
Facebook nuk pëlqen që ju të shpërndani artikuj pa i lexuar
Edhe pse Facebook është një platformë e dizajnuar për shpërndarje të postimeve, ajo nuk dëshiron që ju të shpërndani një postim nëse fillimisht ju vet nuk e keni lexuar atë. Kjo ide ka ardhur si pasojë e shpërndarjes së shumtë të lajmeve të rrejshme, dezinformatave, dhe marrëzirave të tjera të cilat shpërndahen çdo ditë në Facebook.
Të hënën, Facebook përmes një postimi në platformë ka njoftuar që është duke testuar një atribut që do të nxis shfrytëzuesit të lexojnë artikullin para se ta shpërndajnë atë. Nëse ju provoni të shpërndani një artikull pa e hapur atë për ta lexuar, Facebook do t’u paraqes një njoftim për t’u inkurajuar që ta hapni fillimisht e ta lexoni, e pastaj të mund ta shpërndani atë.
Kur ju provoni të shpërndani një artikull, pa e hapur fare atë për ta lexuar, do t’u paraqitet një mesazh ku shkruan që “Ju doni të ndani këtë artikull pa e hapur fare atë. Ndarja e artikujve pa i lexuar ato fillimisht, mund të nënkuptojë humbjen e fakteve kryesore”.
Edhe nëse shfrytëzuesit vendosin të mos e lexojnë artikullin, ata do të jenë në gjendje ta shpërndajnë atë duke shtypur butonin “Continue Sharing” (vazhdo me shpërndaje), mirëpo ideja është që t’i shty ata të hapin fillimisht artikullin për ta lexuar, pastaj të vendosin nëse do e shpërndajnë atë ose jo.
Kjo iniciativë e Facebook-ut, pason një iniciativë të mëhershme të Twitter-it, të cilët janë duke e testuar një veçori të ngjashme që nga Qershori i vitit të kaluar. Pak muaj pas fillimit të këtij testimi Twitter kishte dalë me disa rezultate – të cilat ishin inkurajuese. Sipas Twitter-it hapja e artikujve për t’u lexuar ishte shtuar për 40% pas paraqitjes së njoftimit, dhe hapja e artikujve para se ato të shpërndahen ishte rritur për 33%. Kjo tregon që kishte ulje të rasteve të shpërndarjes për 7% pasi shfrytëzuesit kishin lexuar përmbajtjen e artikullit.
Edhe pse Facebook nuk është si Twitter, prapë se prapë, këto rezultate nga Twitter janë një tregues i mirë që kjo lloj shtytje do të bëjë që shfrytëzuesit të mendojnë dy herë para se të ndajnë diçka që nuk e kanë lexuar.