Rëndësia e Sigurisë së Informacionit
Shumica e njerëzve akoma nuk e kanë idenë se sa e rëndësishme është siguria e informacionit për një kompani apo organizatë. Shumica e menaxherëve gabimisht mendojnë se informacionet e kompanisë së tyre janë plotësisht të sigurta dhe të mbrojtura nga çdo kërcënim. Dhe ky është një gabim i madh!
Është e rëndësishme të lini mënjanë besimin se është e pamundur që dikush të depërtojë në të dhënat tuaja dhe të ndërmerrni hapa për të mbrojtur pronësinë intelektuale të kompanisë tuaj.
Një raport nga FBI për krimin në internet për vitin 2020, zbulon se vetëm në vitin 2020 u raportuan më se $4,2 miliardë humbje (një rritje 200% nga $1,4 miliardë që ishin në vitin 2017).
Me avancimin e teknologjisë, sulmet kibernetike po avancohen edhe më tepër dhe madje edhe para se ju ta kuptoni, organizata juaj mund të jetë sërish e rrezikuar.
Për këtë arsye ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm me informacionet tuaja konfidenciale.
Siguria e informacioneve është një proces përmes të cilit kompanitë mbrojnë informacionet e tyre të biznesit, të personelit dhe informacionet e tjera konfidenciale – qoftë ato në formë te të dhënave elektronike apo fizike, qoftë në kompjuterë apo në telefona celularë – nga qasja e paautorizuar me qëllim vjedhjeje apo dëmtimi.
Duke marrë parasysh rëndësinë e informatave të brendshme të kompanisë dhe vendin e rëndësishëm që ato zënë në vlerën e vet kompanisë, nëse dëmtohen si të tilla, do të kenë efekt domino duke ndikuar – ndër të tjera – në dëmtimin e imazhit të kompanisë, ekspozimin e sekreteve dhe ndikimin në planet për të ardhmen e kompanisë.
Duke mos respektuar sigurinë e informacionit, e gjithë kompania është në një rrezik serioz, ashtu siç janë edhe të dhënat dhe informacionet nga klientët dhe partnerët e biznesit.
Një sulm kibernetik mund të shkaktojë probleme serioze dhe dëme të pallogaritshme për një biznes, qoftë ai biznes i madh apo i vogël.
Shumë biznese të vogla dhe të mesme priren të mendojnë se nuk janë objekt i mundshëm i sulmeve kibernetike, duke anashkaluar nevojën që të investojnë në industrinë e sigurisë së të dhënave.
Për shkak të kësaj (mungesës së mbrojtjes së këtyre sistemeve), shumica e sulmeve të suksesshme kanë në shënjestër kompanitë e këtyre madhësive.
Humbjet në kompanitë e mëdha për shkak të sulmeve kibernetike, shpesh bëjnë bujë në media edhe për sasinë e materialit të vjedhur. Por në kompanitë më të vogla, ky veprim mund të nënkuptojë më shumë se humbje të disa të dhënave – mund të nënkuptojë falimentimin e biznesit.
Derisa kompanitë janë të rrethuara nga rreziqe të tilla nga krimet kibernetike, në vazhdim po paraqesim disa nga këto.
Malware
Është një agjent infektues i cili infekton softuerët apo pjesë të tyre me një kod me qëllim të dëmtimit te të dhënave apo pajisjeve të një organizate.
Dobësitë
Hakerët hulumtojnë për dobësi të ndryshme brenda kompanive me qëllim të shfrytëzimit të tyre për të sulmuar rrjetat e tyre me qëllim vjedhjeje apo dëmtimi te të dhënave të kompanisë së sulmuar.
Këto dobësi kryesisht janë si rezultat i neglizhencës së vet kompanisë si pasojë e mungesës së kujdesit të nevojshëm apo mungesës së investimeve të nevojshme për mbrojtjen e të dhënave të tyre.
Disa nga faktorët e rrezikut që mund të kalojnë pa u vënë re janë pajisjet e vjetruara, rrjetet e pambrojtura, konfigurimet e gabuara dhe madje edhe mungesa e trajnimit të punonjësve.
Phishing
Ky lloj sulmi kryhet përmes mashtrimit përmes komunikimeve elektronike.
Një nga mënyrat më klasike të sulmeve Phishing është kur krimineli, përmes e-mailit, imiton dikë të besueshëm brenda kompanisë, duke e bërë objektivin të klikojë lehtësisht në lidhjet e infektuara. Kjo, ndër të tjera, bëhet me qëllim të vjedhjes së të dhënave personale si vjedhje e identitetit apo vjedhjes së të dhënave bankare.
Sistemet Offline
Janë disa sisteme të cilat nuk guxojnë të dalin nga linja për asnjë moment. Për këtë arsye edhe sulmet e këtilla e kanë pikërisht këtë qëllim, që këto sisteme ti destabilizojnë, duke shkaktuar fikjen e tyre, me pasojë dëmtimin e reputacionit të kompanisë së sulmuar, apo edhe më keq duke shkaktuar humbje financiare.
Mungesë Konfidencialiteti
Disa të dhëna duhet të jenë të mbrojtura dhe si të tilla duhet të jenë në dispozicion të vetëm disa personave shumë të besueshëm brenda organizatës.
Nëse kjo rregull e thjeshtë nuk respektohet nga të punësuarit brenda organizatës, ato informata mund të bien në duar dhe të keqpërdorën nga njerëz jashtë organizatës.
Këto janë vetëm disa nga rreziqet me të cilat sot duhet të përballet një kompani me qëllim të ruajtjes së informatave të kompanisë – të cilat mund të jenë jetike për vazhdimin e operimit të saj.