Çka është NFT?
Në botën tonë fizike zakonisht gjërat janë unike. Nëse e kemi një pikturë të varur në muri, askush nuk mund ta bëjë të njëjtën, e as ne nuk mund t’ia dhurojmë një kopje të saj – pasi ajo kopje nuk ekziston.
Ndërsa në botën digjitale është një problem tjetër – e kundërta e atij problemit të botës fizike – si mund të mbrojmë një punë tonën që ajo të mos kopjohet, pasi kopjimi këtu është bërë shumë i lehtë.
Kjo lehtësi e kopjimit, dhe pamundësia e ikjes së saj ka shtyrë shumë shkencëtarë që të merren me këtë problem kur ata kanë punuar në krijimin e kripto-monedhave të para, si David Schaum e Stefan Brands që kishin zhvilluar protokollin “ecash[i]” (1983), apo Adam Back i cili ishte i pari që kishte propozuar konceptin “proof-of-work” në hashcash (1997). Një vit më vonë Wei Dai kishte publikuar dokumentin e “b-money” (1998). Të gjitha këto propozime ishin marrë parasysh nga zhvilluesit e Bitcoin-it. Mirëpo, këto propozime nuk kishin arritur t’i japin një zgjidhje praktike shpenzimit të dyfishtë. Ky, pra, është problemi. Si të sigurohem unë që kur ti më dërgon një shumë parash (apo një dokument) ajo shumë të hiqet nga “kuleta” jote, ashtu që të ta pamundësoj që ta përdorësh të njëjtën edhe njëherë – shpenzimi i dyfishtë.
I pari që i dha zgjidhje këtij problemi – shpenzimi i dyfishtë – ishte Satoshi Nakamoto kur e prezantoj dokumentin “Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System[ii]” në vitin 2008.
Kjo pastaj hapi rrugën edhe për shumë zbulime të tjera si: Blockchain publik, Blockchain privat, Blockchain i autorizuar, e shumë aplikime të tjera interesante. Pastaj këto u përdorën për të ndërtuar platforma të ndryshme si Ethereum i cili prezantoi i pari kontratat e mençura.
Temë e këtij artikulli nuk është asnjëra nga këto që u përmendën më lartë, por është NFT, një aplikim i mrekullueshëm, i pa-parë më parë dhe shumë i nevojshëm, madje i domosdoshëm.
Por, çka në të vërtetë është NFT dhe çka na duhet kjo?!
NFT është një shkurtesë nga fjalët (në gjuhën angleze) Non-Fungible Token, që në shqip ka kuptimin e një diçka që nuk mund të këmbehet, qoftë ajo dhuratë apo një shenjë apo diçka tjetër.
Kjo është vetëm vazhdim i zhvillimit të mënyrave të përdorimit të Internetit, ku në fillimi kishim Internetin e informatave – faqe në ueb, e-mail, biseda; pastaj Internetin e gjërave (IoT) – pajisjet e lidhura, shtëpitë inteligjente, gjurmimi i logjistikës etj.; pastaj Internetin e parave – Bitcoin dhe kripto-valutat e tjera – altcoins; dhe tani kemi edhe Internetin e aseteve – NFT i cili është i ndërtuar mbi platformën Ethereum. Pra tani edhe asetet mund t’i bartim përmes Internetit duke i ruajtur ato cilësitë e tyre origjinale dhe unike.
Për të shpjeguar cilësitë e NFT-s, e që është Non-Fungible Token, duhet fillimisht të dimë se çka është Fungible Token, pasi ajo ishte vetëm negacion i kësaj të fundit.
Pra, Fungible Token është diçka që ne mund ta shkëmbejmë me diçka tjetër të vlerës së njëjtë. Pra, ne mund ta shkëmbejmë një Ether me një Ether tjetër, një Bitcoin me një Bitcoin tjetër, një kartëmonedhë €100 me një kartë monedhë tjetër €100. Këtë ne e bëjmë çdo ditë dhe nuk na prishë punë. Madje mund ta shkëmbejmë një kartëmonedhë €100 me dy kartëmonedha nga €50. Krejt kjo pasi kartëmonedhat, Bitcoin-i, Ether-i nuk janë unike dhe as nuk janë të ngjitura në një. Një Bitcoin mund të ndahet në dy nga 0.5 Bitcoin, apo madje mund të ndahet edhe në satoshi. Ashtu edhe një kartëmonedhë prej €100 mund të ndahet në 10 nga €10, apo edhe në më shumë monedha më të vogla.
