Softuerët më të mirë për video-konferenca për vitin 2020
Përhapja aktuale e virusit “Corona”, ka detyruar shumicën e kompanive në Botë të kalojnë nga puna në zyrë, në punën nga shtëpia, duke synuar njëkohësisht, që kjo të mos ndikoj negativisht në produktivitet.
Për të arritur këtë, kompanitë u janë drejtuar aplikacioneve që ofrojnë video-konferenca dhe aplikacione që ofrojnë bashkëpunim nga distanca.
Është fakt që kjo nuk mund të zëvendësojë takimet nga afër – sy më sy – ku prania është më prezent, mirëpo meqë jemi duke jetuar në kohën e “distancës sociale”, takimet në distancë – me video – janë një mundësi e artë.
Me një kompjuter dhe një kamerë uebi, apo me një pajisje mobile “smart”, ju mund të zhvilloni takime individuale apo edhe me grup, pavarësisht lokacionit ku ndodheni, duke ofruar kështu fleksibilitetin e të punuarit nga shtëpia, në kohën kur qëndrimi në shtëpi është bërë tashmë i detyrueshëm.
Rritja e shqetësimit të ambientalistëve për emetimin e karbonit në hapësirë për shkak të udhëtimeve me mjete motorike, i epë edhe më tepër kuptim qëndrimit në shtëpi dhe mbajtjes së konferencave dhe takimeve “online” përmes uebit, në krahasim me shpenzimet që do të duhej të bëheshin për të udhëtuar nga një vend në tjetrin.
Ofertat e zakonshme për konsumatorët që bëjnë kompanitë si Skype, Google (Hangouts) apo Apple (Facetime) kanë bërë që komunikimet me video të duken si pjesë normale në procesin e një bisede. Pritjet që bizneset dita ditës do të rrisin përdorimin e softuerëve për konferenca dhe për seminare përmes ueb-it, thjesht në saje të ofrimit të një mori përfitimesh si koha, shpenzimet etj, janë evidente.
Në vazhdim do të listojmë disa nga aplikacionet më të mira për takime virtuale, disa nga të cilat janë më të popullarizuara tek ne, e për disa flitet më pak edhe pse ofrojnë një mori cilësish duke i bërë ato konkurruese në treg.
Cisco Webex Meetings
Webex Meetings është një platformë për video-konferenca e themeluar në vitin 1995 si kompani, të cilën Cisco e bleu ($3.2 miliard) në vitin 2007. Për vet faktin që prapa këtij aplikacioni qëndron Cisco, pritjet natyrshëm janë të mëdha – dhe nuk do të zhgënjeheni. Edhe pse ekzistojnë disa versione me pagesë, në të shumtën e rasteve versioni falas do të jetë më se i mjaftueshëm për ju.
Ky version u ofron mundësi të mbani konferenca me video HD deri në 40 minuta, me deri në 50 pjesëmarrës, me mundësi të ndarjes së ekranit, të cilat mund t’i regjistroni dhe t’i ruani (MP4) – duke ruajtur edhe transkriptimin e bisedave – në të cilat mund të kërkoni për ndonjë fjalë kyçe, dhe u mundëson të keni dhomë për biseda private. Për t’i ruajtur këto biseda dhe për ndarje të dokumenteve ju keni në dispozicion 1 GB hapësirë në re (cloud).
Nëse këto kufizime u prishin punë, ju mund të blini versionin “Starter” për $15/muaj për shfrytëzues, i cili u ofron takime të gjata deri në 24 orë, 5 GB hapësirë në re, dhe integrim me platformat e tjera për video si MS Teams, MS Outlook, PowerPoint, Skype e aplikacione të tjera.
Versioni “Plus”, të cilin mund ta merrni për $20/muaj për shfrytëzues, rritë numrin e pjesëmarrësve nga 50 në 100, dhe u mundëson të përshtatni URL-n.
