Facebook mbron grupet nga keqinformimi
Facebook ka shtuar disa veçori të reja për Grupet (në Facebook) që synojnë të ndihmojnë në uljen e sasisë së dezinformatave të shpërndara midis anëtarëve të grupit, siç njofton kompania mëmë Meta. Një nga këto opsione i lejon administratorët e Grupit të refuzojnë automatikisht postimet, që kontrolluesit e fakteve të palëve të treta kanë përcaktuar se përmbajnë ndonjë informacion të rremë, në mënyrë që postimi të mos u shfaqet anëtarëve të tjerë të Grupit.
Ky ka qenë një problem mjaft i madh për Facebook-un, meqenëse shumë Grupe janë private, informacioni i pasaktë mund të përhapet shumë shpejt dhe me fare pak mbikëqyrje. Grupet janë fajësuar se kanë ndihmuar në përhapjen e dezinformatave rreth COVID-19 dhe teorive të tjera konspirative, si dhe që janë shndërruar në një vendqëndrim të keqbërësve për të organizuar komplote, siç ishte rasti i rrëmbimit të guvernatorit të Miçiganit dhe koordinimi i kryengritjes së 6 janarit.
Facebook edhe më parë ka ndërmarrë veprime të ngjashme në përpjekje për të frenuar përdoruesit që shkelin rregullat e Grupit dhe për të ndëshkuar Grupet që shkelin rregullat e kompanisë. Kompania vitin e kaluar kishte shtuar disa mjete për administratorët e Grupit, duke i lejuar ata të kufizojnë disa përdorues të mos postojnë shpesh dhe duke i paralajmëruar ata për biseda që mund të jenë “biseda kontestuese ose jo të shëndetshme” (edhe pse nuk ishte e qartë se si do ta bënte këtë inteligjenca artificiale e saj). Por, si me shumicën e përpjekjeve të tij për të kontrolluar Grupet që përhapin dezinformata ose përndryshe shkelin politikat e tij, shumica e rregullimeve të Facebook-ut kanë mbërritur me shumë vonesë, shpesh duke reaguar pasi përmbajtja problematike është bërë virale.
Përveç që u mundëson administratorëve të grupit të refuzojnë postimin e disa përmbajtjeve, Facebook zgjeroi funksionalitetin e funksionit të tij “mute” (heshtje), duke e riemërtuar atë “suspend” (pezullim), në mënyrë që administratorët dhe moderatorët të mund të pezullojnë përkohësisht anëtarët problematik të grupit.
Kompania thotë se mjetet e reja do t’i lejojnë administratorët të menaxhojnë Grupet në mënyrë më efikase dhe t’u japin atyre njohuri shtesë se si t’i rrisin Grupet e tyre me “audiencë relevante”.