., nuk jam aspak për këtë. Mirëpo, tani Google ka lansuar një eksperiment i cili përdorë algoritmin e “machine learning” (të mësuarit e makinës), për të shndërruar shkarravitjen tonë në një vizatim profesional duke bërë që ne të dukemi sikur po dimë se ç’po bëjmë.
Ne lehtësisht mund ta përdorim AutoDraw në telefonat mobil, si dhe në kompjuterët tonë. Ne thjesht fillojmë të vizatojmë në mënyrën tonë më të mirë një picë, një shtëpi, një qen apo një tortë për ditëlindje, dhe algoritmi provon të gjej atë që ne dëshirojmë të vizatojmë duke na ofruar disa propozime nga data baza e vet. Dhe nëse gjen ndonjë që i përshtatet vizatimit tonë, na i paraqet ato në një listë në pjesën e epërme të ekranit.
Nëse ne pastaj dëshirojmë ta përdorim ndonjërën nga ato opsione, vetëm klikojmë mbi të dhe AutoDraw na e zëvendëson vizatimin tonë amatoresk me një vizatim shumë më të avancuar.
Ky projekt, tani për tani përdorë teknologji të njëjtë me atë të eksperimentit të mëparshëm të Google “QuickDraw experiment”. “QuickDraw” është më shumë si një lojë, ku ju provoni të vizatoni një objekt duke shpresuar që algoritmi ta njeh atë brenda 20 sekondave.
Me AutoDraw, ju keni më shumë liri të eksperimentoni. Dhe përderisa në këtë artikull ju mund të lexoni gjithçka për AutoDraw, ndoshta më së miri është të shkoni tek adresa autodraw.com dhe ta provoni atë vet.