Versioni më i kushtueshëm i Webex Meetings është ai për biznese, për të cilin duhet të blini së paku 5 licenca nga $30/muaj për shfrytëzues. Ky version u mundëson të mbani konferenca me deri në 200 pjesëmarrës, dhe të shfrytëzoni 10 GB të hapësirës në re, si dhe do të keni në dispozicion disa funksione shënjimi (branding) të kompanisë tuaj – e që është e veçanta e këtij versioni.
Të ftuarit në konferencën tuaj nuk kanë nevojë të kenë një llogari në webex, dhe as nuk kanë nevojë të shkarkojnë dhe të instalojnë ndonjë gjë. Përveç kësaj, përmes aplikacionit Webex Meetings mund të ndiqni konferencën edhe nga çfarëdo sistemi me video që përkrahë SIP apo H.323.
Në momentin që regjistroni llogarinë tuaj në Webex Meetings, u krijohet lidhja personale URL, të cilën mund ta përdorni për të menaxhuar me takimet, për të planifikuar video-konferenca, apo edhe për të hapur incizimet që i keni bërë më parë.
Sa i përket takimeve, ju mund të përdorni aplikacionin Webex Meetings – i cili u ofron një përvojë më të mirë, apo ta bëni këtë përmes uebit. Përveç që keni aplikacionin për kompjuter, keni mundësi të përdorni edhe aplikacionin për mobil.
GoToMeeting
GoToMeeting është një shërbim që e ofron LogMeIn, të cilin mund ta përdorni për konferenca përmes uebit pavarësisht sistemit që përdorni.
Përveç që ofron mundësinë për konferenca audio-vizuale dhe për ndarje të pamjes së ekranit, ajo që e veçon këtë ueb-aplikacion nga ofruesit e tjerë të shërbimeve të ngjashme është mundësia e fillimit të një konference nga celulari (smart) juaj, të cilin shërbim nuk e ofrojnë disa nga kompanitë më të njohura. Gjithashtu mund të rregulloni kualitetin e fotografisë dhe zërit, si dhe ofron dërgimin e ftesave për takime dhe biseda me një trokitje të vetme.
Për këtë, ju mund të shkarkoni aplikacionin në celularin tuaj, çoftë ai Android apo iOS, të cilët – që të dy – kanë një vlerësim shumë të mirë nga përdoruesit.
Sa i përket çmimit, versionin “Professional” mund ta merrni për €12 për muaj, apo €10.75 për muaj nëse e bëni pagesën për një vit (€129).
Ky version kufizon numrin e pjesëmarrësve në 150, për krahasim nga versioni “Business” i cili ofron deri në 250 pjesëmarrës. Përveç kësaj, versioni “Business” – i cili kushton €14.33 për muaj, apo €14 për muaj nëse e paguani për një vit – ofron edhe disa opsione administrimi, si dhe ofron tabelën për vizatim dhe lëvizjen e treguesit të miut. Ndërsa plani për ndërmarrje “Enterprise” mund të akomodoi deri në 3,000 pjesëmarrës.
BlueJeans Meetings
BlueJeans Meetings është një shërbim në ueb që mundëson mbajtje të konferencave me video që mund ta përdorni edhe si aplikacion në platformat Android apo iOS. E veçanta e këtij aplikacioni në ueb është ofrimi i kualitetit të zërit i cili përkrahet nga “Dolby Voice” që përfshinë heqjen e zhurmave të ambientit, si dhe integrimin e sistemeve harduerike për zyra të konferencave. Përveç kësaj, BlueJeans Meetings integrohet edhe me aplikacionet për korporata si Microsoft Teams, Slack, dhe Facebook Workplace, si dhe ofron një varg veglash për ndarje të ekranit, tabela për shkrim (Whiteboard), dhe mundësinë e bashkëveprimit gjatë mbledhjeve.
Pas një periudhe 30 ditore të shërbimit falas, BlueJeans Meetings – versionin Standard – mund ta merrni për $12.49 për host për muaj, apo për $9.99 për host për muaj nëse pagesën e kryeni për një vit. Ky version është dizajnuar për individ dhe për kompani të vogla dhe përkrahë deri në 50 pjesëmarrës, deri në 72 orë mbledhje me mundësi incizimi të mbledhjeve për 5 orë për host, integrohet me “Outlook” dhe “Google Calendar”, qasje në “Dektop” nga largësia, e shumë funksione të tjera për Mobil, për Administrim, dhe funksione të Sigurisë.
