Vlera e tregut kundrejt vlerës kontabël?
Për çdo ditë, prej kur hapet bursa e aksioneve e deri në fund të ditës kur mbyllet, pothuaj çdo minutë, shohim se si çmimet e aksioneve lëvizin poshtë e lartë vazhdimisht, herë u rritet çmimi e herë u bie. Kushdo që e përcjellë ueb faqen nasdaq, nyse etj. e vëren këtë lëvizje në kohë reale, mjafton të instalosh një aplikacion si p.sh IQOption ose stocktwitts, ose me dhjetëra të tjera që janë në dispozicion në playstore dhe appstore.
Çmimi i aksionit reflekton vlerën e kompanisë që e ka emetuar atë. Aksioni ka çmim nominal, të cilin e përcakton kompania në kohën kur themelohet. Me këtë çmim i ofrohet publikut të gjerë me rastin e ofertës publike fillestare (IPO[i]) por mund të shitet edhe mbi këtë çmim – nëse publiku pret që kompania të ketë perspektivë, të performojë mirë në të ardhmen, ose, mund të shitet nën këtë çmim, nëse publiku nuk ka pritje të larta nga kompania. Prandaj çmimi nominal i aksionit nuk është patjetër të jetë i njëjtë me çmimin e tregut të aksionit.
Po pse çmimi i aksioneve ndryshon vazhdimisht? A ndryshon pasuria dhe fitimi i kompanisë në çdo minutë? Po. Mirëpo, kompanitë nuk janë të obliguara që vlerën e pasurisë së tyre dhe fitimin ta publikojnë për çdo ditë. Më së shumti, ato janë të obliguara të publikojnë pasqyra financiare tre mujore, edhe pse në shumicën e rasteve pasqyrat financiare publikohen në baza vjetore. Dhe këto pasqyra auditohen vetëm një herë në vit, prandaj vetëm një herë në vit mund të dimë me siguri të arsyeshme se sa është vlera e kompanisë me të vërtetë dhe se sa ka dallim mes çmimit nominal dhe çmimit të tregut të aksionit.
E si ka mundësi pra që çmimi u aksioneve lëviz për çdo ditë? Faktori kryesor që e shtyn ndryshimin e çmimit është oferta dhe kërkesa për atë aksion.
Me siguri keni dëgjuar kur çmimi i aksioneve të kompanisë Tesla ra për shkak të një komenti që krye shefi ekzekutiv i saj Elon Musk, me 1 maj 2020 në twitter postoi “çmimi i aksionit të Tesla-s është shumë i lartë, për mendimin tim”. Atë ditë kur bursa u hap çmimi i aksionit të Tesla-s ishte $151 dhe pas deklaratës së tij aksionet e Tesla-s u shitën edhe për $136, që i bie $15 më lirë se çmimi i hapjes ose afër 10% rënie. Ky postim i Elon Musk i trazoi pronarët e aksioneve të cilët nën ndjenjën e panikut nxituan t’i shesin aksionet e tyre nga frika se do të ketë rënie edhe me të madhe të çmimit. Dhe, mund të ndodh që të ketë edhe efekt më të madh se sa një rënie prej 10% në çmim për shkak se paniku mund të përhapet tek të gjithë pronarët e aksioneve dhe kështu aksionet të pësojnë rënie edhe më të thellë të çmimit. Ky veprim i aksionarëve bazohet në vlerësim të trendit momental por që për shkak të efektit domino mund të shndërrohet në trend afatgjatë që mund të vazhdojë për javë ose muaj dhe mund të arrijë deri aty sa çmimi i aksioneve të bie nën çmimin nominal dhe real të tyre.
Ky vlerësim i çmimit të aksioneve në treg quhet kapitalizim i tregut. Pra e kemi fjalën për çmimin që tregu i aksioneve (bursa) – oferta dhe kërkesa për aksione – ia përcakton një kompanie, pra, sa i vlerëson tregu aksionet e kompanisë.
