Si të zbuloni se cfarë mbajnë gjigantët e teknologjisë nga të dhënat tuaja
Facebook, Twitter dhe Google, me siguri kanë nga të dhënat tuaja më tepër se sa mendoni. Dhe e vetmja mënyrë për ta zbuluar këtë është t’i shkarkoni ato komplet.
Skandali i Facebook me Cambridge Analytica, i cili shpërtheu në fillim të këtij viti, me siguri do të mbahet mend si skandali i vitit 2018 në teknologji. Del në shesh fakti që ishin mbledhur të dhënat e me tepër se 87 milion shfrytëzuesve të Facebook-ut – pa dijeninë e tyre – të cilat ishin përdorë për të ndikuar tek opinioni publik në ngjarje politike, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale të 2016-tës në SHBA dhe në referendumin e Unionit Evropian të 2016-tës në Mbretërinë e Bashkuar, i cili rezultoi me Brexit.
Hulumtuesi i të dhënave, Christopher Wylie, para senatit kishe dëshmuar se ai e kishte bërë publike këtë fakt pasi nuk ishin dëgjuar vërejtjet e tij nga zyrtarët e Cambridge Analytica, ku ky i fundit ishte në pozitën e Drejtorit të Hulumtimit.
Shiko videon
Si pasojë e kësaj, Facebook bie në krizën më të madhe që kishte pasur ndonjëherë, duke e detyruar rrjetin social të bëjë një varg ndryshimesh në mënyrën e trajtimit te të dhënave të shfrytëzuesve. Kjo gjithashtu e le shfrytëzuesin e internetit me dilemën se çfarë nga të dhënat tona mbajnë gjigandët e teknologjisë dhe çfarë bëjnë ata me ato të dhëna?
“Ne kemi kërkuar falje, mirëpo nuk është qëllimi këtu tek kërkim-falja. Qëllimi është tek hapat që po ndërmarrim”
– Sheryl Sandberg: Zyrtare e lartë operative (COO) e Facebook
Shiko videon
Pavarësisht kësaj, ne vet duhet të kujdesemi për të dhënat tona. Për këtë arsye, ne kemi përgatitur këtë udhëzim, nga ku mund të mësoni se si të shkarkoni të dhënat tuaja nga Facebook dhe vartësi i tij – Instagram, nga Twitter dhe nga Google duke përfshirë YouTube, dhe të kuptoni se çfarë dinë ata për ju. Edhe pse zyrtarët e këtyre kompanive deklarojnë në favor të mbrojtjes së të dhënave tona, fillimisht ne vet duhet t’i mbrojmë ato.
“Gjithmonë e kemi marrë me seriozitet privatësinë (e shfrytëzueseve), mirëpo jo mjaftueshëm.”
– Sheryl Sandberg: COO e Facebook
Shiko videon
Siç edhe do të shihni në vazhdim, disa nga këto kompani, procesin e marrjes së të dhënave tuaja e kanë bërë më të lehtë se të tjerat. Megjithatë, duhet pasur parasysh që shkarkimi i të dhënave tuaja nga serverët e këtyre kompanive, nuk i fshinë ato nga kompanitë në fjalë. Secili gjigand i teknologjisë akoma do t’i ketë ato të dhëna në lidhje me ju. Por, së paku ju do të dini se çfarë mbajnë ato kompani në lidhje me ju. Duhet të keni kujdes se çfarë postoni në këto apo sajte të tjera. Shkarkimi i këtyre të dhënave, që praktikisht janë të dhënat tuaja, nga serverët e këtyre kompanive, bëhet edhe për çështje praktike – që ju të mund të shkarkoni të dhënat tuaja që i keni publikuar në sajtet e këtyre kompanive, që ndoshta nuk i keni më.