Versioni Pro përfshinë të gjitha opsionet e versionit Standard, plus opsione shtesë si numri i pjesëmarrësve rritet për 25, pra 75 pjesëmarrës, 25 orë regjistrim të video-konferencës për host, integrim të aplikacioneve Slack dhe MS Teams, integrim të shërbimit të shitjes nga Gong & Zoho, integrim të Sistemit të Menaxhimit të Mësimit duke përfshirë Canvas dhe CirQLive, si dhe shumë veçori të tjera të Sigurisë dhe Menaxhimit të Incidenteve që ofrojnë Okta dhe Splunk.
Versioni për korporata (Enterprise) përkrahë deri në 100 pjesëmarrës, regjistron pa limit, përfshinë bashkëveprim me cilëndo nga dhomat tradicionale për konferenca me video përmes H.323/SIP, si dhe ofron përkrahje për menaxhim, rekomandim të hapave për arritje të rezultateve dhe suksesit afatgjatë, këshilla për menaxhim teknik të implementimit e shumë shërbime të tjera.
Emrin BlueJeans ia kanë vënë themeluesit e tij për të treguar që aplikacioni i tyre është aq i përshtatshëm dhe i lehtë për përdorim, siç është e përshtatshme të vishni një palë Xhins-e.
Microsoft Teams
Microsoft Teams, si pasardhës i Skype për Biznes, më shumë është një veçori e Office 365 se sa që është një aplikacion i veçantë. Për tu regjistruar në versionin falas të Microsoft Teams mjafton të keni një e-mail adresë aktive.
Versioni standard, i cili kushton $5 në muaj për shfrytëzues, përkrahë deri në 300 anëtarë, qasje si mysafir, thirrje me zë dhe me video për individ dhe për grupe, ndarje të kartotekave – deri në 2 GB për një shfrytëzues dhe 10 GB për grupe, ndarje të ekranit, si dhe bashkëpunim me dokumente përmes aplikacioneve online të paketës Office.
Kjo nuk është asgjë në krahasim me versionin për Biznes ($12.50 muaj/shfrytëzues) dhe atë për Ndërmarrje (Enterprise) ($20 muaj/shfrytëzues) të Office 365, ku programi Teams është vetëm një veçori e paketës së softuerëve. Në atë paketë, administratorët kanë qasje në një gamë të gjerë sa i përket menaxhimit, sigurisë, dhe veglave të tjera përcjellëse. Anëtarët e grupit, në këto versione, mund të ndajnë kartoteka deri në 1TB për shfrytëzues, mund të caktojnë mbledhje drejtpërdrejtë nga Outlook-u, mund të regjistrojnë (video) takimet, si dhe të bashkëveprojnë në dokumente përmes programeve të Office-it dhe SharePoint online. Përveç kësaj, këto plane përkrahin sesione të trajnimeve online dhe seminare përmes uebit.
Zoom Meetings
Zoom Meetings ofron zgjidhje për konferenca me video HD dhe mesazhe për pajisje mobile dhe për kompjuter, deri në 1,000 pjesëmarrës njëkohësisht, dhe deri në 49 video në një ekran të vetëm – që është i përshtatshëm vetëm për ekrane të mëdha.
Mbledhjet – mes dy personave, apo mes grupit – mund të ruhen në kompjuterin tuaj, ose në “Cloud”. Përveç kësaj, pjesëmarrësit mund të ndajnë ekranet e tyre gjatë bashkëpunimit, mund të ndajnë kartoteka në dritaren e bisedave “Chat”, mund të kërkojnë në historinë e bashkëpunimeve, dhe ofron mundësi arkivimi për deri në 10 vite.
