Si të fshijmë llogarinë nga Facebook
Facebook është një ndër rrjetat sociale më të mëdha në Botë me mbi 1.79 miliard shfrytëzues aktiv ditor. Megjithatë, në tre vitet e fundit, rreth 15 milion shfrytëzues të Facebook-ut kanë fshirë llogaritë e tyre nga kjo platformë.
Që kur kishte shpërthyer skandali i Facebook me Cambridge Analytica, shumë shfrytëzues kanë braktisur atë, të shqetësuar në lidhje me privatësinë e të dhënave të tyre.
Nëse edhe ju keni të njëjtat shqetësime, apo nëse dëshironi të largoheni nga platforma pasi keni ndjenjën e varësisë dhe dëshironi të largoheni nga ajo – qoftë edhe përkohësisht – në këtë artikull do të mund të lexoni për dy mënyra se si të arrini pikërisht këtë – largimin nga rrjeti social Facebook.
Njëra mënyrë është të largoheni nga Facebook për një kohë të caktuar duke e çaktivizuar llogarinë tuaj përkohësisht, ashtu që të mund të ktheni atë përsëri në rast se ndërroni mendje, dhe mënyra tjetër është të fshini atë përgjithmonë, me ç’rast ju nuk mund të hapni më atë llogari në të ardhme dhe e vetmja mënyrë për t’u kthyer në platformë është hapja e një llogarie të re aty.
Fshirja e llogarisë në Facebook nënkupton fshirjen e plotë të asaj llogarie, duke përfshirë të gjitha të dhënat dhe publikimet e bëra nga ajo llogari. Me rastin e kërkesës për fshirje, Facebook u njofton që kjo do të bëhet brenda 30 ditëve nga dita kur ju keni kërkuar që ajo të mbyllet. Megjithëkëtë, disa nga të dhënat tuaja mund të mbesin në kopjet rezervë të kompanisë deri në 90 ditë nga dita kur keni kërkuar fshirjen e llogarisë tuaj.
Kujtesë: nga këto të dhëna bëjnë përjashtim mesazhet që keni dërguar përmes mesengjerit të Facebook-ut, apo gjerat që i keni postuar në ndonjë grup.
Fshirja e llogarisë nga Facebook është një opsion që vlen vetëm për ata të cilët janë absolutisht të sigurt që nuk dëshirojnë të kthehen më në këtë platformë, apo që edhe nëse duan të kthehen, nuk e kanë problem që të fillojnë nga e para.
Nëse jeni i sigurt se doni të fshini një llogari që keni në Facebook dhe se nuk doni ta përdorni atë në të ardhmen, mund të hapni adresën https://www.facebook.com/deactivate_delete_account, apo të ndiqni këta hapa:
- Hapni menynë Llogaria, që ndodhet në pjesën e epërme në anën e djathtë të dritares në formë të kokës së shigjetës e drejtuar poshtë.
- Kliko mbi Parametrat dhe Privatësia > Parametrat.
- Kliko mbi Informacionet e tua të Facebook.
- Kliko mbi Deactivation and Deletion (Çaktivizimi dhe Fshirja). Me këtë rast Facebook u ofron dy mundësi: të fshini llogarinë përgjithmonë apo të çaktivizoni llogarinë përkohësisht – nëse doni të largoheni nga rrjeti social për një kohë të caktuar.
Nëse doni të fshini llogarinë, zgjedh Fshije përgjithmonë llogarinë dhe shtyp butonin “Continue to Account Deactivation”
Para se të vazhdoni me procedurën e fshirjes së llogarisë, Facebook u ofron dy opsione:
- Çaktivizo Llogarinë – nëse në vend të fshirjes, doni të çaktivizoni llogarinë duke mbajtur mesengjerin e Facebook-ut, dhe
- Shkarko informacionet e tua – për të cilën kemi shkruar në një artikull të publikuar kohë më parë (lexo më shumë) – nëse doni të shkarkoni informacionet, fotot, dhe videot të cilat i keni postuar në Facebook në të kaluarën.
