Bitcoin mund të zhvlerësohet për shkak të pafuqisë së minatorëve
Rritja marramendëse e vlerës së bitcoin-it në vitin e kaluar, tërhoqi mijëra minatorë (ang. miner) të rinj në tregun e prodhimit të monedhave (bitcoin) të reja.
Si rezultat i kësaj, “hashrate” apo fuqia e përbashkët kompjuterike e minatorëve të bitcoin-it globalisht, pothuajse është katërfishuar këto gjashtë muajt e fundit për të arritur fuqinë kompjuterike deri në mbi 200 milion “terahash” për sekondë.
Rritja e “hashrate”-it ka vështirësuar fitimin e bitcoin-ëve të rinj nga minatorët për të mbuluar kostot e tyre të harduerit, energjisë elektrike dhe të stafit, duke i detyruar ata të shesin bitcoin-ët e fituar gjatë prodhimit, në vend që ti mbajnë ato. Kjo edhe ka ndikuar në rënien e vlerës së bitcoin-it në treg.
Kostot e operimit janë një nga faktorët kyç në vendimin e minatorëve për të mbajtur ose shitur monedhat e sapo fituara gjatë mihjes. Ata janë shitësit e parë dhe më të natyrshëm në hapësirën e kripto-monedhave dhe padyshim që veprimet e tyre ndikojnë edhe në çmime.
Sipas firmës kërkimore të kripto monedhave, Arcane Research me bazë në Oslo, vlera totale e monedhave në kuletat e minatorëve ka rënë në rreth 75 miliardë dollarë amerikan nga $114 miliardë sa ishte në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, pasi përfitimi i tyre është tkurrur si pasojë e rritjes së “hashrate”-it dhe rënies së çmimeve.
Minatorët më shumë monedha kanë transferuar në këmbimore se sa në rezervat e tyre, një shenjë kjo që ata ose janë duke i shitur ato, ose kanë qëllim ti shesin.
Bitcoin po përballet me një presion të shtuar për shkak të politikave të rezervës federale të SHBA-s dhe për shkak të tensioneve në mes të Ukrainës dhe Rusisë.
Kripto-monedha dominuese në botë, në kohën e shkrimit të këtij blogu, po tregtohet me rreth $37,600, që është rreth 40% nën nivelin më të lartë prej $62,000 sa ishte me 10 nëntor të vitit të kaluar.
Minimi i bitcoin-it, në terma të thjeshtë, është procesi me të cilin një rrjet kompjuterësh (minatorët) kontrollon dhe vërteton një bllok transaksionesh që më pas ato të shtohen në zinxhirin e blloqeve (blockchain). Pas përfundimit të një blloku, minatorët shpërblehen me bitcoin për angazhimin e fuqisë kompjuterike të tyre.
Megjithatë, ky është një biznes mjaft i shtrenjtë që kërkon jo vetëm pajisje të sofistikuara dhe të shpejta që kushtojnë me dhjetëra mijë euro, por edhe një sasi të madhe të energjisë elektrike.
“Sa më shumë minatorë që i bashkohen rrjetit, secili prej tyre individualisht fiton më pak bitcoin. Kjo ndodhë për shkak se vështirësia e mihjes (vërtetimit të transaksioneve) rritet, për të ngadalësuar emetimin e bitcoin-ëve të rinj,” deklaron Joe Burnett, analist në Blockware Solutions.
Një pjesë e presionit që bie mbi minatorët rrjedh nga vet struktura e bitcoin-it. Blockchain-i i decentralizuar i bitcoin-it u krijua në mënyrë anonime me një kufi përfundimtar prej 21 milion monedhash, nga të cilat afro 19 milion tashmë janë prerë.
Për të nxjerrë një bllok të ri nevojiten rreth 10 minuta dhe shpërblimi për minatorët – të cilët aktualisht marrin 6.25 bitcoin për bllok – përgjysmohet çdo katër vite.
“Pavarësisht se sa minator janë, një apo një milion, kjo nuk ndryshon asgjë. Ka vetëm një bllok dhe një numër të caktuar bitcoin të lëshuar.”, thonë në “Amber Group”.
Megjithëkëtë, sipas ekspertëve, kjo do të vazhdojë kështu deri në vitin 2140. kur edhe do të mihet bitcoin-i i fundit.
Tag:bitcoin, blockchain, hashrate, miner