Si të shkarkoni të dhënat e juaja nga Facebook
Ju paralajmërojmë që, varësisht se sa kohë e përdorni Facebook-un, mund të shokoheni kur të kuptoni se sa shumë të dhëna kanë ata për ju. Nuk po flasim këtu vetëm për fotot që i keni postuar apo vendet që i keni vizituar, mirëpo edhe për atë se me kë i keni shkëputur lidhjet (unfriend), qëndrimet e juaja politike, e deri tek të dhënat e dallimit të fytyrës. Akoma jeni të interesuar të zbuloni këtë? Ja se si:
- Hapeni një shfletues uebi dhe kyçuni në adresën tuaj në facebook
- Shkoni tek faqja “Informacionet e tua të Facebook” e profilit tuaj
- Kliko menynë “Shkarko informacionet e tua”, apo mbi “Shiko” në një vijë horizontale me të
- Në faqen “Shkarko informacionet e tua”, do të shihni një listë zgjedhore nga ku ju mund të zgjidhni se cilat informata dëshironi t’i shkarkoni. Këto radhiten nga Postimet deri tek Thirrjet dhe Mesazhet. Nëse i zgjidhni të gjitha, do të shihni çdo gjë që Facebook ka për ju. Ne ju rekomandojmë të zgjidhni të shkarkoni të gjitha informatat e juaja (duke i zgjedhur ato) në formatin HTML me cilësi të lartë – nëse dëshironi t’i ruani fotot dhe videot me atë cilësi
- Tani klikoni butonin “Krijo një skedar”
- Pas kësaj, ju do të pranoni një e-mail nga Facebook ku iu thuhet që po punojnë në përgatitjen të dhënave tuaja. Më pas, ju do të pranoni një e-mail të dytë me rastin e përgatitjes së të dhënave tuaja, duke përfshirë edhe linkun të cilin ju duhet ta klikoni që të shkarkoni të dhënat tuaja të cilat vijnë të ngjeshura (zipuara) në një fajll. Përveç njoftimit me e-mail, ju do të pranoni edhe njoftim në faqen e Facebook-ut tek njoftimet
-
- Nëse iu qaseni të dhënave tuaja përmes e-mailit: Në mesazh do t’iu dërgohet lidhja (linku) e cila iu dërgon tek faqja e Facebook-ut “Shkarko informacionet e tua” nga ku ju mund të shkarkoni të dhënat tuaja
- Nëse iu qaseni të dhënave përmes Facebook-ut: Hapeni shiritin e njoftimeve dhe klikoni mbi njoftimin “Të dhënat e tua të Facebook janë gati për t’u shkarkuar.”
- Klikoni mbi butonin “Shkarko”
- Ruajeni dosjen e ngjeshur në diskun e kompjuterit tuaj
- Gjeje dosjen e shkarkuar dhe ekstraktoje në folderin e dëshiruar
- Hape folderin me të dhënat e shkarkuara nga Facebook dhe ekzekutoje dosjen “index.html”.
Pasi t’i keni shkarkuar të dhënat dhe t’i keni hapur ato përmes fajllit “index.html”, do të mund t’i hapni dhe t’i shihni të dhënat që Facebook i ka ruajtur, nga “Postimet”, “Fotografitë dhe videot”, “Komentet”, “Pëlqimet dhe reagimet” e deri tek informacionet e rrjetit nga ku jeni kyçur në Facebook dhe “Informacionet e rrjetit” që i ke përdorë. Shiko videon
Si t’i shkarkoni të dhënat tuaja nga Instagram
Instagram tashmë është pronë e kompanisë Facebook. Mirëpo, të dhënat këtu mbahen të ndara dhe ashtu të ndara duhet t’i trajtojmë ato. Për të shkarkuar të dhënat tuaja nga Instagram ndiqni këta hapa:
- Hapeni Instagram në shfletuesin e uebit nga kompjuteri dhe kyçuni në llogarinë tuaj aty
- Hapeni faqen e profilit tuaj
- Hapeni menynë kryesore dhe klikoni mbi “Privacy and Security”
- Zbritni deri tek “Data Download” dhe klikoni linkun “Request Download”. Të dhënat tuaja do të shkarkohen brenda 48 orëve – varësisht nga volumi i tyre, dhe këtë kërkesë nuk mund ta bëni më tepër se një herë brenda kësaj periudhe. Nëse nuk keni shumë shënime, ju mund të njoftoheni brenda pak minutave që ato janë gati për shkarkim.
- Shënoni e-mail adresën tuaj, ku dëshironi të pranoni linkun për shkarkim te të dhënave
- Shënoni fjalëkalimin e llogarisë tuaj në Instagram dhe kliko butonin “Request Download”. Prisni derisa të pranoni e-mail nga Instagram. E-maili do të ketë si subjekt apo si titull: “Your Instagram Data”.
- Hapni e-mailin dhe klikoni mbi butonin “Download Data”
- Hapni llogarinë përmes “username” dhe “Password”
- Klikoni mbi linkun “Download Data”
- Ruajeni dosjen e cila vjen e ngjeshur (zipuar)
- Hapni dosjen e ruajtur dhe e ekstraktoni atë.
