Windows 11
Në kohën kur ishte publikuar Windows 10 para 6 vitesh (Korrik 2015), Microsoft kishte publikuar se do të ndërpriste zhvillimin e sistemit operativ për klient, duke nënkuptuar që Windows 10 do të ishte sistemi i fundit operativ nga kjo kompani.
Megjithëkëtë, muajin e kaluar Microsoft ka organizuar një ngjarje të madhe ku ndër të tjera ka paralajmëruar se në fund të këtij viti (2021) do të publikojnë sistemin operativ për klient – Windows 11, i cili do të ofrojë një pamje të re të dizajnuar me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe kreativitetit – siç shprehen zyrtarët e kësaj kompanie.
Thuhet se Windows 11 do të publikohet kah mesi i Tetorit të këtij viti (2021), ku fillimisht do të vjen (i instaluar) me kompjuterët e rinj që blihen pas kësaj date, për t’u pasuar me dërgimin si përditësim në kompjuterët e tjerë nga fillimi i vitit 2022.
Windows 11 do të ofrojë disa karakteristika të reja, duke përfshirë një dizajn më të thjeshtë që synon të rrisë produktivitetin, lehtësinë e përdorimit dhe kreativitetin, mënyrat për tu lidhur më shpejt me njerëzit, përvoja më të mira të lojërave me kompjuter, mënyra më të shpejta për të marrë informacionin që ju nevojitet, një ”Microsoft Store” plotësisht të ri dhe një ekosistem më të hapur që hapë mundësi të reja për zhvilluesit dhe krijuesit e tjerë.
Windows 11 do të ofrohet falas – së paku gjatë vitit të parë nga data e publikimit[i] – si përditësim nga Windows 7/8/10 nga data kur ai të publikohet, për çka juve u nevojitet të keni një llogari aktive nga Microsoft[ii], dhe të keni qasje në Internet për ta shkarkuar dhe për ta aktivizuar atë pas instalimit.
Windows 11 do të ketë një dizajn plotësisht të ri dhe më të efektshëm, me hijezime ngjyrash dhe me kënde të rrumbullakosura, dhe në përgjithësi me një pamje më të përafërt me kompjuterët Mac të kompanisë Apple.
Menyja e famshme Start e Windows-it është zhvendosur nga këndi i majtë, në mes të shiritit “Taskbar”, e pasuar nga menytë: “Search”; “Task view”; “Widgets”; “File Explorer”; “Microsoft Edge”; dhe “Microsoft Store”.[iii]
Përveç që është vendosur në mes të shiritit “TaskBar” – që tani e tutje do të njihet si “dock” – menyja Start tani përkrahet nga Cloud, që nënkupton që ajo do të ndryshoj në mënyrë dinamike gjatë ditës, dhe në bazë të asajë se çfarë jeni duke punuar momentalisht aty. Përveç kësaj, ju do të mund t’i qaseni dokumenteve të hapura rishtas përmes Microsoft 365, pavarësisht nëse ato i keni hapë nga një pajisje me Windows, Android apo iOS.
Shiriti ”dock” është optimizuar si për prekje ashtu edhe për punën me mi (mouse), dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për pajisjet që funksionojnë me prekje në ekran. Mirëpo tash e tutje ajo do të mbetet në fund të ekranit dhe nuk mund të lëvizet poshtë e lartë si në Windows 10 dhe as nuk mund të zmadhohet e zvogëlohet, por gjithnjë do të mbetet në madhësinë e njëjtë[iv].
Po ashtu në shiritin “dock” nuk do të mund të paraqitni emrat e programeve, por vetëm ikonën e tyre. Ndërsa ikona e mëparshme “Show Desktop”, në Windows 11 do të paraqitet si një vijë vertikale në anën më të djathtë të shiritit “dock”.
Përveç ndryshimit të shiritit “dock”, Windows 11 vjen edhe me një mori ndryshimesh, disa prej të cilave mund t’i lexoni në vijim.
Instalimi i përditësimeve të Windows 11 është përmirësuar dukshëm, tani duke treguar edhe se sa kohë nevojitet që një instalim të përfundojë, ashtu që ju të mund të vendosni nëse doni që të vazhdoni me përditësimin apo ta shtyni atë për më vonë. Mbi të gjitha, përditësimet do të jenë për 40% më të vogla në madhësi në krahasim me Windows 10.
Snap Layout – është një veçori për angazhim në disa detyra njëkohësisht (multitask) e cila u mundëson të renditni disa dritare në formë të kolonave, seksioneve etj.
Snap Groups – është një shtesë e Snap Layot, ku Windows “mban në mend” aplikacionet të cilat keni qenë duke i përdorë herën e fundit duke i grupuar ato. Kështu ky opsion mundëson kthimin e të gjitha dritareve të renditura përmes Snap Layout në një ekran.
Përkrahja e më shumë se një monitor (Desktops) – kjo është shumë e përshtatshme p.sh. kur ne në zyre kemi hapur disa dritare dhe i kemi renditur ato përmes Snap Layout në ekranin e lidhur në llaptop. Përkohësisht ne marrim llaptopin dhe dalim nga zyra. Tani të gjitha ato dritare që i kemi pasur të hapura në ekranin sekondar mbyllen dhe nuk hapen derisa ne të kthehemi prapë në zyre dhe të lidhim përsëri monitorin me ç’rast ato do të hapen dhe renditen siç ishin në fillim.
