Inflacioni dhe Lira turke
Ekonomia e Turqisë është zhvilluar gjatë dy dekadave të fundit në masë të konsiderueshme nga lulëzimi i tregut të patundshmërive, çmimet e ulëta të patundshmërive ishin atraktive për investitorët e huaj. Kjo bëri që kërkesa për lirën turke të jetë e madhe, gjë që e forcoi atë në raport me euro/dollarin kështu që për rreth një dekadë lira ishte valutë stabile dhe norma e inflacionit ishte një shifrore.
Mirëpo me tu ngopur tregu i patundshmërive, kërkesa për lirën turke ra. Duke qenë se e ekonomia turke ishte në masë të konsiderueshme e mbështetur në financimin nga jashtë, d.m.th. në investimet e huaja në patundshmëri, në këtë pikë lira turke pësoi rënie dhe që atëherë nuk po mund të stabilizohet.
Përveç kësaj, sado që Turqia është e fokusuar drejt eksportit, nevoja e tregut turk për produkte të huaja mbetet e lartë. Kjo shkaktoi rënie të kërkesës për lira në njërën anë, përderisa në anën tjetër kërkesa për euro/dollar kishte mbetur e njëjtë (sepse produktet e importuara paguhen me euro/dollar), në mos të jetë rritur.
Fat të ngjashëm me lirën turke pati edhe rubla ruse, në fillim të luftës në Ukrainë, kur Rusisë iu vendosën sanksione tregtare. Mirëpo Rusia, duke ditur nevojën e madhe që ka në veçanti Evropa për gazin e saj, luajti mençur kur e imponoi pagesën e gazit vetëm me rubla. Kështu shumë shpejtë vlera e rublës në raport me euro/dollar u rivendos në nivelet e mëparshme, ndërsa tani është edhe më e fortë se që ishte.
Në përpjekje për të ruajtur vlerën e parasë kombëtare, banka qendrore e Turqisë ka përdorur politikën monetare, d.m.th. ka manovruar me normat e interesit, por pa efekt të dukshëm. Sado të larta që janë normat e interesit, niveli i lartë i inflacionit e amortizon dukshmen fitimin nga ky interes, prandaj nuk ka incentivë të mjaftueshme për të kursyer në lira apo për të reduktuar përdorimin e euros/dollarit.
Tani me zhvillimet e fundit në ekonominë globale, me inflacionin dy shifror që po e kaplon edhe Evropën e Amerikën dhe botën gjithandej, pasuar me ngritje të normave të interesit për euro/dollarë, investuesit e huaj kanë më shumë incentiva që t’i tërheqin investimet e tyre nga ekonomia turke dhe t’i investojnë në Evropë/Amerikë, përderisa kthimi në investim tani është më i lartë (duke pasur parasysh që para vitit 2020 normat e interesit që kanë paguar kanë qenë afër 0%).
Në këtë kontekst, për aq kohë sa Turqia të mos jetë në gjendje të forcojë ekonominë e vet, të arrijë një balancë mes importit dhe eksportit, problemi me valutën kombëtare do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht se çfarë bën banka qendrore e Turqisë, ngre apo ulë normat e kamatës, efekti do të jetë minimal.