Llojet e bizneseve
Për të ushtruar një biznes, së pari duhet të regjistrohesh si i tillë tek autoritetet përkatëse, gjegjësisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë dhe në Komunën ku biznesi ushtron veprimtarinë. Pronari/ët e regjistrojnë biznesin varësisht prej madhësisë – volumit dhe shumës së transaksioneve, numrit të punëtorëve dhe mënyrës së financimit të tij – a është pronë e një pronari të vetëm apo në biznes kanë hise më shumë pronarë. Duke u nisur nga këta faktorë përcaktues, bizneset mund të regjistrohen si:
1. Biznesi individual: biznesi ka një pronar i cili përgjigjet për të gjitha borxhet e biznesit ndaj autoriteteve shtetërore apo ndaj palëve tjera me të cilat ka hyrë në transaksione biznesore. Këtij lloj të biznesit i jepet një emërtim zyrtar që pasohet me shkurtesën “B.I.”
2. Ortakëria e përgjithshme: ka një ose më shumë ortakë të përgjithshëm, të cilët përgjigjen pa kufizim për borxhet e biznesit. Kjo do të thotë se nëse biznesi shkon në falimentim ortakët duhet të paguajnë të gjitha borxhet ndaj palëve tjera me pasurinë e biznesit, e nëse ajo nuk mjafton edhe me pasurinë personale. Emrit të këtij biznesi menjëherë pas tij i vihet shkurtesa “O.P.”
3. Ortakëria e kufizuar: në këtë biznes përveç ortakëve “të përgjithshëm” marrin pjesë edhe ortakët “e kufizuar” ose ata ortakë, që përgjigjen për detyrimet e biznesit deri në kufirin e vlerës së kontributeve të tyre. Pra në rast se falimenton biznesi dhe duhet shlyer borxhet ndaj palëve tjera, ortakët e kufizuar do të paguajnë jo më shumë se vlerën që e kanë kontribuar në biznes. Në ortakëri të kufizuar vetëm ortaku i përgjithshëm është i autorizuar të veprojë në emër të biznesit dhe të krijojë detyrime për të. Ndërsa ortakët e kufizuar nuk janë të autorizuar të bëjnë këtë prandaj edhe emërtimi i kufizuar. Emrit të këtij biznesi duhet vënë, menjëherë pas tij, shkurtesën “O.K.”.
4. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuara: ose korporata, është ai lloj biznesi të cilin e themelojnë një ose disa persona, të cilët përgjigjen për të gjitha borxhet e tyre dhe detyrimet tjera me tërë pasurinë e biznesit. Ky biznes ka një emërtim dhe, menjëherë pas tij, shkurtesën “SH.P.K.”.
5. Shoqëritë aksionare: Shoqëri aksionare janë ato biznese kapitali i të cilave ndahet në aksione dhe që aksionaret përgjigjen për të gjitha borxhet dhe detyrimet e tjera me tërë pasurinë e saj. Shoqëria mund të ketë një ose disa aksionar. Këtij biznesi i vihet emri prapa të cilit vihet shkurtesa “SH.A.”. Shuma e kapitalit fillestar të kësaj shoqërie është më së paku 10.000 €. Kapitali fillestar i SH.A. e dallon atë nga SH.P.K. sepse për të regjistruar këtë të fundit nuk kërkohet kapitali fillestar.
Tag:aksionar, aksionare, B.I, biznes individual, lojet e bizneseve, O.K, O.P, ortakëri, SH.P.K, shoqëri