DNS – Sistemi i emrave të domenëve
Ne çdo ditë e përdorim Internetin përmes pajisjeve tona, qoftë kompjuter apo pajisje të tjera mobile, hapim faqe të ndryshme në ueb, por edhe komunikojmë me zë e me video përmes Internetit. Mirëpo, a keni menduar ndonjëherë se si realizohet ky komunikim dhe kush e mundëson këtë?
Në këtë shkrim do të përpiqemi të shpjegojmë vetëm një shërbim nga disa të tilla, që e mundësojnë këtë komunikim.
Kur doni të qaseni tek një faqe uebi, në shfletuesin tuaj Internet Explorer, Chrome apo Mozilla FF ju e shkruani adresën e asaj faqeje, që në fakt është një emër domeni, siç është www.google.com apo www.facebook.com dhe prisni t’iu hapet faqja e dëshiruar. Mirëpo kompjuteri juaj dhe pajisjet e rrjetit që ua mundësojnë këtë komunikim, nuk e kuptojnë këtë formë komunikimi. Ato nuk kuptojnë tjetër, përveç komunikimit përmes adresave të internetit apo adresave IP, që për shfrytëzuesit është një seri prej katër numrash të ndarë me pikë dhjetore si 172.217.12.46.
Mbajtja në mend e këtyre adresave, apo serie numrash, për njerëzit është e vështirë. Ne më lehtë mbajmë në mend emrat. Në këtë rast do të ishte më se e nevojshme të kemi një ndërmjetës që kur ne të kërkojmë një faqe në internet, si google.com apo milingona.al apo tjetër, të përkthejë këtë në IP adresën përkatëse, ashtu që të na hapet faqja e dëshiruar. Pikërisht këtë detyrë e kryen DNS. Pra, DNS (Domain Name System) i konverton adresat që i fusim në shfletuesin e uebit, në IP adresën përkatëse të asaj faqeje.
Ky konvertim bëhet përmes një DNS pyetësori (DNS query), i cili është pjesë integrale e ndërlidhjes së pajisjeve apo shërbimeve të cilat komunikojnë me njëra-tjetrën përmes internetit.
DNS ndryshe mund të mendohet edhe sikur që është libri i numrave të telefonit për internetin.
Për të kuptuar procesin e DNS pyetësorëve, duhet të shpjegojmë se si DNS pyetësorët rrugëtojnë përgjatë komponentëve të ndryshme në internet.
Këtë do të paraqesim në vijim hap pas hapi duke shpjeguar atë që mund ta shihni edhe në këtë foto lëvizëse.
Hapi 1: Kërkesa për informacione të ueb faqes
Fillimisht kur ju vizitoni një ueb faqe duke e shkruar emrin e domenit në shfletuesin e uebit, kompjuteri juaj apo pajisja fillon ta kërkoi IP adresën e hostname-it të cilin e keni shkruar – siç mund të jetë milingona.al. Pajisja juaj kërkon për IP adresën e cila është e lidhur me emrin e domenit që kërkoni. Fillimisht këtë e kërkon në memorien lokale “DNS cache” e cila ruan DNS informacione që kompjuteri apo pajisja i ka ruajtur së fundi. Nëse këto informacione (IP adresën) i gjen në memorien lokale, atëherë nënkuptohet se është gjetur rruga deri tek ueb serveri dhe përmbajtja e ueb faqes do t’u shfaqet në shfletuesin tuaj. Nëse kompjuteri nuk gjen të dhëna për domenin në memorien lokal DNS cache, atëherë ai ekzekuton një DNS pyetësorë për të marrë informata të sakta. Për këtë arsye faqet që ju i vizitoni më shpesh u hapen më shpejtë se ato që i vizitoni më rrallë apo i vizitoni për herë të parë. Kjo ndodhë për shkak se informatat për adresën e faqeve që i keni vizituar së fundmi, ju i keni të ruajtura në memorien DNS cache të kompjuterit tuaj.
Hapi 2: Kontakti tek DNS Server Rekursiv
Nëse informacionet për domenin që kërkojmë nuk gjenden në DNS cache lokal të kompjuterit tonë, atëherë ai pyet DNS serverin rekursiv prej Internet Service Provider (ISP) apo ofruesit të shërbimeve të internetit tuaj. DNS server rekursiv, kanë memorien DNS cache lokale ngjashëm me kompjuterin tuaj lokal por me një përmbajtje më të madhe të informatave. Pasi që shumë shfrytëzues përdorin të njëjtin DNS server rekursiv, ka shumë të ngjarë që informatat për domenin që ne po kërkojmë të jenë të pranishme në memorien e atij serveri. Nëse këto informata ekzistojnë aty, DNS pyetësori përfundon së kërkuari dhe paraqitet përmbajtja e uebit në shfletuesin tonë.
Hapi 3: Kërkesa tek DNS Serveri Autoritar
Nëse DNS serveri rekursiv nuk ka informacione të ruajtura në memorien e tij për domenin që po kërkojmë, pyetësori i DNS-it vazhdon kërkesën e tij tek serveri “Authoritative DNS” i cili ka të dhëna për domenet specifik. Këta “Authoritative name Server” janë përgjegjës për ruajtjen e të dhënave DNS varësisht prej tipit apo llojit të domenit.
Në figurën më poshtë paraqesim mënyrën se si i ruajnë dhe i strukturojnë informacionet për emrat e domeneve Authoritative DNS Serverët.
Niveli i domenit “Root (.)” apo Root-Level Domain Server-RLDS
Ndonjëherë quhet edhe “.” (Dot Name Server), dhe është porta kryesore për të gjitha kërkesat nga DNS pyetësori, ku i lexon kërkesat dhe e lokalizon serverin përkatës për ta përcjellë kërkesën tek ai, kështu luan një rol të rëndësishëm për nivelin tjetër të Domain Serverit. Secila adresë në internet përfundon me një pikë në fund si p.sh. “milingona.al.”. Këtë pikë ne nuk e shënojmë pasi ajo ndodhet pas secilës adresë në Internet dhe shfletuesit e uebit këtë e kuptojnë dhe e shënojnë automatikisht. Nëse adresa që po kërkojmë nuk gjendet tek këta serverë, në shfletuesin tonë do të na paraqitet mesazhi që kjo faqe nuk mund të gjendet, pasi këta serverë janë porta e fundit ku ne mund të kërkojmë për një IP adresë.
Top – Level Domain Server
Top Level Domain Serverët (TLDS) janë emra të domain serverëve të cilët në fund përfundojnë me prapashtesën si: .com, .org, .al, .net, .gov, .io etj. Ky nivel i domeneve pasi pranon kërkesën nga niveli root (RLDS), punon në ri-drejtimin e kërkesës tek serveri i fundit apo tek destinacioni i fundit në nivelin Second Level Domain Server. Në këtë nivel destinacioni i domenit gjendet në bazë të prapashtesës (.al), si shembull: milingona.al. Pasi DNS kërkesa vjen tek Authoritative DNS server, kërkohet nga root serveri informacione për nivelin e domenit “milingona.al”, dhe pasi root serveri e lokalizon atë, e përcjell tek Top Level Domeni “.al” për të vazhduar me lokalizimin e emrit të domenit “milingona” në bazë të prapashtesës “.al”.
Secili shtet e ka këtë lloj domeni (top-level domain) dhe karakterizohet me prapashtesën e atij shteti, p.sh.: Gjermania .de, Zvicra .ch, Shqipëria .al, Maqedonia .mk etj. Kosova akoma nuk ka domen të këtij niveli.
Second-level Domain
Në hierarkinë e DNS second-level domain (SLD ose 2LD) është një domen i cili është nën top-level domain (TLD). Për shembull tek milingona.al, milingona është second-level domain i top-level domenit .al. Second-level domain zakonisht përmban referenca për organizatat të cilat domenet e tyre i kanë të regjistruar në kuadër të domeneve shtetërorë, si shembull në top-level domenin .uk një kolegj apo institut regjistrohet si .ac.uk apo një kompani komerciale mund të regjistrohet si .co.uk (www.amazon.co.uk), ku në këtë rast amazon është domen i nivelit të tretë (ang. Third-level domain).
Domenet mund të jenë edhe të niveleve më të ulëta se niveli i tretë si p.sh. të nivelit të katërt (www.sos.state.oh.us), të pestë etj. me kusht që gjatësia totale (duke përfshi pikat mes emrave) e tij të mos kaloi 253 karaktere.
Hierarkia e domeneve zbret nga e djathta në të majtë të emrit të plotë. Secili emër në të majtë paraqet një nënndarje apo nën-domen të domenit në të djathtë.