Mbikëqyrja e bankave komerciale nga ana e bankës qendrore
Objektivi parësor i Bankës Qendrore është të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave. Banka Qendrore si funksion primar e ka mbikëqyrjen e institucioneve financiare, gjegjësisht bankave komerciale, institucioneve mikro-financiare dhe institucioneve financiare jo-bankare. Mbikëqyrja e bankave komerciale është e domosdoshme për disa arsye:
Së pari, bankat mbajnë një pjesë të madhe të kursimeve të popullsisë – që ndryshe quhen depozita të afatizuara. Përveç kursimeve bankat mbajnë edhe shumicën e depozitave të pa-afatizuara të popullsisë, gjegjësisht shumicën e parave të gatshme. Me paraqitjen e bankomatëve dhe pikave të shitjes për pagesa elektronike që njihen si POS (point of sale, nga anglishtja) paraja e gatshme për ditë e më shumë po hiqet prej qarkullimit. Pagesat përmes POS janë bërë aq të lehta sa që mund të përdoren për të blerë edhe gjëra aq të lira si çamçakëzi. Përveç këtyre, edhe bankimi elektronik (që njihet si e-banking) ka promovuar dhe nxitur pagesat elektronike – transferimin elektronik të parave nga një llogari bankare në tjetrën – që për pasojë ka ulur përdorimin e parasë së gatshme. Faturat e shpenzimeve të energjisë elektrike, ujit e çfarëdo faturash tjera mund të paguhen përmes aplikacionit e-banking, duke ia mundësuar kështu klientëve të bankës t’i shmangin pritjet në radhë para sporteleve të këtyre kompanive apo sporteleve të bankave. Prandaj nuk është për tu habitur që bankat i mbajnë jo vetëm depozitat e afatizuara (kursimet) por edhe depozitat pa afat, siç janë pagat.
Shumica e popullsisë nuk ka njohuri se sa i kanë të sigurta paratë që ua kanë besuar bankave, ata nuk kanë njohuri të mjaftueshme, apo nuk kanë fare njohuri mbi gjendjen financiare të bankës, dhe, meqë nuk janë në gjendje që të vlerësojnë realisht gjendjen e bankës, Banka Qendrore ka për detyrë që të mbledh të dhëna mbi çdo transaksion që kryejnë bankat, t’i përpunojë ato dhe t’i analizojë në mënyrë që të informojë opinionin publik mbi gjendjen e vërtetë financiare të bankave komerciale dhe njëkohësisht që t’i mbrojë interesat e klientëve të bankave, gjegjësisht të parandalojë falimentimin e papritur të bankave duke mbrojtur kështu popullsinë nga humbja e parave që ua kanë besuar bankave.
Në këtë drejtim auditimet e rregullta periodike shërbejnë si masë për parandalimin e humbjeve që mund të vijnë si pasojë e shpërdorimit, mashtrimeve ose kontrolleve të dobëta të zbatuara në proceset dhe aktivitetet ditore të bankave komerciale.
Së dyti, bankat komerciale mbajnë shuma të mëdha të depozitave të institucioneve publike dhe të firmave. Me depozitat e institucioneve publike financohen funksionet e shtetit dhe rrezikimi i këtyre depozitave, si pasojë e afarizmit të dobët të bankave, do të rrezikonte edhe funksionimin e shtetit. Ndërsa humbja e depozitave të firmave mund të rrezikojë ekonominë kombëtare që mund të ketë pasoja të pa-riparueshme. Prandaj Banka Qendrore harton rregulla që e rregullojnë afarizmin e bankave dhe kërkon që ato rregulla të zbatohen me përpikëri përndryshe pasojnë gjobat. Për t’u siguruar që këto rregulla po zbatohen Banka Qendrore kryen kontrolle të politikës së bankave si dhe të praktikës së tyre.
Së treti, arsyeja që bankat komerciale janë nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore është se ato kanë aftësi që të krijojnë para duke dhënë kredi. Në kushtet e sotme të zhvillimit të teknologjisë informative dhe përdorimit të parasë elektronike në vend të parasë së gatshme, mundësia e bankave komerciale për të dhënë kredi është gati e pakufizuar. Dhënia e kredive rritë vëllimin e parave në qarkullim, që është faktor i rëndësishëm që ndikon në gjendjen e ekonomisë, në veçanti në punësim dhe në inflacion.
Dhënia e kredive për individë e për firma e nxit konsumin personal dhe atë investues. Rritja e vëllimit të parave në ekonomi e rrit kërkesën për mallra e shërbime ku për pasojë mund të ndikojë në ngritjen e çmimeve. Ngritja e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, sipas përkufizimit, nënkupton inflacion, i cili nga shumë ekonomistë është quajtur tatim i fshehtë sepse e zvogëlon fuqinë blerëse të parasë. Prandaj për të mbajtur inflacionin nën kontroll Banka Qendrore duhet të ndërhyjë dhe të kufizojë aftësinë kreditore të bankave komerciale, gjegjësisht të kufizojë shumën e kredive që u japin individëve dhe firmave. Ky është aktivitet i Bankës Qendrore bazuar në objektivin shtesë të saj, që ka për synim të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore.