Format e financimit të bizneseve
Çdo biznes ka nevojë për burime njerëzore, logjistike dhe financiare. Burimet financiare mund të sigurohen në mënyra të ndryshme e me to pastaj sigurohen burimet tjera të nevojshme për operacionet e biznesit.
Kursimet nga paga ose kursimet familjare janë forma më e shpeshtë për financimin e një biznesi familjar. Forma tjera të financimit të biznesit janë: huaja nga miqtë, bashkimi i kapitalit të disa pronarëve në formë ortakërie etj.
Këto forma të financimit të biznesit janë të zakonshme për biznese të vogla ku, përveç pronarit, në operacionet e biznesit angazhohen pak persona të cilët mund të kenë disa role në biznes. Pronari mundet njëkohësisht të jetë edhe drejtor ekzekutiv edhe menaxher financiar e eventualisht të përfshihet kohë pas kohe edhe si shitës për shkak se bizneset e vogla nuk kanë volum të madh të transaksioneve.
Alternativë tjetër për financimin e biznesit është kredia e cila ofrohet nga bankat komerciale (si TEB, Procredit Banka etj.) apo institucionet mikro-financiare (si Kreditimi Rural i Kosovës, KEP etj.).
Kredia si formë e financimit të biznesit është me e zakonshme për bizneset e mesme dhe të mëdhatë, kryesisht të regjistruara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SH.P.K.) ose si shoqëri aksionare (SH.A). Ky lloj biznesi harton pasqyrat financiare të cilat ia prezanton bankës kur aplikon për kredi. Pasqyrat financiare i shërbejnë bankës për të vlerësuar pozitën financiare të biznesit, gjegjësisht aftësinë e biznesit për të kthyer kredinë e marrë. Me një fjalë, pasqyrat financiare tregojnë se sa është i shëndetshëm biznesi dhe sa janë gjasat që ai biznes të vazhdojë të ekzistojë dhe të operojë me sukses. Nëse banka e vlerëson se biznesi është i shëndetshëm ajo ia aprovon kërkesën për kredi, përndryshe e refuzon atë.
Zakonisht bizneset e reja (start-up) e kanë më të vështirë të marrin kredi për shkak se në mungesë të përvojës së biznesit banka duhet të bazojë vlerësimin e saj në një plan biznesi. Kjo përbën një rrezik më të madh dhe e bën kredinë edhe më të shtrenjtë (sa më i madh rreziku aq më shumë fitim kërkon banka). Për këto lloj biznesesh dhe për bizneset e vogla individuale kredi ofrojnë institucionet mikro-financiare por me norma më të larta të kamatës.
Formë tjetër i financimit të biznesit, që aktualisht mungon në Kosovë, është bursa e aksioneve. Ajo është vend ku tregtohet me aksionet e bizneseve të ndryshme (SH.P.K. dhe SH.A), gjegjësisht transferohet një pjesë e pronësisë nga një pronar tek pronari tjetër i ri.
Ka biznese të suksesshme që duan të zgjerohen por ju mungon kapitali. Në anën tjetër ka subjekte që kanë tepricë të parave të cilat nuk deponohen në banka për shkak se norma e kamatës për depozita është tepër e ulët – 1 % vjetore (rreth 0,08% mujore) – prandaj mbesin si para të paangazhuara.
Përmes bursës së aksioneve bizneset mund të zgjerojnë operacionet e tyre duke emetuar (shitur) aksione të reja ndërsa investuesit mund të investojnë paratë e tepërta të tyre duke ua blerë aksionet. Investuesit mund të arrijnë kthim më të lartë në investimin e tyre ndërsa kompanitë përveç që e zgjerojnë biznesin mund të menaxhojnë më mirë rrezikun nga humbja duke e transferuar atë tek investuesit. Por në mungesë të bursës së aksioneve dalin të dy humbës, në njërën anë pronari i parave të paangazhuara dhe në anën tjetër biznesi i suksesshëm i cili ka mundësi të zgjerojë biznesin por nuk mund ta financojë atë.
Norma e kamatës prej 0,55% mujore nuk e bën kredinë formë atraktive të financimit. Edhe po të jetë norma e kamatës e ulët prapë kredia nuk është formë atraktive e financimit të biznesit sepse banka nuk e ndan rrezikun e investimit me biznesin. Megjithatë, në mungesë të bursës së aksioneve, bizneset detyrohen t’iu drejtohen bankave, edhe pse kredia nuk është alternativa më e mirë e financimit as për bizneset e reja as për ato ekzistuese qoftë për shkak të normës së lartë të kamatës qoftë për shkak se banka mund të mos ua financojë biznesin fare.
Tag:biznes i vogël, biznesit, financimit, format, SH.A, SH.P.K, start-up