Tatimet
Tatimet janë të hyra të përhershme, të rregullta dhe të hyrat më me rendësi të cilat shteti i mbledhë prej personave fizik (qytetarëve) dhe personave juridik (firmave). Të hyrat e mbledhura nga tatimet shteti i përdorë për të financuar shpenzimet publike. Me paratë e mbledhura nga tatimi paguhen pagat e stafit të administratës publike, ndërtohen dhe mirëmbahen rrugët, spitalet, shkollat dhe financohet çdo shërbim që shteti ua ofron qytetarëve pa pagesë.
Shteti e cakton një përqindje në çmimin e secilit transaksion (shitblerje) që ndodh në sektorin privat në ekonomi. Kjo përqindje quhet norma tatimore me të cilën ngarkohen tatimpaguesit. Tatimpaguesi duhet të njoftohet se me çfarë përqindje do të paguaj tatim. Prandaj në kuponët fiskal që shitësi ia lëshon blerësit vlera e mallit paraqitet veçmas si dhe vlera e tatimit paraqitet veçmas. Të dyja këto së bashku e përbëjnë çmimin e mallit.
Normat tatimore që aplikohen kryesisht janë dy llojesh: Norma proporcionale tatimore dhe norma progresive tatimore. Ekziston edhe norma regresive tatimore por që përdoret fare pak ose pothuajse kurrë.
Norma proporcionale tatimore është normë e njësuar, që nuk ndryshon me ndryshimin e çmimit të mallit. P.sh tatimi në vlerën e shtuar që në Kosovë është 18% është tatim proporcional dhe nuk ndryshon pavarësisht vlerës që e ka malli që e blen. Norma prej 18% aplikohet edhe në mallra të lira si p.sh. një fletore që ka vlerë 1€, e njëjta normë aplikohet edhe në mallrat e shtrenjta p.sh. në një veturë që ka vlerë 10,000€. Pra për fletore paguajmë 0.18€ tatim ndërsa për veturë paguajmë 1,800€ tatim. Kështu me rritjen/uljen e çmimit, në përpjesëtim të drejtë rritet/ulet edhe ngarkesa tatimore.
Norma proporcionale e tatimit konsiderohet të jetë më e drejtë, objektive, e thjeshtë për tu llogaritur, i ngarkon njëjtë të gjithë detyruesit tatimor. Ndërsa si e metë e normës proporcionale të tatimit konsiderohet se nuk i trajton njëjtë detyruesit tatimor sepse nuk është në pajtim me parimin e barabarësisë se tatimit dhe të sakrificës së njëjtë.
Norma progresive tatimore, për dallim prej normës proporcionale, është normë që ndryshon, rritet paralel me rritjen e bazës tatimore. Shembull i kësaj norme tatimore është tatimi në të ardhurat personale i cili aplikohet me tri shkallë tatimore duke filluar nga më e ulëta prej 4% deri në 10% më e larta. Personat me të ardhura më të larta paguajnë norma më të larta të tatimit.
Me aplikimin e normës proporcionale shteti mund të arrijë të zvogëlojë pabarazinë ekonomike në shoqëri (zvogëlohen dallimet mes shtresave sociale); stimulon tatimpaguesin që të jetë më efikas në aktivitetin e tij etj. E metë e normës progresive tatimore është se vështirë gjenden kritere objektive për caktimin e normës tatimore; destimulon aktivitetin ekonomik të tatimpaguesit (nxit mosinteresimin për rezultate me të mëdha në punë): kalimi prej njërës normë tatimore në tjetrën ndikon në moralin e tatimpaguesit (nxit detyruesin tatimor t’i shmanget pjesërisht ose plotësisht pagimit të tatimit), etj.
Përveç që financon shpenzimet publike, shteti përmes tatimit ka për qëllim edhe të realizojë qëllime të shumta të politikes ekonomike. Tatimi ia zvogëlon fuqinë blerëse tatimpaguesit, ai shkakton efekte të natyrës ekonomike, financiare, sociale, morale, etj.