
RANSOMWARE GODET 22 QYTETE NË TEKSAS
Sulmet me “ransomware” po bëhen çdo ditë e më të shpeshta. Sulmi më i freskët është ai i së Premtes së kaluar ku u goditën 22 komuna në qytete të ndryshme në periferi të Teksasit në SHBA duke i hequr ato nga funksioni.
Sipas një raportimi të Departamentit të Burimeve të Informacionit[i] (DIR) në Teksas, besohet që sulmi është kryer nga një sulmues i vetëm dhe se janë goditur kryesisht departamente të caktuara në ato komuna duke mos dhënë detaje të tjera nga frika e ndonjë sulmi tjetër.
Si pasojë e këtij sulmi, zyrtarët komunal të qytetit Borger kanë deklaruar se nuk kishin pasur qasje në certifikatat e lindjes dhe në ato të vdekjes, si dhe nuk mund të pranonin pagesa për shërbimet.
Kryetari i njërës nga komunat e prekura (Keene) ka thënë që sulmuesit kishin kërkuar $2.5 milion për të dekriptuar dosjet e enkriptuara. Deri më tani nuk raportohet që ndonjëra nga komunat e prekura e ka paguar haraçin, edhe pse më herët ka pasur raste ku haraçi është paguar nga komunat e prekura.
Në Qershor të këtij viti, një qytet në Florida (Riviera Beach) kishte votuar që të paguaj haraçin prej $600,000 në Bitcoin. Njëjtë kishte vepruar edhe një tjetër (Lake City, FL) duke paguar $460,000 në Bitcoin.
Analistë të krimeve kibernetike, këtë sulm e kanë konsideruar ‘sulmin më të madh të koordinuar’ deri më tani, në mos të parin e këtij lloji. Analistët po ashtu ngrenë shqetësimin e shpeshtimit të këtij lloji të koordinuar të sulmit në të ardhmen, duke u nisur nga ajo që sulmuesit pëlqejnë të imitojnë njëri-tjetrin.
Më herët me “ransomware” janë goditur kryesisht bizneset, spitalet dhe rrjeta të tjera, mirëpo tani si duket në cak të sulmuesëve janë qeveritë lokale.
Sulmet me ransomware kryesisht fillojnë pasi të punësuarit klikojnë një link apo shkarkojnë një “attachment” nga e-maila që duken krejt të sigurt. Ai “attachment” mund të ketë një fajll me kod (program) i cili e infekton kompjuterin nga i cili është hapë ajo dosje, duke e bërë atë një portë përmes së cilës sulmuesit qasen në sistemin e viktimës duke u zgjeruar më pas në kompjuterët e tjerë të rrjetës.
Me rastin janë duke u marrë DIR, Deparatamenti Ushtarak i Teksasit, ekipe të Qendrës së Sigurisë dhe të kundërpërgjigjes ndaj sulmeve kibernetike nga universiteti A&M të Teksasit dhe FBI.
Tag:Ransomware, texas