Sesionet mund të fillohen nga një shfletues uebi apo nga një aplikacion i dedikuar – çoftë ai për kompjuter apo për mobil, duke siguruar enkriptim të dy-anshëm (përmes AES 256-bit), siguri të bazuar në role (në pajtueshmëri me HIPAA), si dhe integrim me aplikacionet Gmail, Outlook dhe iCal për regjistrimin e orarit të takimeve.
Versioni falas ofron pa limit takime një-me-një, duke kufizuar takimet me grup në 40 minuta për deri në 100 persona. Po ashtu ofron mundësi incizimi në kompjuterin tuaj, apo në “Cloud” të takimeve në .MP4 (Video), .M4A (Audio), dhe .txt (biseda me tekst – Chat).
Iniciuesi i takimit mund të kontrolloi audion, videon, dhe ndarjen e ekranit për të gjithë pjesëmarrësit e takimit, të cilët nëse kanë diçka për të thënë kanë opsionin e ngritjes së dorës.
Përveç opsioneve të versionit falas, versioni Pro ($14.99 muaj/host) ofron kohë të takimeve deri në 24 orë, 1 GB për ruajtje të incizimeve në Cloud, menaxhim të shfrytëzuesit dhe vegla të tjera për kontrolle administrative (cakton dikë që të organizoj takime për ju) si dhe ndërveprim me Skype për Biznes.
Versioni për biznes ($19.99 muaj/host, duke filluar nga 10 host) përkrahë deri në 300 pjesëmarrës, panelin e administratorit, lidhje të përshtatshme (p.sh. milingona.zoom.us), kyçje duke përdorë llogaritë e kompanisë tuaj (Single Sign-on), shënjim me markë të kompanisë, integrim me LTI (Moodle, Canvas, Desire2Learn, dhe Blackboard), si dhe Transkriptim të incizimeve në “Cloud”.
Nëse keni nevojë për më tepër se kaq, mund ta merrni versionin për ndërmarrje për çmim të njëjtë, por që duhet të paguani së paku për 100 hosta – pra $1,999/muaj. Ky version, përveç opsioneve të versionit për biznes, ofron përkrahje për deri në 500 pjesëmarrës (Enterprise Plus ofron deri në 1,000), ruajtje pa kufizim në “Cloud”, e cilësi të tjera biznesi.
Google Meet
Google Meet është pjesë përbërëse e pakos së aplikacioneve “G Suite” dhe e asaj “G Suite for Education”, dhe është zëvendësim për Google Hangouts në llogaritë që paguajnë për këto dy pako.
Pasi Meet është pjesë e paketës së aplikacioneve të kompanisë Google, ajo është plotësisht e integruar me aplikacionet e tjera të paketës “G Suite”. Kjo do të thotë që ju mund të planifikoni një takim për “Google Meet” drejtpërdrejt nga “Google Calendar”, dhe të dërgoni ftesat për këtë takim me e-mail duke përdorë Gmail.
Nëse përdorni aplikacionin, i cili vjen si për android po ashtu edhe për iOS, do të pranoni njoftim për takimet që i keni atë ditë, të cilave mund t’i përgjigjeni (të merrni pjesë) me një trokitje të vetme. Ndërsa nëse përdorni versionin për ndërmarrje (Enterprise) të “G Suite” takimit mund t’i bashkoheni edhe përmes thirrjes telefonike gjatë kohës sa jeni në udhëtim, ku nuk keni qasje në Internet.
Nëse përdorni aplikacione të tjera për takime si Skype apo Microsoft Teams, apo çfarëdo aplikacioni tjetër që përdorë SIP dhe H.323, ju mund të bashkoheni në një takim me “Google Meet” duke përdorë “Pexip Infinity Platform”
Google Meet mund të blihet përmes pakos “G Suite Basic” për $6 në muaj për shfrytëzues – e cila përkrahë deri në 100 pjesëmarrës, apo përmes pakove më të avancuara si ajo për biznes ($12 muaj/shfrytëzues) apo për ndërmarrje ($25 muaj/shfrytëzues) të cilat përkrahin 150, respektivisht 250 pjesëmarrës.
Tag:blue jeans, cisco, google, gotomeeting, logmein, meet, microsoft, teams, webex, zoom