Hulumto para se të vendosësh për investime
Shumica e njerëzve që i investojnë kursimet e tyre në bursa të aksioneve, shpesh herë nxitohen me vendimet e tyre për investime për shkak se nuk hulumtojnë mjaftueshëm, nuk i analizojnë të dhënat e kompanisë, duke investuar kështu (shpesh herë gabimisht) pa e kuptuar vlerën e vërtetë të kompanisë. Në thelb ky lloj investimi zor se mund të quhet investim; më parë do të duhet të quhej bast, sepse investuesi bazohet në probabilitet që supozimi tij – se çmimi i aksionit do të ketë rritje vetëm sepse kohëve të fundit çmim i tij ka pasur rritje konstante – do të jetë i saktë. Mirëpo performanca e mirë në të kaluarën nuk garanton gjithnjë fitime në të ardhmen. Prandaj nuk duhet bazuar në trend pa e bazuar vendimin tuaj për investim edhe në një analizë reale.
Shumë shpesh, investitorët i blejnë aksionet sepse një investitor tjetër ia ka rekomanduar atë, ose sepse kanë lexuar një ose disa artikuj në media se aksionet e një biznesi të caktuar janë duke u rritur vazhdimisht.
Nëse vendimet tuaja për investime i merrni në këtë mënyrë, pa ndarë kohë të mjaftueshme për t’ia bërë analizën kompanisë së cilës ia blini aksionet, atëherë gjasat për të bërë investime të gabueshme i keni shumë të mëdha. Pastaj, kjo lloj vendimmarrje është e rrezikshme sepse në mungesë të informatave të mjaftueshme ju mbështeteni në informatat (ose dezinformatat) që ua japin të tjerët.
Vendimet tuaja për investime duhet t’i merrni vetëm pasi ta keni kuptuar vlerën e vërtetë të kompanisë duke bërë një hulumtim të gjerë, duke analizuar të gjitha të dhënat që janë në dispozicion për kompaninë e në veçanti pasqyrat financiare, sepse ato janë baza për vendimmarrje. Kur ta keni kuptuar se çfarë vlere ka kompania, atëherë do ta keni shumë të lehtë të vendosni se a do të blini apo jo aksione në atë kompani, si dhe do ta keni më të lehtë të vendosni kur do t’i shisni ato.
Hap shumë i rëndësishëm për investim të suksesshëm është që ta njihni kompaninë të cilën e keni shënjuar si kompani potenciale për të investuar. Kur ta keni filluar hulumtimin, duhet ta vlerësoni kompaninë me një qasje të strukturuar. Me qasje të strukturuar dua të them që vlerësimi duhet të përfshijë çdo aspekt të kompanisë duke filluar nga çështjet më themelore si: Çfarë saktësisht bën kjo kompani dhe prej nga i fiton paratë? Ndonjëherë kjo është e lehtë, por shpesh herë (për çudi) edhe nuk është. Nëse e keni kuptuar mirë se çfarë bën ajo kompani dhe nëse jeni në gjendje që t’ua shpjegoni atë të tjerëve që t’ju kuptojnë lehtë, me gjasë do t’ju duhet më pak kohë për t’i kuptuar çështjet e tjera gjatë zhvillimit të analizës së mëtejme.
Me rëndësi është që ta dini se si është kompania sot dhe si ka ardhur deri në këtë ditë, duke iu kthyer historisë së saj. Historia e saj tregon më së miri se pse një kompani është e suksesshme: A me të vërtetë kishte punuar mirë? Apo thjesht kishte pasur fat?
P.sh. disa nga kompanitë farmaceutike, aksionet e të cilave kanë çmime astronomike për shkak se zhvillojnë vaksinën kundër Covid-19, kanë vlerë të madhe në treg ndërsa para pandemisë nuk e kishin as çerekun e kësaj vlere, e po ashtu gjasat se do të kenë vlerë të madhe në një të ardhme jo shumë të largët janë mjaft të vogla, për dallim prej kompanive sikurse Coca-Cola (KO), produktet e së cilës kanë pasur kërkesë konstante dhe vazhdimisht në rritje. Pra Coca-Cola u rrit për shkak të përkushtimit dhe punës së palodhshme për zhvillimin e produkteve që i vlerëson tregu, ndërsa kompanitë farmaceutike si Moderna, BioNTech e të ngjashme janë rritur për shkak të paraqitjes së rrethanave të papritura, ndërsa ato e shfrytëzuan rastin e përshtatshëm për të zhvilluar produktin për të cilin tani ka kërkesë në treg.
Sikurse Moderna, edhe BioNTech s’ka qenë e listuar në bursë para se të shfaqej Covid-19, ndërsa me të marrë financim nga Pfizer dhe Departamenti i shëndetësisë së ShBA-s, çmim i aksioneve të saj arriti të rritet deri në 37 fish, nga 13$ sa ishte kur kompania u bë publike (në tetor 2019) në 464$ (gusht 2021).
Për dallim prej dy kompanive të cekura më lartë, Coca-Cola (KO) është kompani më e qëndrueshme për shkak se produkti i saj ka kërkesë konstante, prandaj edhe çmimi i aksioneve të saj në bursë është më i qëndrueshëm, që për investitorin paraqet një lloj sigurie dhe garanci se investimi i tij në afat të gjatë do të sigurojë fitim, ndërsa në rast se investitorit i paraqitet nevojë urgjente për likuiditet dhe detyrohet t’i shesë aksionet që i ka në kompanitë si Coca-Cola, edhe nëse nuk merr asnjë fitim, të paktën nuk do të ketë humbje, ose humbja do të jetë minimale.