Produktiviteti dhe menaxhimi i kohës
Ne jetojmë në një mjedis të fiksuar pas produktivitetit personal. Na thuhet se, çelësi i përmbushjes së detyrave është tek menaxhimi i kohës – “nëse do të mund të menaxhonit kohën më mirë do të ishit më produktiv.”
“Mirëpo, pas një studimi prej më se dy dekadash mbi produktivitetin, jam bindur që menaxhimi i kohës nuk është pjesë e zgjidhjes – në fakt është pjesë e problemit,” shkruan Adam Grant, një ekspert i psikologjisë organizative, në një artikull të publikuar në The New York Times.
Pyetja që më shtrohet më së shpeshti është se “si të arrij të përmbush më shumë detyra?”, shkruan ai. E vërteta është që të qenit produktiv nuk ka të bëjë me menaxhimin e kohës. Ne kemi një numër të kufizuar të orëve brenda ditës, dhe përqendrimi në menaxhimin e kohës vetëm sa na bën më të vëmendshëm për numrin e orëve të humbura brenda ditës.
Një opsion më i mirë është menaxhimi i vëmendjes: dhënia përparësi njerëzve dhe projekteve që kanë më tepër rëndësi, duke mos u koncentruar në kohën që na merr secila nga kjo.
Menaxhimi i vëmendjes është arti i fokusimit në të bërit e gjërave të duhura në kohën e duhur dhe për qëllimet e duhura.
Sipas teorisë tradicionale mbi menaxhimin e kohës, ne supozohet të vendosim si qëllim kohën që do të na nevojitet për të përfunduar një detyrë.
Mirëpo shpesh herë mos përmbushja e një detyre shkaktohet jo nga mungesa e efikasitetit, por nga mungesa e motivimit. Produktiviteti nuk është një virtyt, por një përpjekje për një përfundim. Ajo do të ishte një virtyt vetëm në rast të një përfundimi të denjë. Nëse produktiviteti është qëllimi juaj, ju duhet të mbështeteni në vullnetin tuaj për të shtyrë veten drejt përmbushjes së një detyre. Në anën tjetër, nëse i kushtoni vëmendje asaj se pse jeni i ngazëllyer në lidhje me projektin dhe se kush do të jenë përfituesit, ju natyrshëm do të tërhiqeni në të nga motivimi i brendshëm.
Edhe moti i lig kontribuon në produktivitet, pasi nuk shpërqendroheni nga mendimet që të dilni në natyrë. Nuk u mbetet zgjidhje tjetër pos të punoni. Hulumtimet tregojnë që në një mot me shi, punonjësit në bankat në Japoni i përfundojnë transaksionet më shpejtë se në një mot me diell.
Një tjetër pikë me rëndësi të përmendet sa i përket menaxhimit të vëmendjes është koha kur do të kryejmë një punë. Shumica e sfidave tona të produktivitetit kanë të bëjnë me detyrat që nuk duam t’i bëjmë, por që jemi të detyruar t’i bëjmë. Dy studiues, kishin kryer një studim në një dyqan të madh në Kore, dhe kishin zbuluar që kur punonjësit kishin një punë interesante për të kryer, pas saj ata kishin një paraqitje shumë të dobët në një detyrë tjetër më të mërzitshme.
Një nga arsyet e kësaj është mbetja e vëmendjes, me ç’rast ju akoma e keni mendjen tek puna e parë që më me dëshirë e kishit vazhduar, duke u shpërqëndruar kështu nga detyra të cilën jeni duke e kryer.
Në një eksperiment me Amerikanët të cilët kanë shikuar video e pastaj kanë futur të dhëna në kompjuter pa bërë fjalë, haset një mekanizëm tjetër – efekti i kontrastit. Një video interesante apo humoristike bën që detyra e futjes së të dhënave të duket e mërzitshme, ashtu si një ëmbëlsirë do të bënte të duken me shije të keqe perimet.
Kështu që nëse keni për të kryer një punë të mërzitshme, kryejeni atë menjëherë pas një pune pak më tërheqëse, dhe ruajeni punën që e kryeni me pasion si shpërblim për në fund. Kjo nuk ka të bëjë me kohën, por ka të bëjë me koordinimin.
Produktiviteti nxitet duke shtuar filtrat e vëmendjes ashtu që të mbahen jashtë mendimet e palidhura apo mendimet shpërqendruese.
Tag:kohës, menaxhimi, produktiviteti, vëmendjes