Si mund të zhvillohet jeta online?
Derisa “coronavirus” është përhapur kudo në Botë, duke përfshirë edhe vendin tonë, ka shtyrë qeveritë, shkollat, dhe kompanitë kudo në botë të marrin masa drastike për të minimizuar ndikimin negativ që mund të ketë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Në vendet më të zhvilluara, tashmë është bërë normë të dëgjosh terme si puno nga shtëpia, mëso nga shtëpia, blej nga shtëpia etj., mirëpo tek ne këto terme janë relativisht të reja.
MIrëpo, kjo tani është bërë diçka e domosdoshme, dhe qeveria jonë po punon që të bëjë zgjidhje, sidomos për nxënësit – pra t’u mundësoi atyre mësimin nga shtëpia. Kjo shton kërkesën për softuer që u mundëson komunikim me video, biseda grupore, etj. për të mundësuar funksionim sa më normal të procesit mësimor.
E njëjta gjë po ndodhë edhe tek bizneset private. Edhe ato po punojnë nga distanca, mbajnë mbledhje, konsultime e takime online.
Për këtë arsye është shtuar dukshëm kërkesa për kapacitet të shtuar të qasjes në Internet, dhe për softuerë që u mundësojnë atyre komunikim të mirëfilltë online, për konferenca online me audio dhe me video.
Si përgjigje ndaj këtyre kërkesave, disa kompani të mëdha si Microsoft, Zoom, Slack dhe Google kanë ofruar softuerët e tyre falas duke marrë kështu përsipër të gjithë barrën, ashtu që të mund të sigurojnë kapacitetet e nevojshme për të përballuar kërkesën e shtuar për këto shërbime.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë Microsoft, në Kinë, nga fundi i Janarit e deri tani, “Microsoft Teams” ka pasur 500% rritje të përdorimit për takime, thirrje, dhe për konferenca. Edhe kompanitë Zoom dhe Google raportojnë për rritje të përdorimit të platformave të tyre.
Zoom ka hequr kufizimin e kohës për thirrjet me video, për versionin falas për Kinë dhe për shkollat në Japoni, e po ashtu me kërkesë edhe për Italinë dhe SHBA-të.
“Vërtetë ne donim të bënim atë që është e drejtë, dhe të shfrytëzonim rastin të kemi më shumë njerëz që e përdorin produktin tonë – Zoom, e që mendojmë që do të na shpaguhet në të ardhmen”, ka deklaruar për Yahoo Finance CFO e kompanisë Kelly Steckelberg.
Microsoft ka ofruar falas versionin Premium të softuerit të tyre Teams, për 6 muaj, si dhe ka hequr ndalesat e përdorimit për versionin falas të këtij softueri. Pra, versioni Premium i MS Teams vjen falas për ata që kanë paguar për “Office Suite”, derisa tashmë ai merret falas për disa shkolla.
Ngjashëm ka vepruar edhe Google, duke ofruar versionin Premium të “Hangouts Meet”, që t’u dal në ndihmë shkollave dhe bizneseve, të cilat tashmë janë të detyruara të veprojnë nga largësia.
Në një postim, Google shkruan:
“Pasi tani më shumë punëtorë, edukator, dhe student punojnë nga distanca si përgjigje nga përhapjes së sëmundjes COVID-19, ne dëshirojmë të japim kontributin tonë për t’i ndihmuar ata të jenë më të lidhur dhe më produktiv.
Versioni me pagesë i “Hangout Meet” do të jetë falas deri me 1 Korrik. Disa nga veçoritë Premium që do të keni mundësi të shfrytëzoni pa pagesë gjatë kësaj kohe janë:
- rritja e numrit të pjesëmarrësve deri në 250 për thirrjet;
- Transmetim ‘Live’ për një audiencë deri në 100,000 shfrytëzues, dhe
- Mundësia për të incizuar mbledhjet dhe të ruaj ato në “Google Drive”.
Slack gjithmonë ka pasur versionin falas, ku u ofron shërbime për webinar[1] me pyetje dhe përgjigje të drejtpërdrejta, si dhe informata mbi praktikat më të mira mbi punën nga shtëpia.
Coronavirus ka shtyrë fenomenet “puno nga shtëpia” dhe “mëso nga shtëpia”, nga një trend në rritje në fokus qendror për ata që punojnë kryesisht me kompjuter.
[1] Seminare përmes web-it