Shefi ka titullin, lideri ka njerëzit
Një shef u kërkon të punësuarve të qëndrojnë në punë deri vonë, ndërkohë që, vet, del nga zyra në ora 16:00 për të kryer punë private.
Liderët gjenden rrallë dhe me vështirësi. Ata manifestojnë karizëm, vizion dhe tipare të tilla karakteri që i bëjnë njerëzit t’i duan dhe t`u shkojnë pas.
Çdo njeri mund të jetë lider, por, duhet që ta nxjerr nga vetja karizmën të shoqëruar me vullnetin dhe përkushtimin për një punë apo veprim. Për t`u bërë lider, ne duhet të kalojmë përmes një tranzicioni. Disa e kalojnë këtë më shpejtë, disa më ngadalë ndërsa disa të tjerë kurrë.
Është një thënie e vjetër që ka të bëj me dallimin në mes të një menaxheri dhe një lideri “Menaxheri e bënë punën si duhet, ndërsa Lideri e bënë punën e duhur”. Është mirë të jesh edhe menaxher edhe lider dhe do ishte një kombinim i përsosur.
Shefi ka titullin, Lideri ka njerëzit. – Simon Sinek
Kur jemi të rinj, e vetmja gjë që kërkohet nga ne është të kryejmë punën tonë sa më mirë. Për këtë qëllim, kompania na ofron trajnime të ndryshme se si të shfrytëzojmë një program (softuer), si të shesim apo si të bëjmë një prezantim ashtu që të jemi të mirë në punën që bëjmë. Disa madje, avancohen me grada – ekonomist, inxhinier, tregtar, bankier ashtu që të mund ta kryejnë punën e tyre edhe më mirë. Nëse tregohemi të mirë në punë, kompania na avancon madje edhe me pozitë nga ku mund të jemi përgjegjës për njerëzit të cilët e bëjnë atë punë të cilën më parë e kemi kryer vet. Mirëpo, shumë pak kompani na tregojnë se si ta bëjmë këtë. Pra, shumë pak kompani na mësojnë se si të udhëheqim – të bëhemi lider.
Kjo është një prej arsyeve të forta që ne në kompanitë tona kemi menaxherë dhe jo liderë. Kjo ndodhë pasi personi që u promovua, vërtetë e njeh punën shumë më mirë se ne – për atë edhe është promovuar në radhë të parë, dhe natyrisht që ai do të na tregoj se si ta bëjmë punën. Pra, ata na menaxhojnë, sepse askush nuk i ka mësuar se si të na udhëheqin.
“Gabimi më i madh që shumica nga ju do të bëni në organizatën tuaj, është kur kaloni nga të vepruarit në të bërit menaxher. Ju mendoni që ia dolët dhe tani njerëzit punojnë për ju. Ky është vetëm fillimi kur ju filloni të punoni për ta”. – Gary Vaynerchuk
Ky është mësimi më i vështirë për t`u mësuar kur promovohemi në një pozitë udhëheqjeje – të kuptojmë që më nuk jemi përgjegjës për të kryer punë, tani jemi përgjegjës për njerëzit të cilët e kryejnë punën. Asnjë Drejtor nuk është përgjegjës për klientët. Drejtori është përgjegjës për të punësuarit të cilët janë përgjegjës për klientët. Nëse e kuptoni këtë si duhet, të gjithë do të dalin fitues – edhe të punësuarit edhe klientët.
Lidershipi, udhëheqja, drejtimi është një punë e vështirë. Jo e vështirë për të kryer punën, por e vështirë të mësohet të mos i pengojë të tjerët që të kryejnë punët e ngarkuara.
“Bota ka ndryshuar nga njerëz, të cilët kanë qenë aq të ‘çmendur’ sa të mendojnë se mund ta ndryshojnë atë”. – Steve Jobs
Një lider, pjesë të punës e ka të inspirojë njerëzit rreth vetes të japin më të mirën nga vetja e tyre. Për të arritur këtë, lideri është shembull për ta, duke vepruar njësoj edhe vet. Kështu ai inspiron të tjerët ta pasojnë, edhe pa qenë të detyruar – madje ata duan ta pasojnë sa herë t`u jepet rasti.