Ndërsa asnjëra nga këto nuk mund të aplikohet tek NFT, pasi kjo është e pa ndashme, e pa çmontueshme dhe unike. P.sh. marrim pikturën Mona Liza. Ajo është një, unike dhe nuk mund të ndahet.
Ditë më parë Tim Berners-Lee e ka shitur kodin e “www”-s për $5.4 milion, ndërsa Jack Dorsey e ka shitur tweet-in e tij të parë për $2.9 milion. Njëjtë (mund të) veprojnë edhe artistët e tjerë me këngët, pikturat apo artet e tyre të ndryshme.
Mirëpo NFT-n e parë e ka bërë Kevin McCoy me 3 Maj 2014. Ai e kishte bërë tokenin e tij NFT “Quantum” shumë para se ky treg të shpërthente.
Pra NFT është unike dhe mund të përfaqësojë çdo aset dixhital në Blockchain-in Ethereum, duke e bërë atë të rrallë, të vërtetueshme, dhe rrjedhimisht të vlefshme. Zbulimi i NFT-s ka krijuar një ambient të ri për artistët dhe autorët e tjerë që ata të mund të ekspozojnë punën e tyre. Nga ana tjetër, kjo po i hap rrugë artistëve që të krijojnë dhe fitojnë para nga puna e tyre, ndërkohë që koleksionistët kanë transparencë të plotë në autenticitetin dhe origjinën e veprave të cilat i kanë blerë.
Asetet NFT mund të jenë arte dixhitale, koleksione, muzikë, apo një sinergji midis këtyre të triave, ose kompozime krejtësisht të reja dhe të pa-eksploruara. Krijuesit vazhdojnë të shtyjnë kufijtë e krijimtarisë duke përdorur NFT-të, duke i përshtatur ato në mënyra të reja dhe inovative.
Mund të pyesni veten: “A nuk mund të fotografoj një NFT pa e blerë atë?” Kjo është e vërtetë, por nuk do të mund ta shisni me vlerën e origjinalit. P.sh., nëse ju e bëni një foto të Mona Lizës, do ta keni të pamundur të gjeni një koleksionist të veprave të artit për t’ia shitur. Sa herë që një NFT lëvizë në tregun sekondar, pronari i ri dhe çmimi i paguar regjistrohet automatikisht në Blockchain, i cili është një arkiv dixhital i transaksioneve që askush nuk mund të ndryshojë diçka aty dhe të gjithë mund t’i shohin ato transaksione. Ideja është që duke pasur këto certifikata të autenticitetit të ekspozuara publikisht ashtu që t’i shohin në internet, NFT-të mund të garantojnë origjinën e çdo aseti me të cilin ato janë të lidhura.
“Ju nuk po e blini foton,” thotë Jake Brukhman, themeluesi i kompanisë së investimeve të kripto-monedhave CoinFund. “Ju jeni duke blerë të drejtat pronësore për foton.”
Duke pasur parasysh këtë aftësi për të krijuar një punë unike dixhitale, NFT-të u japin artistëve mundësinë për të vendosur tarifat e tyre për krijimet e tyre – rrjedhimisht kontrollin e tregut të tyre sekondar – në thelb duke demokratizuar qasjen në tregje të reja për artistët anë e kënd botës.
NFT mund të krijojë kushdo, madje edhe ju që po e lexoni këtë artikull, qoftë nëse jeni artist, korporatë, fotograf, videograf dhe kushdo tjetër që mund të krijojë një formë arti. Nuk nevojitet të keni eksperiencë, mjafton të mund të vërtetoni që ju jeni autori i asaj përmbajtje, apo keni të drejta ligjore mbi atë përmbajtje dhe mund të krijoni një NFT.
Por, se si bëhet kjo dhe si mund të filloni, do të mundohemi ta paraqesim në të ardhmen, nëse jo me video, së paku përmes një artikulli si ky.
Nëse ky artikull u ka pëlqyer, ndajeni atë me shokët që edhe ata të përfitojnë.