Shuma e parave që do t’ju duhej për të blerë secilin aksion të emetuar të një kompanie, me çmimin aktual të tregut e përbën konceptin kapitalizim i tregut. Ky tregues (matës) iu hyn në përdorim investuesve kur zgjedhin a t’i investojnë paratë e tyre në kompani të mëdha (si Facebook ose Tesla p.sh., të hyrat vjetore e të cilave arrijnë në dhjetëra miliardë dollarë) apo në kompani më të vogla. Gjithashtu investuesit e përdorin atë për ta vlerësuar rrezikun që e shoqëron investimin si dhe çfarë potenciali për fitim mund të ketë investimi.
Investimi në kompani të madhësive të caktuara shoqërohet me fitime dhe rreziqe të caktuara, kështu që investuesit, varësisht prej potencialit të tyre investues, hartojnë strategji investimi duke e marrë parasysh edhe kapitalizmin e tregut të kompanisë ose kompanive, aksionet e të cilave do t’i blejnë. Për dikë, strategji e investimit më e përshtatshme do të ishte të investojë vetëm në kompani me kapitalizim të madh, e dikush tjetër do të preferonte të ketë llojllojshmëri investimesh (diversifikim), që do thotë se paratë që i ka për t’i investuar i ndanë, një pjesë në kompani me kapitalizim të vogël, një pjesë në ato me kapitalizim të mesëm dhe tjerat në kompani me kapitalizim të madh.
Në anën tjetër, vlera reale e kompanisë paraqitet në pasqyrën financiare që quhet bilanci i gjendjes. Aty paraqiten pasuritë dhe detyrimet e saj sipas kostos historike. P.sh. nëse kompania ka një fabrikë për ndërtimin e të cilës ka shpenzuar 1 milion euro, në bilancin e gjendjes kjo pasuri paraqitet aq sa i ka kushtuar kompanisë për ta ndërtuar, gjegjësisht pasuria e kompanisë është 1 milion euro. Nëse gjysmën e parave për ndërtimin e fabrikës i ka marrë nga banka përmes kredisë, në bilanc paraqitet shuma prej 500 mijë euro si detyrim (borxh) ndërsa 500 mijë të tjera janë kapitali aksionar.
Pra vlera reale (kontabël) e kësaj kompanie është një milion euro mirëpo mund të ketë kapitalizim të tregut më të lartë ose më të ulët, varësisht prej sentimentit të investitorëve.
Vlera kontabël e kompanisë Tesla është $55 miliardë e 146 milion, sipas pasqyrave financiare të publikuara me 30 qershor 2021, ndërsa numri i aksioneve te emetuara, pra i aksioneve që ishin në duar të publikut, në atë datë ishte 971 milion që do të thotë se çmimi real i aksionit të Tesla-s është rreth $56.8 ($55,146/971=$56,8). Çmimi i tregut me të njëjtën datë (30 qershor 2021) ishte afër $680 që do të thotë se kapitalizimi i tregut është mbi 12 herë më i lartë se vlera reale e kompanisë. Kjo do të thotë se aksionarët kanë pritje shumë të mëdha nga kompania përderisa janë të gatshëm të paguajnë 12 herë më shumë se çmimi real i kompanisë. Kjo paraqet rrezik të madh, mirëpo çdo investim me rrezik të madh pret edhe kthim të madh nga investimi.
Kur çmimi i tregut është shumë më i lartë se çmimi real i aksionit, investimi në këtë aksion përcillet me rrezik për shkak se në rast të falimentimit të kompanisë, duke supozuar se pasuria e saj shitet sipas vlerës reale, investitorët mund të marrin, në rastin më të mirë të mundshëm, hisen e tyre nga shuma e parave që përfitohet nga shitja, e që është 12 herë më e ulët se shuma që e kanë paguar për blerjen e aksioneve me çmim të tregu. Gjithsesi gjasat që një gjë e tillë do të ndodh janë minimale, për shkak se Tesla është kompani në rritje, interesimi për produktet e saj ekologjike ka qenë vazhdimisht në rritje sidomos në këto dy vitet e fundit dhe ky trend pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen për shkak se bota është orientuar drejt zgjidhjeve që janë eko-miqësore (eco-friendly) dhe e ardhmja s’mund të paramendohet ndryshe.
[i] IPO – Initial Public Offering