Teams – është i integruar në “dock” ashtu që të kemi më të lehtë komunikimin përmes mesazheve me tekst, chat, komunikim me zë apo me video me kontaktet e juaja pavarësisht platformës që përdorni, qoftë Windows, Android apo iOS.
Microsoft Store – është përmirësuar dukshëm dhe është ri-dizajnuar. Përveç që aty mund të gjeni të gjitha aplikacionet që janë dizajnuar për Windows, mund të gjeni gjithashtu edhe aplikacionet Disney+, Adobe Creative Cloud, Pinterest, TikTok e shumë aplikacionet të tjera të dizajnuara për Android. Krejt kjo falë bashkëpunimit të kompanisë Amazon me Microsoft për të përfshirë Amazon App Store në Windows-in e ri.
Windows 11 vjen me një veçori të re – PWABuilder3, ashtu që zhvilluesit të mund të ndërtojnë një PWA[v] nga web-i dhe ta publikojnë atë drejtpërdrejtë në MIcrosoft Store duke përfituar 100% nga shitja e tij.
Këto janë vetëm disa, nga shumë opsione të reja të cilat ofron me Windows-in e ri.
Windows 11 është i gatshëm për anëtarët e programit Windows Insiders të Microsoft-it që nga data e publikimit të tij, të cilët mund ta shkarkojnë atë dhe ta instalojnë në kompjuterët e tyre dhe të provojnë të gjitha funksionet që ofron ky sistem operativ dhe të japin komentet e tyre në lidhje me secilin prej tyre.
Me të instaluar të këtij versioni të Windows 11 – i cili nuk është versioni final dhe si i tillë mund të ketë shumë gabime – ju do të keni 10 ditë kohë për ta larguar atë dhe për të kthyer sistemin e mëparshëm në kompjuterin tuaj.
Instalimi i këtij versioni të Windows 11 nuk rekomandohet të bëhet në kompjuterët tuaj primar, aty ku ju i keni dokumentet personale apo të punës, pasi është i paqëndrueshëm dhe mund të mos u funksionoj ashtu siç duhet.
Për të instaluar Windows 11, kompjuteri juaj duhet të ketë së paku këto specifika:
- Procesor: 1GHz me së paku dy bërthama e përshtatshme me x64 ose SoC[vi]
- RAM: 4GB
- HDD 64GB
- Firmware[vii]: UEFI
- Trusted Platform Module: TPM 2.0
- Karta Grafike: DirectX12
- Display: 720p, 8-bit për ngjyrat
- Qasje në Internet dhe një llogari aktive në Microsoft.
Ndër të gjitha këto karakteristika minimale, TPM ka shkaktuar më së shumti polemika, pasi kjo nuk ofrohet tek disa kompjuter më të vjetër, por që ka gjasë që Microsoft të gjej një zgjidhje në lidhje me këtë deri në kohën e publikimit të versioni final të Sistemit Operativ.
Për të parë nëse kompjuteri i juaj është i gatshëm të përballojë Windows 11, Microsoft ka ofruar një vegël – PC Health Check app, por i cili ka pasur shumë probleme dhe për të cilin ka pasur shumë ankesa që i njëjti paraqet rezultate të gabuara. Në vend të kësaj ju mund të përdorni një vegël tjetër që është më e saktë në paraqitjen e rezultateve të quajtur WhyNotWin11 i cili është “Open-Source” dhe mund ta merrni falas.
Kjo është një paraqitje e shkurtë e Windows 11, i cili ofron shumë më tepër opsione të reja se kaq, për të cilat shpersojmë të flasim në të ardhmen.
Nëse doni të dini më shumë në lidhje me instalimin e Windows 11, klikoni këtu për të parë me video hap pas hapi se si ta shkarkoni Windows 11-shin dhe se si ta instaloni atë si një përditësim në kompjuterin tuaj.
[i] Edhe Windows 10 ishte ofruar falas si përditësim nga Windows 7/8 për një kohë të caktuar, mirëpo Microsoft akoma e ofron atë (W10) falas.
[ii] Llogari të Microsoft-it janë të gjitha llogaritë e hapura në: @msn.com, @hotmail.com, apo @live.com
[iii] Ekziston mundësia që menyja Start dhe menytë pasuese të vendosen në anën e majtë
[iv] Këtë mund ta bëni përmes aplikacioneve nga palët e treta
[v] PWA – Progressive Web App (Web aplikacion progresiv)
[vi] SoC – System on a Chip, është një pajisje harduerike (e vogël) cila i ka pothuajse të gjitha komponentët që ka një kompjuter, të integruara në një çip të vetëm: procesor, memorie, portet hyrëse/dalëse etj. dhe përdorët tek Raspberry Pi, Arduino, por edhe në çipat për celularët ”smart”.
[vii] Firmware – është një softuer i ruajtur në memorien permanente të kompjuterit (ROM), të cilës i qasesh përmes BIOS-it