Veprimet e juaja në Instagram, si komentet, pëlqimet etj. iu ruhen si dosje të punuara me JavaScript, me prapashtesën .json (JavaScript Object Notation). Këto dosje mund t’i hapni me Word, WordPad apo me Notepad. Mirëpo, mund t’i hapni edhe online përmes JSON Editor Online. Disa nga këto informata, si p.sh. lidhjet (connections), përmes këtij editori online mund t’i lexoni më qartë se me Word apo WordPad. Shiko videon
Si të shkarkoni të dhënat nga Twitter
Twitter është një rrjet social më pak i përdorur, në krahasim me facebook, snapchat apo youtube. Ky rrjet është i njohur për postimet e shkurtër të njohura si “tweet”. Sa i përket të dhënave që mbledhë, mund të konsiderohet se mbledhë më pak të dhëna, apo më mirë të themi që ne mund të shkarkojmë më pak të dhëna nga ky rrjet.
Për të shkarkuar të dhënat tuaja nga Twitter ndiqni këta hapa:
- Hapeni llogarinë tuaj në twitter nga kompjuteri
- Klikoni mbi foton e profilit dhe hapni “Settings and privacy”
- Zbrisni poshtë dhe klikoni mbi “Request your archive”
- Twitter nuk ua jep mundësinë të zgjidhni se çfarë informata të përfshihen në arkiv. Në momentin që arkivi është gati, ju do të pranoni një e-mail me një tast për shkarkim te të dhënave (Download now)
- E ruani dosjen e shkarkuar, e cila vjen e ngjeshur dhe e ekstraktoni atë
- E hapni dosjen “index.html”
Shënimet që i shkarkoni, iu vijnë të organizuara sipas kohës kurë i keni postuar ato. Shiko videon
Si të shkarkoni të dhënat nga Google
Kur jemi tek mbledhja e të dhënave të shfrytëzueseve, Google është po aq i frikshëm sa edhe Facebook – në mos më shumë, sa i përket të dhënave që kompania mbledhë dhe ruan. Kjo, kur kemi parasysh shërbimet e shumta që kjo kompani ofron, duke përfshirë postën elektronike, youtube dhe shërbime të tjera të njohura si kompleti G (ang. G Suite). Jo vetëm që Google ruan secilin e-mail që e dërgoni apo pranoni, por nëse e keni përdorë aplikacionin e hartografisë Google Maps, mund të ketë ruajtur edhe historinë e vendndodhjes tuaj. Google, gjithashtu di se çfarë artikuj keni lexuar në Google News dhe çdo gjë që keni pyetur Google Assistant. Të mos flasim për atë që Google di edhe për videot që i keni shikuar në youtube, e shumë gjëra të tjera. Për të gjetur se “çfarë di” Google për ne dhe të shkarkojmë ato informata, ndjekim këta hapa:
- Hapim Google Account të llogarisë tonë (sigurohu që je i kyçur në llogarinë tuaj)
- Nën “Personal Info & Privacy”, hapeni “Control your content”
- Nën “Download your data”, hapeni linkun “CREATE ARCHIVE”
- Zgjidhni të shkarkohen të gjitha të dhënat, apo vetëm ato që iu interesojnë
- Kaloni në fund të listës dhe shtypni ”Next”
- Zgjidhni se si e dëshironi arkivin (llojin dhe madhësinë e dosjes, dhe mënyrën e dërgimit/pranimit) dhe shtypni “CREATE ARCHIVE”
- Hapeni e-mailin, nëse keni zgjedhur të iu dërgohet linku me e-mail, dhe klikoni mbi “Download archive”dhe fusni fjalëkalimin e llogarisë
- Pasi të shkarkohet dosja, ekstraktoni atë në një lokacion të përshtatshëm dhe ekzekutoni dosjen “index.html”
Tani mund t’i shihni të dhënat tuaja, të cilat kompania Google i ka të ruajtura në serverët e tyre. Shiko video
Kjo nuk do të thotë që ata nuk kanë më tepër të dhëna në lidhje me ju. Kjo do të thotë që kaq keni qasje ju në të dhënat tuaja që ruhen në serverët e tyre. Shqetësimi ynë, nuk është që ata i mbledhin këto informacione (me arsyetimin që të na ofrojnë shërbim më cilësorë), por shqetësim i yni është se çka bëjnë ata me krejt këto informacione?!
Po e përfundojmë këtë Blog, me një thënie nga Edward Snowden në lidhje me privatësinë.
“Arsyetimi se ju nuk shqetësoheni për privatësinë pasi që nuk keni çka të fshehni, është njëlloj sikur arsyetimi se nuk shqetësoheni për fjalën e lirë pasi që nuk keni çka të thoni”
Edward Snowden
Tag:facebook, google, privatësia, twitter