Nëse doni të vazhdoni me fshirjen e llogarisë klikoni mbi butonin “Fshi llogarinë”, me ç’rast, për shkaqe sigurie, Facebook do të kërkoj nga ju që të futni fjalëkalimin për atë llogari – që të sigurohet që nuk po fshini një llogari të huaj. Pas futjes së fjalëkalimit në rubrikën përkatëse, Facebook u njofton edhe një herë – për herë të fundit – që ju jeni duke e fshirë llogarinë tuaj nga kjo platformë, dhe se fshirja do të jetë e përjetshme. Megjithatë, po ashtu u njofton që ju keni 30 ditë kohë që të hiqni dorë nga fshirja e llogarisë. Pas 30 ditëve do të filloi procedura e fshirjes së llogarisë dhe se ju nuk do të mund të ktheni më atë llogari në të ardhmen. Nëse vazhdoni me fshirje, Facebook do t’u nxjerrë nga llogaria dhe do të paraqitet dritarja “Hyr në Facebook” nga ku ju mund të kyçeni në ndonjë llogari tjetër aktive në këtë platformë.
Nëse në këtë dritare ju shënoni emrin dhe fjalëkalimin e shfrytëzuesit të llogarisë që sapo planifikuat ta fshini, do të hapet një dritare me të cilën Facebook u ri-kujton që jeni duke provuar të hapni një llogari e cila është planifikuar të fshihet, me ç’rast u ofron dy opsione – të anuloni fshirjen e asaj llogarie, me ç’rast procesi i fshirjes do të anulohet dhe ju mund të vazhdoni ta përdorni atë llogari, dhe të konfirmoni fshirjen e llogarisë, me ç’rast vazhdon procedura e mëparshme për fshirjen e llogarisë në fjalë.
Për të parë këtë procedurë, klikoni mbi foton lëvizëse në vijim.
Çaktivizimi i llogarisë në Facebook është një alternativë e fshirjes së llogarisë, për ata të cilët duan të largohen përkohësisht nga Facebook, mirëpo nuk duan ta fshijnë llogarinë e tyre, në mënyrë që të mund të kthehen aty përsëri. Facebook nuk do të fshijë asgjë nga të dhënat apo nga postimet e juaja, ashtu që kur të ktheheni të mund t’i gjeni shoqërinë, postimet, pëlqimet dhe gjërat e tjera që keni bërë në Facebook para çaktivizimit të llogarisë.
Edhe pse ju e çaktivizoni llogarinë, miqtë tuaj nuk do të njoftohen për këtë nga Facebook, të cilët mund të shohin llogarinë tuaj dhe mund të merakosen kur shohin që ju nuk postoni si më parë. Për këtë qëllim, është mirë t’i njoftoni ata që ju do të largoheni përkohësisht nga rrjeti social.
Nëse doni ta shfrytëzoni këtë mundësi, ju mund të ndiqni hapat e njëjtë si për fshirje të llogarisë, vetëm se në vend të opsionit për fshirje të llogarisë ju zgjidhni opsionin “Çaktivizo llogarinë”. Me këtë rast, për shkaqe sigurie, Facebook do të kërkoi nga ju të futni fjalëkalimin e asaj llogarie, dhe më pas u pyet për arsyen e largimit nga rrjeti social. Ju mund të zgjidhni një nga alternativat e ofruara dhe të vazhdoni me çaktivizimin.
Megjithëse ju mund ta çaktivizoni llogarinë tuaj në këtë mënyrë, ju prapë se prapë do të merrni njoftime në rast se dikush nga lista e miqve u fton në ndonjë ngjarje; nëse u etiketon në ndonjë foto; apo nëse u kërkon të bashkoheni me ndonjë grup në Facebook. Dhe, meqë ju nuk do ta hapni më Facebook-un, këto njoftime do t’i pranoni me e-mail. Për të mos pranuar e-mail-a të këtillë nga Facebook, ju duhet të zgjidhni opsionin “Email opt out”.
Ndërsa nëse duam ta mbajmë mesengjerin e Facebook-ut edhe pasi ta çaktivizojmë llogarinë në Facebook, duhet të zgjedhim këtë opsion.
Me rastin e çaktivizimit të llogarisë, Facebook u njofton që mund të aktivizoni llogarinë përsëri kurdo që ju të jeni të gatshëm për këtë gjë, mjafton të hapni Facebook-un duke përdorë e-mail adresën dhe fjalëkalimin si më parë.
Në lidhje çaktivizimin e llogarisë në Facebook, ne kemi përgatitur edhe një video-trajnim të cilin mund ta gjeni në kanalet tona në YouTube.com/milingona dhe në video.gjirafa.com/milingona.